E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festivali i 50-të i Këngës në Radio-Televizion, një lëngatë dashurie

Jorida Pasku

Festival i 50-të i Këngës në Radio-Televizionin Shqiptar nisi me këngë të nostalgjisë menjëherë pas reklamave që do ti fiksoheshin spektatorit në mendje si një refren i bezdisshëm ku pyetet: Si do të ishte jeta pa lavatriçe?, Si do të ishte jeta pa makinë? e ku konstatohet që Bukuria është talent dhe talenti bukuri, më tej me slogane të kompanive të tjera publicitare. 70 fëmijë, nën drejtimin e dirigjentit Kujtim Alia, u ngjitën në skënën e festivalit që mbahet edhe sonte, ora 20.00, në Pallatin e Kongreseve, për ti kujtuar publikut këngët: Dhuratë për ditëlindje, Në pragun e vegjëlisë dhe më të afërtat në kohë Fatit i besoj, Nuk mundem pa ty etj. Jemi në jubileun e 50-të dhe në të gjitha T-shirtet e verdha dhe jeshile që fëmijët mbanin veshur shkruhej: Festivali i 47-të i Këngës, Shkodër apo Festivali i 49-të i Këngës. Po i 50-ti? Duket sikur fëmijët kishin marrë me vete ato që kishin veshur në aktivitetet e kaluara. Kjo nuk ishte e vetmja mungesë vëmendjeje e festivalit.

Gjithçka në dorë të RTSH-së

I veshur me kostum të zi cacharel, aktori Nik Xhelilaj e nisi me natyrshmëri dhe i çlirët prezantimin e natës së parë, një natyrshmëri që me kalimin e orëve u kthye në shkujdesje. Ndryshe nga viti i kaluar, prezantuesit e sivjetshëm, Niku bashkë me dy partneret, Hygerta Sakon (Miss Shqipëria në vitin 1995, prezantuese spektaklesh) dhe Enkeleida Zeikon (Prezantuese emisionesh sportive), u treguan të kujdesshëm, të përmbajtur dhe nuk dolën jashtë skenarit të përgatitur nga Edlira Birko dhe Pandi Laço. Partneret u përpoqën të vazhdonin kështu deri në fund, ndërsa Niku hera herës harronte që po prezantonte një festival.

Këtë vit RTSH vendosi ti kyçte dyert. Afroheshin në prova vetëm këngëtarët që interpretonin dhe iknin pa dëgjuar tjetrin, krijuesit, organizatorët dhe stafi i televizionit dhe radios. Asnjë gazetar veç atyre të televizionit mëmë nuk u lejua të kapërcente pragun e Pallatit të Kongreseve. Vetëm ata ndiqnin provat, vetë ata bënin emisione nga ato që mëtonin të tregonin për nivelin në vite por gjithmonë e më shumë shkonin te kujtimet e një grushti personash, e më tej minuta të tëra transmetim për teknikën që do bënte të mundur live-in total.

Po ashtu dy prezantueset u nxorën nga gjiri i Televizionin Publik Shqiptar, Hygerta prezantuese e emisionit të mëngjesit Jo vetëm kafe, kurse Enkeleida prezantuese e rubrikës sportive po aty. Natyrshëm këngëtarët toknin duart, rrihnin shpatullat, përqafoheshin dhe i shkelnin syrin drejtorit artistik Shpëtim Saraçi. Ishte krijuar me kohë kjo atmosferë, që edhe Nikut i voliti. Ai ndihej si në shtëpi. Në fillim shkëmbeu komplimenta me koleget që i kishte shumë xhan, komplimenta për nivelin e profesionalizmit në punën e tyre, për shkëlqimin e tyre të jashtëm, fjalë të fryra që u bënë të udhës edhe për tua thënë këngëtarëve në prezantim si: Je bërë yll sot, Je më i ri se kurrë dhe po aq shumë shik, Je shumë e bukur, e mrekullueshme, shumë e mirë. Niku kryesonte me spontanitetin. Jo një herë, kërkonte aprovim për ato që thoshte nga aktori Ndriçim Xhepa, pjestar i jurisë së festivalit, dhe i drejtohej ashtu thjesht apo jo profe?, sikur të ishte kudo veç jo para një publiku. Nga goja e tij u dëgjuan edhe aforizma të tipit: Bëhu artist se rron gjatë. Duke i lënë gjithë sa u thanë mënjanë, mjaftonte komunikimi i aktorit prezantues me kolegen Elda Koçi që rrinte në hollin ku prisnin këngëtarët, për ti vënë vulën gjithçkaje. Niku jo njëherë insistoi që ajo duhet ti maste temperaturën këngëtarëve (me temperaturë kupto tensionin që shkaktojnë emocionet) dhe ajo insistonte se nuk kishin temperaturë, këngëtarët ishin çliruar dhe ajo ishte ngarkuar, prezantuesi vazhdonte insistonte, ajo nuk luajti nga e saja. Duhej edhe ndërhyrja e Sakos, për të bërë një saktësim sado të vogël, që djaloshi të reagonte me fjalët: Hë më korigjo edhe ti tani… dhe kjo mënyrë komunikimi vazhdoi edhe natën e dytë.

Një lëngatë dashurie

Në natën e parë e të dytë të festivalit u prezantuan 28 këngë të krijuesve të rinj e me përvojë. Nata e mbrëmshme ishte retrospektiva e këngëve fituese në vite kurse sonte, ora 20.00, këndojnë 20 finalistët. Zemra të bëra copë, të boshatisura, lot që me zor fshihen, dhimbje që sdurohet, lutje për tu ndalur, për të zgjuar një tjetër ëndërr, për të mbytur trishtimin, për tu afruar, për të qarë, asaj nuk i mbetet asgjë tjetër për të jetuar, tani dorëzohet e pastaj betimet dhe premtimet derdhen lumë. Dashuria, si çdo vit tjetër, ishte në qendër të vëmendjes së autorëve të teksteve edhe kësaj here. Dhimbja kulmonte në këngën e Rona Nishliut edhe pse këngëtarja e ardhur nga Kosova kishte dalë nga burgu i dashurisë me këngën Suus muzikë të Florent Boshnjakut, tekst të sajin.

Dashuria. Vetëm ajo i kishte frymëzuar më së shumti krijuesit e këtij festivali. A thua që në vend nuk ndodh asgjë veç dashurisë. Madje edhe misioni nuk ishte kryer deri në fund se edhe dashurisë iu këndua me fjalë të varfëra, të zakonshme, që vrasin veshin, nuk lejojnë shijimin e muzikës. Veçojmë pak këngë ku i këndohej jetës, ajo e kënduar nga Marjeta Billo Vlen sa një jetë me muzikë të Klodian Qafokut, tekst të Arben Dukës, me nota optimiste për njeriun që e do jetën dhe po ashtu ajo e Altin Gocit Kthehem prapë, muzikë të vetë këngëtarit dhe tekst të Klod Shehut. Për ku nxiton o jeta ime/ ngadalë se nuk po të ndjek dot/ma jep prapë dorën ti, përqafomë si atëherë/ hajt ecim e të vazhdojmë. Janë vargjet e këngës Oh… jeta ime me muzikë të Lejla Agollit, të shkruar nga Frederik Ndoci, që japin shembullin e një teksti që ngacmon njeriun deri edhe në vetëdijen e tij, në frikën nga vdekja, ankthin për të vazhduar, por sërish autori të tregon se në këtë përballje fiton padyshim jeta. Më vete rrinte Kristal i Sokol Marsit, muzikë të Elton Dedës, e kënduar po nga Deda, një meditim i ndjerë për dashurinë e shkuar. Të tjera këngë ranë në sy për muzikën, por largoheshin shpejt nga mendja për arsye se ishin të rrallë ata këngëtarë që u kujdesën për diksionin. Fjalët nuk vinin të qarta dhe zor të mbeteshin në kujtesë më shumë se 2-3 vargje.

Çdo vit bie në sy varfëria e tematikave po edhe e këngëve. Krijuesit e teksteve, të njëjtët çdo vit, sikur janë lodhur me festivalin dhe tani mund të presim vetëm shkreti, shkreti, shkreti.

Shifra, Shifra, Shifra

Me përsëritjen e shifrave herë pas here sikur duhej të tregohej se ishte bërë një punë kërkimore në fondin e muzikës në vite që ruhet në Radio-Televizionin Shqiptar. Shifra pa fund lodhnin dhe shkaktonin bezdi të spektatori. Në afro 3 orë festival u dëgjua që në 5 dekada janë kënduar 1342 këngë, kanë marrë pjesë në vite 197 këngëtare femra dhe 115 meshkuj (shtysë për të hapur debatin mes prezantuesve kush janë më cilësorë femrat apo meshkujt këngëtarë), 32 këngëtarë nga Kosova kanë marrë pjesë pas viteve 90, 37 kantautorë, 17 dirigjentë ku kryeson Ferdinand Deda me 38 festivale, 50 meshkuj prezantues në festival. Poeti që ka shkruar më shumë është Jorgo Papingji me 58 tekste këngësh, këngëtari më i vogël që ka marrë pjesë në festival para 90-ës është David Tukiçi, vetëm 13 vjeç, kurse pas 90-ës Goldi Halili në të njëjtën moshë, po ashtu këngëtaret femra që kanë marrë më tepër pjesë ishin Ema Qazimi dhe Irma Libohova (21 herë)… Sikur të mos mjaftonin shifrat që përsëriteshin, duhej edhe që këngëtarëve pa përjashtim tu bëhej test për kujtesën. Shkuan aq larg parashikimet në llogaritje sa u pyetën të rinjtë nëse do merrnin pjesë në festivalin e 70-të të këngës?! Kjo ishte nostalgjia e natës së parë. Ndoshta organizatorët do kujtojnë siç duhet njer

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›