Krasniqi: Jo referendum në veri
Këtë javë përfaqësuesit e komunave paralele në Zveçan dhe pjesës veriore të Mitrovicës morrën një vendim për mbajtjen e referendumit të paralajmëruar më parë, më 14 dhe 15 shkurt të vitit të ardhshëm.
Referendumi sipas organizatorëve do të përcaktonte nëse serbët e Veriut do të pranojnë instalimin e institucioneve të Republikës së Kosovës në atë pjesë të Kosovës. Pjesëmarrësit e kuvendit të këtyre komunave paralele e cilësuan këtë ngjarje si shprehje e lirë vullnetit të popullit. Sipa tyre referendumi do të tregojë që serbët në veri të Kosovës nuk duan të jenë pjesë e institucioneve të Prishtinës. Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi deklaron se kjo ide e referendumit është vazhdimi i tendencës së një grupi qytetarësh serbë apo të strukturave serbe të Beogradit në Kosovë, të cilët kanë bërë përpjekje prej vitesh që këta qytetarë të mos inkuadrohen dhe integrohen në jetën institucionale të Republikës së Kosovës. Edhe kjo përpjekje tani është vazhdimi i tendencës së mëparshme, thotë Krasniqi duke shtuar se i bie përgjegjësia Beogradit që të punojë në këtë drejtim:
“Jemi të bindur që këta qytetarë serbë që janë në këto struktura të jashtëligjshme dhe ilegale në Kosovë nuk mund të jenë zëri i qytetarëve serbë të Kosovës që dëshirojnë të bëhen pjesë e integruar e jetës politike, shoqërore dhe publike. Prandaj është detyrë dhe përgjegjësi e Beogradit ndaj të cilit duhet të vazhdojë presioni pozitiv i Brukselit për t’i shpërbërë këto struktura që janë bërë pengesë veçanërisht e qytetarëve në pjesën veriore të Kosovës, tha Krasniqi.
Edhe Beogradi kundër referendumit në veri
Shefi i delegacionit serb në negociatat mes Prishtinës dhe Beogradit Borko Stefanoviq e cilësoi referendumin si një iniciativë të keqe. ” Referendumi është i panevojshëm dhe sjellë probleme të mëdha”, i tha ai agjencisë së lajmeve Tanjug. Edhe ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviq u shpreh kundër nismës së serbëve të Veriut për mbajtjen e një referendumi të tillë. Sipas tij, referendumi është një vendim politik i opozitës. Një vendim i tillë, tha ia më tej, bllokon rrugën evropiane të Serbisë. Sekretari i Ministrisë për Kosovën në qeverinë serbe, Oliver Ivanoviç e quajti të kotë nismën e dy kryetarëve të komunave paralele në Veri. Sipas tij referendumi nuk duhet të mbahet dhe nëse mbahet, shkon në dëm të vetë serbëve të Veriut.