Dritëro Agolli midis letërsisë dhe politikës
Letërsia dhe politika, si entitete të ndryshme, por aspak të kundërta, përgjatë shekujsh kanë përpunuar një marrëdhënie dinamike, e cila vazhdimisht na është zbuluar në një lojë konfiguruese me ngjyra nga më të ndryshmet, në një hapësirë-kohë ku dominimi i njërës apo tjetrës është përcaktuar nga faktorë ekstra dhe intraletrarë. Brenda kësaj hapësire pa kufij të qartë lëviz ai, shkrimtari, së bashku me uratën dhe mallkimin e vet, thënë më saktë, me veprën si krijim unik, e cila reflekton, transmeton, pasqyron, thotë, nxit, vepron dhe në fund krijon botën e vet si referencë e botës së pakufishme objektive dhe subjektive, si pranim ose si kundërshtim i saj.
Shkrimtarët gjithmonë kanë qenë në kërkim të origjinës së artit të tyre. Në veçanti, poetët e kanë pyetur vazhdimisht veten për burimin e frymëzimit të tyre, për atë që e kanë quajtur muzë poetike. Bëhet fjalë për kërkesën e thjeshtë për të përcaktuar rolin e artistit, funksionin e tij shoqëror: të qenit të tij burim frymëzimi, duke zbuluar lidhjet e padukshme midis unit dhe universit, apo më shumë, të qenit të tij si psalt i luftëtarëve në arenën sociale.
Varësisht nga ndërfutja tek njëra-tjetra, produkti i kësaj marrëdhënieje, përpos kundërshtive të artit për art, ka lëvizur nga një letërsi me karakter social drejt një letërsie të angazhuar, me zigzage të forta, me shkrimtarë e vepra të mëdhenj. Progresivisht, aspiratat e përbashkëta për ndikim publik, për rol frymëzues për triumfin e vlerave, ngjizi në momente fragmentare një martesë të lumtur midis tyre, që në jo pak raste është shoqëruar me dhurimin ndaj njerëzimit të kryeveprave të letërsisë. E gjitha kjo, si rezultat i ruajtjes së një ekuilibri logjik midis letërsisë ose artit në përgjithësi dhe politikës, si dhe të kërkesës që letërsia ka për politikën si fushë të realizimit të idealizmave të saj dhe kërkesës që ka politika për letërsinë si mjet i shprehjes më ndikuese te publiku, të ideve të saj.
Shkarja e kësaj marrëdhënieje të angazhuar në një stad më të avancuar, për tu shprehur ekstremisht në letërsinë e partishme, e sanksionuar kjo ideologjikisht dhe teorikisht me krijimin e metodës së realizmit socialist, vulosi dënimin e letërsisë. Kjo e fundit u imponua dhe u provua më shumë si dhunë e një sistemi metodik mbi vlerat universale, si një mënyrë e rrethimit të letërsisë nga politika, për ta futur atë në korniza të kontrollueshme dhe për ta konceptuar atë si formë të shprehjes së forcës së klasës prioritare, sesa si shprehje e natyrshme e një stadi të ri bashkëveprues, midis aktiviteteve që shihnin te njëra-tjetra dorëzaninë reciproke.
Kjo marrëdhënie artificiale rilindi ndër vite armiqësinë e hershme midis tyre dhe rindezi luftën e heshtur dhe të hapur jo vetëm midis vetë shkrimtarëve dhe kritikëve, por dhe midis shkrimtarit dhe politikës, apo midis tij dhe vetë letërsisë. E ngjizur fillimisht si bashkim i utopisë politike me idealizmin tipik për të bukurën dhe të mirën të artistit, ajo u bë kurthi më i lumtur i një pjese të madhe talentesh në mbarë botën, të quajtur socialiste dhe josocialiste, dhe njëkohësisht u shndërrua në burgun më gjigant mendor, ku u futën me dëshirë e pa dëshirë shumë figura të njohura letrare të kohës. Disa prej tyre provuan jo vetëm privimin e lirisë së të shkruarit dhe të menduarit si pasojë e censurës dhe autocensurës, por dhe privimin e jetës, si pasojë e luftës së shpallur ndaj atyre që shkruanin, mendonin, shijonin letërsinë ndryshe, meqenëse ironikisht, lufta, nënkuptuar vrasja e poetit, ishte vazhdim i politikës me mjete të tjera, pra i asaj politike ideologjike që kishte rrëmbyer dhe marrë nën sqetull, pa dëshirën e kësaj të fundit, pikërisht letërsinë.
Shformimi letrar, si pasojë, u bë i pashmangshëm dhe u reflektua në një prodhimtari veprash pa destinacion artistik, me klishe e shabllone të përsëritura, me varfëri procedesh dhe figuracion mjeran, ose ekstremisht artificial, me emfazë qesharake e me situata e personazhe që më shumë se tipike në rrethana tipike ishin artificialë në rrethana artificiale. Kësisoj, letërsia u shndërrua në skllave të politikës, duke humbur sensin e vet të të krijuarit dhe duke marrë formën e një propagande të pastër të mbushur me figuracion letrar.
Përkundrejt kësaj, si shprehje e artit të vërtetë dhe letërsisë së vërtetë, shkrimtarët kundër rrymës krijuan një tjetër letërsi, atë të ndryshmen ose thënë me terma të tjerë letërsinë disidente, e cila format e manifestimit dhe realizimit i lëvizi nga veprat me gjuhë ezopike drejt kamuflimeve tematike, për të përfunduar në krijimin e atyre veprave që thyen hapur dhe tejkaluan çdo imponim politik dhe metodik, autorët e të cilëve pësuan vuajtje të paimagjinueshme.
Këto vepra, në përgjithësi, vendosën në qendër të tyre përditshmërinë e jetës, intimen, gjithçka që rrjedhshëm buronte nga shpirti i ndjeshëm dhe i trazuar i poetit, meditimet për jetën e vdekjen, lumturinë a hidhërimin e çastit të fituar apo të humbur, njerëzoren me trishtimet e saj, tundimet e ngazëllimet e pakufishme, si dhe dilemat e mëdha për kufijtë dhe pikëpyetjet e ekzistencës. Brenda saj, kultet dhe idhujt e imponuar zëvendësohen me kultin e së dashurës, me adhurimin për natyrën dhe objektet e thjeshta që reflektojnë jetën dhe fluksin e emocioneve spontane, me kultin e së bukurës dhe kultin e vetë vlerës së poezisë.
Edhe kjo disidencë, që në Shqipëri pati specifikën e vet, të lidhur ngushtë me frekuencën e madhe të egërsisë së regjimit, shprehu një raport politiko-letrar. Në një pjesë të madhe ajo ishte sa politike, aq dhe letrare, dhe në shumë raste ajo mbeti vetëm letrare, duke i hequr kështu të drejtën vetvetes të marrë atributin si plotësisht disidente, gjë që ngjall edhe sot debate të forta dhe të kuptueshme, gjithnjë sipas një përcaktimi që disidenca nuk është diçka e përfunduar dhe gjithsecili mund ta shfaqë atë sipas mënyrës së vet.
Në gjendjen aktuale të gjërave, marrëdhëniet midis këtyre entiteteve, pra politikës dhe letërsisë, janë çtendosur dhe secila i referohet tjetrës vetëm formalisht, pa përjashtuar ekzistencën në letërsinë tonë të një brezi shkrimtarësh që ende përjetojnë në krijimtarinë e tyre një lloj realizmi socmodern, si rezultat i të cilit politika flirton dukshëm me letërsinë brenda veprave letrare.
Në këtë kontekst, rasti i Dritëro Agollit është shprehje e koncentruar e marrëdhënieve komplekse që vendosen midis letërsisë dhe politikës në fushështrirjen dhe kurbën e ecjes së letërsisë shqipe. Dritëro Agolli mbetet rasti më i spikatur i shkrimtarit të angazhuar, i shkrimtarit të partishëm, i një shkrimtari i cili i shërbeu me devotshmëri politike politikës së momentit dhe që i shërbeu po me kaq devotshmëri artistike letërsisë dhe artit të të shkruarit. Dritëhijet e kësaj figure domethënëse dhe dominante në jetën letrare dhe politike të viteve të diktaturës dhe viteve të demokracisë, sjellin midis nesh shumë pikëpyetje që lidhen ngushtë me angazhimet konkrete politike të tij dhe me realizimin e një vepre, brenda së cilës lëvizin ndjeshëm motive, personazhe, mënyra të kompozuari, herë në pamjen e respektimit konsekuent të rregullave të rrepta krijuese të imponuara metodologjikë, herë në pamjen e rebelit të fjetur, i cili kërkon të dalë me sforco nga konformizmi galant, për të gjetur dhe shprehur pa sforco unin e tij poetik. Si legjionar i realizmit socialist, por njëkohësisht si talent i lindur poetik, Agolli iu nënshtrua një dyzimi permanent, brenda të cilit, gjithsesi, homo politicus mbeti më dominant dhe më përcaktues se homo literarum. Madje, mund të themi se ishte i pari ai që e udhëhoqi përgjatë gjithë krijimtarisë dhe jetës së tij, me gjithë rebelimin periodik të homo literarum, si shprehje e revoltës së lindur nën lirinë poetike ndaj ndrydhjes së imponuar ideologjike në koshiencë e subkoshiencë.
Ai erdhi në
