Droga e markës “Skënderbeu”
Autori i Lajmit: Nga Enver Robelli
Heroi i shqiptarëve, Gjergj Kastrioti, mbetet një figurë e panjohur. Për çdo qen të Papës Piu II dihet më shumë se sa mbi disa komandantë mesjetarë të Ballkanit, nënvizon Oliver Jens Schmitt, historiani zviceran, i cili ka shkruar biografinë e parë gjithëpërfshirëse për Skënderbeun. Ata që e kanë lexuar librin, e duket që në viset shqiptare janë pak të tillë, do ta zbulojnë një Skënderbe tjetër, jo atë figurën e profetit të dërguar nga qielli për shpëtimin e Evropës kristiane, siç është prezantuar nëpër libra të shkollave fillore, të gjimnazeve dhe në tekstet universitare nga Mitrovica e teposhtë deri në Sarandë. Schmitt e përshkruan Gjergj Kastriotin si komandant me fat tragjik, i cili në çastet vendimtare nuk u mbështet nga fuqitë evropiane të kohës. Historiani tregon se njëri ndër motivet pse Skënderbeu e nxori shpatën kundër otomanëve mund të ketë qenë hakmarrja për vrasjen e të atit nga pushtuesit. Schmitt nuk thotë se ky ka qenë motivi i vetëm apo kryesor, siç ia thonë me mendjelehtësi kritikët e tij shqiptarë. Madje, historiani e përshkruan Skënderbeun si njërin prej komandantëve dhe luftëtarëve më të famshëm të kohës. Njëkohësisht autori i biografisë njofton se e ëma e Skënderbeut ishte me origjinë sllave, gjë që ka qenë e ditur, por historianët shqiptarë nuk e kanë theksuar këtë sa duhet në tekstet e tyre, shpesh madje janë përpjekur ta fshehin.
Ivan dhe shqiptar
Po ashtu Schmitt thotë se i ati i Gjergj Kastriotit quhej Ivan, jo Gjon. Mes shqiptarëve ortodoksë emri Ivan në mesjetë nuk ishte i pazakonshëm. Këtë e ka nënvizuar edhe albanologu i njohur kroat Milan Shuflaj, i vrarë në vitin 1931 në Zagreb nga shërbimi sekret i Beogradit pikërisht për shkak të studimeve të tij për shqiptarët dhe angazhimit për Kroacinë. Vetë Schmitt tregon se në mesjetë kufijtë mes etnive ishin të paqëndrueshëm. Synim parësor i etnive ishte mbrojtja e fesë së krishterë. Familje të rëndësishme shqiptare, bullgare dhe serbe mbanin kontakte të ngushta mes vete dhe shpesh luftonin së bashku kundër otomanëve. Për një princ shqiptar në mesjetë ishte më e rëndësishme të martohej me një sllave nga ndonjë “derë e madhe” sesa me një shqiptare vetëm pse ajo fliste shqip. Ideja e kombit, siç e njohim sot, është pjellë e shekullit të 19-të. Nuk ka pasur komb shqiptar në mesjetë, ashtu siç nuk ka pasur as komb serb.
Në hapësirën shqiptare mendimet për veprën e Oliver Jens Schmittit mbi Skënderbeun vazhdojnë të jenë kundërthënëse. Kundër librit janë shprehur figura të rëndësishme politike dhe letrare. Sali Berisha, me profesion kardiolog, specialist për hemodinamikë, pastaj Bamir Topi, biolog, dhe Ismail Kadare, shkrimtar, janë të mendimit se libri i historianit zviceran është i dëmshëm, sepse vë në pikëpyetje disa vlera, në të cilat beson kombi shqiptar. Vlera këto që janë ndërtuar me shekuj, së pari nga Rilindja, pastaj nga themeluesit e shtetit shqiptar, më vonë nga regjimi i Enver Hoxhës. Tragjike është se që të tri personalitetet e përmendura më lart, pra Berisha, Topi dhe Kadareja, mendimet e tyre për këtë libër i kanë shprehur, me gjasë, pa e lexuar fare atë. Që të tre kanë folur të shtyrë nga emocionet.
Mësime nga Beogradi
Këto ditë, pas botimit në gjermanisht të librit të Schmittit, në gazetën “Frankfurter Allgemeine Zeitung” u publikua një recension, ku tërthorazi kritikohej edhe Kadareja për rolin e tij jo aq të lavdishëm në diskualifikimin e veprës së Schmittit për Skënderbeun. Kundër recensionit reagoi me zemërim vetë Kadareja. Nga Parisi. Në vend që debati të zhvillohet pa paragjykime, intelektualët shqiptarë dhe ata që e shohin veten të tillë merren me përgënjeshtrime, korrigjime dhe kritika të shkruara nga kullat e fildishta.
Deri më tash as Akademia e Shkencave në Tiranë, as simotra e saj në Prishtinë, nuk e kanë parë të udhës ta ftojnë në debat historianin Oliver Jens Schmitt. Asnjë televizion. Asnjë shoqatë historianësh. Vetë historiani i njohur britanik Noel Malcolm në numrin e vitit të ri të gazetës “Zëri” ka thënë se Oliver Jens Schmitti është një historian serioz dhe njëri prej njohësve më të mirë të historisë së shqiptarëve.
Nganjëherë shqiptarët duhet të mësojnë prej serbëve. Në vitin 2007 historiani gjerman Holm Sundhaussen botoi monografinë kritike “Historia e Serbisë – Prej shekullit të 19-të deri në shekullin e 21-të”. Autori nuk e prezanton vetëm historinë e Serbisë, por i demonton edhe mitet nacionale dhe instrumentalizimin e imazheve të së kaluarës për të arsyetuar veprimet politike dhe krimet. Shumë serbë nuk janë pajtuar me këtë vepër. E kanë sulmuar rëndë. Por, megjithatë serbët e ftuan në Beograd Holm Sundhaussenin. Historiania serbe, Latinka Peroviq, tha: “Duhet ta pranojmë si dhuratë këtë libër”. Kur do ti dërgohet një ftesë Oliver Jens Schmittit nga institucionet kulturore në Prishtinë apo Tiranë? Si zviceran që është, i rritur në një vend me demokracinë mbase më të përparuar në botë, ai nuk do ti ikte debatit. Atëherë shumë keqkuptime do të tejkaloheshin. Dhe shqiptarët Skënderbeun nuk do ta keqpërdornin si drogë nacionale. (robelli@bluewin.ch )
Ky lajm është publikuar: 06/04/2010