E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Droga, kamerat e paligjshme dhe McGonigal/ Financial Times: Bandat shqiptare janë zgjeruar deri në Amerikën Latine dhe Azi

Financial Times i ka dedikuar një artikull Shqipërisë dhe përpjekjeve që po bëhen për luftën për goditjen e bandave kriminale, dhe situatës politike në vendin tonë. Në artikullin me titull “Drugs, spies and cameras: Albania struggles to curb criminal gangs” një zë të veçantë zë dhe Kryeministri Edi Rama, i cili në fokus të qeverisjes së tij kishte luftën ndaj bandave kriminale dhe përmbushjen e reformave.

Sipas artikullit “Përpjekjet e Ramës për të përmbushur këtë premtim po bëhen gjithnjë e më të qarta, teksa posteri i progresistëve të Ballkanit është zvarritur në disa skandale që kanë njollosur imazhin e tij brenda dhe jashtë vendit. Rama është detyruar të mbrojë reformat që dyshohet se janë miqësore me pastruesit e parave, të shpjegojë se si bashkëpunëtorët e vjetër të qeverisë u përfshinë në hetimet e trafikut të drogës dhe të llogarisë rolin e tij në rënien e një oficeri të turpëruar të FBI-së”.

Çështja McGonigal dhe operacioni “Fijet” për çmontimin e kamerave të paligjshme dhe emigracioni zënë një tjetër pjesë të rëndësishme në artikullin e Financial Times.

“Fuqia e rrjeteve kriminale në Shqipërinë e Ramës u zbulua në mënyrë spektakolare muajin e kaluar. Policia rrëzoi qindra kamera vëzhgimi të instaluara nga kriminelët – një operacion i madh spiunazhi që monitoron zbatimin e ligjit dhe rivalët”, shkruhet në artikullin e gazetarit Marton Dunai.

Rama ka mbrojtur përpjekjet e tij për të çrrënjosur bandat: “Lufta e krimit dhe trafikimit ka qenë një prioritet për këtë qeveri”, tha ai për Financial Times përmes një zëdhënësi.

Shkrimi citon edhe gazetarin investigativ shqiptar, Artan Hoxha i cili tha se kishte parë “dhoma të mëdha kontrolli me shumë ekrane, ku grupet e mëdha të krimit vëzhgojnë”.

“Skandali i mbikqyrjes zemëroi qytetarët e rregullt, shumë prej të cilëve besojnë se qeveria bashkëpunon me trafikantët e drogës. Ata trafikantë po zgjerojnë shtrirjen e tyre. Bandat shqiptare janë zgjeruar nga plantacionet ilegale të kanabisit deri te trafikimi i kokainës dhe heroinës direkt nga Amerika Latine dhe Azia. Miliona euro u derdhën në Shqipëri, duke ndihmuar në zhvillimin e pasurive të paluajtshme luksoze përgjatë bregdetit të Mesdheut” thotë Hoxha, citon Financial Times.

Shkrimi përmend dhe “aministinë fiskale të propozuar nga qeveria e cila përfshin deklarimin vullnetar të një pasurie në vlerë monetare deri në 2 milionë euro, e cila legalizohet kundrejt një takse nga 7-10 përqind, pa asnjë përgjegjësi penale, “një lëvizje që kritikët thonë se do t’u jepte kriminelëve me të ardhura të larta një leje kalimi falas” vijon shkrimi.

Sipas Financial Times, reputacioni i Ramës “është njollosur” nga kontaktet e tij me një zyrtar të turpëruar të zbatimit të ligjit në SHBA, i akuzuar se ka ndihmuar liderin shqiptar për të përndjekur rivalët politikë.

Po ashtu në artikull thuhet se “Një aktakuzë e veçantë fokusohet në kontaktet e padeklaruara të McGonigal me Ramën dhe pretendimet se ai kryente shërbime me pagesë për shqiptarët. McGonigal akuzohet se ka marrë të paktën 225,000 dollarë nga një oficer shqiptar i inteligjencës dhe më pas ka kaluar informacion nga zyra e Ramës tek autoritetet amerikane. Ata nga ana e tyre hapën një hetim për një lobist me bazë në SHBA që punonte për opozitën shqiptare”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›