E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

SHBA shpall “non-grata” tre boshnjakë, mes tyre ish-shefi i shërbimeve sekrete: Kërcënuan paqen në Ballkan

Shtetet e Bashkuara sanksionuan duke shpallur “non grata” tre persona në Bosnjë-Hercegovinë, mes tyre dhe ish-shefi i shërbimeve sekrete, Osman Mehmedagiç, për “minimin e institucioneve demokratike dhe rrezikimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”.

Në deklaratën e nënsekretarit të Thesarit, Brian Nelson, tre personat “përbëjnë një kërcënim për stabilitetin rajonal, besimin institucional dhe aspiratat e atyre që kërkojnë qeverisje demokratike.”

Ish-kreu i Agjencisë së Sigurisë së Inteligjencës të Bosnjë-Hercegovinës, thuhet në deklaratë, “keqpërdori kompaninë shtetërore të telekomunikacionit për të përfituar Partinë e Veprimit Demokratik.”

Partia e Veprimit Demokratik përfaqëson kryesisht boshnjakët myslimanë dhe njihet me shkurtesën SDA, drejtohet nga Bakir Izetbegoviç, një ish-anëtar i presidencës trepalëshe të vendit.

“Mehmedagiç mblodhi të dhëna përmes përgjimit të telefonave ndaj politikanëve që nuk janë pjesë e SDA dhe përdori lidhjet e tij për t’i kërcënuar në mënyrë që të krijonte koalicionet që donte me partinë SDA”, thuhet në deklaratën e Therasit të SHBA.

Edhe Sekretari i Shtetit i SHBA Antony Blinken tha në një deklaratë se “ka gjithashtu informacion të besueshëm se Mehmedagic ka bashkëpunuar me rrjete kriminale për pasurim personal dhe partiak”, raporton Reuters.

Pjesë e të sanksionuarve është edhe Dragan Stankoviç, një toger i Milorad Dodik, president i Republika Srpska, entiteti i dominuar nga serbët e Bosnjës. Ai u sanksionua për promovimin e një ligji që synonte të “uzurponte” pronën shtetërore në kundërshtim me kushtetutën kombëtare, një vendim gjykate dhe një marrëveshje të vitit 1995 që i dha fund një lufte katërvjeçare.

Boshnjaku i tretë i shpallur “non grata” është Edin Gacanin, i akuzuar nga SHBA si i përfshirë në drejtimin e një karteli kriminal në trafikun e drogës, pastrim parash dhe lidhje me një grup krimi të sanksionuar nga SHBA.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›