E Shtunë, 31 Tetor 2026

Droga në shkolla, shqetëson prizrenasit

Përdorimi i drogës pranë dhe në objektet shkollore në komunën e Prizrenit është bërë brengë për policinë, prindërit dhe institucionet arsimore, sidomos pas njoftimeve nga policia se numri i nxënësve që përdorin drogën sivjet ka shënuar rritje, shkruan gazeta "Zëri".

”Policia është e shqetësuar me përdorimin e drogës në shkolla, aq më parë marrë parasysh të dhënat që konfirmojnë ekzistimin një grupi kriminal që po tenton që drogën ta fusë nëpër objekte shkollave”, ka thënë për mediat lokale, zëdhënësi i policisë rajonale, Hazir Berisha,ndërkohë që ka kërkuar nga mësimdhënësit e shkollave dhe qytetarët, që të bashkëpunojnë më shumë me policinë në luftimin e drogës.

Sipas tij, policia vazhdimisht viziton objektet e shkollave për të përcjellë dhe parandaluar përdorimin e drogës nga nxënësit, mirëpo në luftimin e kësaj të keqeje, duhet angzhimi përbashkët i mësimdhënësve, prindërve dhe policisë.

Policia e ka edhe sektorin e veçantë, që merret me edukimin e nxënësve në fusha të ndryshme të sigurisë, por megjithëkëtë, marrë parasysh rrezikun, kërkohet një angazhim dhe bashkëpunim i të gjithëve.

Sipas Reshit Kushaj, zyrtar në Drejtorinë komunale të Arsimit, në disa shkolla janë mbajtur edhe ligjërata të suksesshme, siç ishin ato kundër mbajtjes së armëve të ftohta, trafikimit etj. "Bashkëpunimi i policisë me sektorin e arsimit është i mirë, ndaj do të gjenden forma edhe për sensibilimin e të rinjve për rrezikun që sjellë përdorimi i drogës, ka thënë Kushaj.

Komuna e Prizrenit, me buxhetin e sivjetmë ka paraparë që të financojë projekte të OJQ-ve, sidomos atyre që janë themeluar dhe menaxhohen nga të rinjtë sepse ata më së shumti edhe mund të kontribuojnë në sensibilizimin e rinisë shkollore që të qëndrojnë larg kësaj të keqe, e cila rininë e dërgon në rrugë pa kthim./Indeksonline/  

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›