Droga nga Brazili, dosja në gjykatë
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka përfunduar dosjen ndaj Jamarbër Qinamit dhe Gjon Kolës, të akuzuar për trafikun e 10 kilogramëve kokainë nga Brazili në Shqipëri. Qinami është arrestuar nga policia, kur ka shkuar për të tërhequr nga posta dy pakot që brenda mbanin kokainë të fshehur nëpër reçipeta. Gjatë operacionit të koduar "Butik", policia ka identifikuar edhe pritësin e mallit, Gjon Kola. "Nga policia u bë i mundur sekuestrimi i dy pakove postare të dërguara nga Brazili, në të cilat ndodheshin veshmbathje, brenda të cilave ndodhej 10 kilogramë lëndë narkotike e llojit kokainë", tha prokuroria. Sipas grupit hetimor, pakot e bllokuara ishin të mbushura me komplete të brendshmesh për femra. Hetimet provojnë se pakot postare janë nisur nga Brazili nëpërmjet shërbimit postar, duke kaluar transit në Aeroportin Malpensa të Milanos. Po nga hetimet e kryera është vërtetuar se pritësi i kësaj sasie ishte shtetasi Gjon Nikollë Kola, 40 vjeç, lindur në Pukë dhe banues në Tiranë, ish-punonjës i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. "Ushtari" i tij ishte Jamarbër Qinami, gjithashtu një ish-punonjës policie.