E Diel, 1 Nëntor 2026

Nënë e bir plagosen me njëri-tjetrin

Nënë e bir kanë mbetur të plagosur rëndë, pas një zënke në banesën e tyre. Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 16:30 në një apartament në Rrugën e Elbasanit. Policia, e cila transportoi menjëherë për në spital të plagosurit, tha se nënë e bir ishin të plagosur në pjesët e barkut disa herë me thikë. Në banesë ishin vetëm të plagosurit, të cilët nuk mund të shpjegonin ngjarjen për shkak të gjendjes shëndetësore të tyre. Katerina Mejdani, 50 vjeç dhe Agron Mejdani, 30 vjeç, janë dërguar për të marrë ndihmë mjekësore në Spitalin Ushtarak, në gjendje të rëndë shëndetësore. Policia e Tiranës tha pasditen e djeshme se, në bazë të dëshmive të fqinjëve, por edhe të pjesëtarëve të familjes Mejdani, ka ringritur ngjarjen. Është arritur në përfundimin se nënë e bir kanë qenë të vetëm në apartament dhe midis tyre ka lindur një debat. Debati ka degraduar në fjalë ofenduese. Policia ende nuk ka përcaktuar se si kanë mundur të plagosen të dy "protagonistët" me thikë, ndërsa në orët e pasdites, oficerët e policisë kanë tentuar të rimarrin në pyetje Agron dhe Katerina Mejdanin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›