E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drogat online

Përhapen në internet drogat me ultratinguj, doza që riprodhojnë efektet e lëndëve narkotike

Alarmi i drogave online ka përfshirë Evropën, me ultratinguj përmes internetit. Janë valë tingujsh nga 3 deri në 30 hertz, frekuenca që veprojnë në trurin e njeriut dhe mund të shkaktojnë reagime nga më të ndryshmet, duke rritur në mënyrë intensive aktivitetin cerebral, në mënyrë të ngjashme me veprimin e drogave. Mjafton të lidhesh me faqen e duhur të internetit, për të shkarkuar fajlet që dëshiron dhe mund të përfitosh sekuenca tingullore me emrat e njohur tashmë si: marihuana, kokaina, alkooli, ekstazi etj. Siç raporton e përditshmja italiane “Corriere della serra”, prej kohësh agjentët sekretë po monitorojnë këtë fenomen, i cili pritet të zgjerohet edhe më shumë në të ardhmen, ashtu siç ka ndodhur në vendet e tjera të Evropës dhe numëron tashmë miliona të apasionuar që diskutojnë nëpërmjet rrjetit, shkëmbejnë përshtypjet dhe madje këshillohen për modalitetet dhe teknikat e marrjes së “Cyber-drogave”. Natyrisht që dinamika komerciale që qëndron prapa këtij fenomeni nuk ia kalon tregut tradicional të lëndëve narkotike. Fillimisht nis me ofertat falas, më pas kalohet tek pagesat. Ekziston një shoqëri, e cila ofron në faqen e saj të internetit një lektor të vërtetë audioje, që shpjegon sesi funksionojnë “dozat online”. Doza që, përveç të tjerash, mund të “vidhen” lehtësisht nëpërmjet kërkimit në “Google”. Ka uebsajte të cilët ofrojnë linqe me arkiva të tëra që mund të shkarkohen lehtësisht. Pak klikime, dhe mund të kesh në kompjuterin tënd qindra doza të kataloguara në mënyrë të kujdesshme sipas emrave të substancave, të cilave iu riprodhojnë efektin. Në internet gjenden edhe guida praktike për përdorimin e këtyre dozave. Ndërsa uebsajti i famshëm “YouTube” është i mbushur me video që ilustrojnë efektet e këtyre drogave te konsumatorët e rinj.

Principi “ultratinguj”

Valët e tingujve nga 3 deri në 30 hertz, pra ultratingujt ose frekuencat me të cilat punon truri njerëzor, janë të afta të shkaktojnë reagime nga të ndryshmet, duke rritur në mënyrë intensive aktivitetin cerebral. P.sh., valët “Alfa” që arrijnë nga 7 deri në 13 hertz kanë një efekt relaksues, por ka dhe të tjera që shkaktojnë efektin e kundërt, pra eufori ose eksitim. “Mjafton futja e këtyre ultratingujve që veshi njerëzor nuk i percepton, brenda një melodie muzikore, dhe loja mbaron”, - shpjegon koloneli Umberto Rapetto i Guardia di Finanza. Sipas tij, përdorimi i këtyre drogave nuk është i panjohur për policinë. Në shumë vende ato përdoren nëpër diskoteka për të qetësuar të rinjtë e nervozuar. Madje, përdorimi i tyre është i dokumentuar historikisht nëpër kampet ushtarake. Por Rapetto paralajmëron se përhapja e këtyre drogave me ultratinguj është shumë e madhe dhe vazhdon të rritet, pasi ndryshe nga përdorimi i substancave tradicionale, kjo është një praktikë më e thjeshtë, kushton më pak (nga 5 deri në 10 euro për një dozë) dhe nuk konsumohet, pra mund të përdoret sa herë të duash. Specialistët tani po studiojnë efektet negative për të kuptuar, nëse me drogat online ndodh i njëjti efekt me ato tradicionale, pra krijimin e varësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›