Më mirë gay, se i moshuar

Qytetarët e Bashkimit Evropian preferojnë të zgjedhin më mirë një lider homoseksual, sesa një të moshuar, edhe pse me eksperiencë. Kështu të paktën tregon një studim i publikuar dje në Bruksel, sipas të cilit, një politikan gay ka më shumë shanse sesa një pensionist për t’u zgjedhur në Evropë. Studimi eurobarometër i 27 mijë qytetarëve përmes bllokut, tregoi se vetëm 17 për qind e evropianëve ndjehen totalisht rehat me zgjedhjen e një personi mbi 75 vjeç në postin më të lartë të vendit. Shifra është më pak se gjysma e 36 përqindëshit që ndihen mirë me një lider homoseksual, dhe shumë më pak se ata që preferojnë një lider nga minoritetet (26 për qind) apo nga një fe tjetër (30 për qind). Madje, shifra prej 17 për qindësh është thelbësisht më e ulët sesa numri i atyre që përkrahin idenë një lideri kombëtar më të ri se 30 vjeç, një ide e cila gjen mbështetje nga një në 4 evropianë të pyetur gjatë studimit. Nga të gjithë liderët politikë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, vetëm presidenti i Greqisë, Karolos Papaulias (79 vjeç), Valdas Adamkus i Lituanisë (81 vjeç) dhe Xhorxho Napolitano i Italisë (83 vjeç) janë mbi moshën 75-vjeçare. Asnjë prej kryeministrave aktualë të bllokut nuk e thyen barrierën e moshës. Madje, edhe në vende me kryetarë më të vjetër shtetesh, një proporcion i vogël tha se do të ndjehej mirë me një lider mbi moshën 75-vjeçare. Nga të gjithë vendet e anketuar, Britania dhe Polonia shënuan elektoratin më dashamirës për sa i përket moshës së vjetër, ku çereku i njerëzve thanë se ndihen plotësisht rehat me idenë e një lideri të moshuar.