Rusmali: Ndryshimet prekin pothuajse gjithë Kodin

Bashkëkryetari Rusmali thotë për “Korrierin”, se teknikisht ndryshimi i Kodit Zgjedhor është i realizueshëm brenda një kohe shumë të shkurtër. Ai thotë se afati njëmujor i lënë nga Kuvendi për realizimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor është më se i mjaftueshëm. Sipas deputetit Rusmali, i cili ka përfaqësuar gjithnjë Partinë Demokratike në etapat e reformës zgjedhore, e vetmja vonesë e vogël që mund të shkaktohet, është ajo e diskutimeve mes forcave politike. “Është lënë një afat kohor prej një muaji dhe teknikisht është më se e realizueshme. Pjesa dërrmuese është redaktim, që do të thotë se mund të ulesh dhe për tri ditë të dalësh në krye. Por duhet të kemi parasysh, se do të ketë edhe diskutime mes palëve politike”, thotë Rusmali, duke shtuar se kjo është e vetmja arsye që mund të “vonojë” paksa punën për ndryshimin e Kodit. Duke folur për çështjen e neneve që do të pësojnë ndryshime, si pasojë e ndryshimit të sistemit zgjedhor, ish-ministri i Drejtësisë thotë se Kodi do të pësojë një korrektim të përgjithshëm, kryesisht tek përcaktimet e termave. “Ndryshimet do të prekin shumicën dërrmuese të dispozitave të Kodit aktual Zgjedhor. Për shembull, ne kalojmë nga një sistem me dy fleta votimi, në një sistem me një fletë. Kjo do të thotë që duhet të ndryshohet i gjithë kapitulli për votimin, po ashtu dhe gjithë kapitulli për numërimin e votave. Do të ndryshojë edhe ai për kandidatët, duke qenë se tashmë do të votohet vetëm për subjektin politik etj.”, thotë Rusmali. Ndërkohë, ngritja e Komisionit për Kodin Zgjedhor është miratuar nga Parlamenti në seancën e së hënës së shkuar. Tashmë pritet vetëm nisja e punimeve, ku Partia Socialiste ka deklaruar se ka një draft për ndryshimin e Kodit, ndërsa Partia Demokratike ka deklaruar se do të bëjë propozimet e saj, duke mos e shmangur mundësinë e paraqitjes së një drafti nga ana e saj. Nga ana tjetër, disa parti të vogla të mazhorancës, por edhe të opozitës, kanë kërkuar që gjatë ndryshimeve në Kodin Zgjedhor të përcaktohet edhe mënyra e votimit të emigrantëve në vendet ku ata jetojnë. Ndërkohë, shumica e partive parlamentare kanë kërkuar që ndryshimi i Kodit Zgjedhor të bëhet brenda këtij sesioni parlamentar, edhe pse tashmë pritet që të ketë shumë diskutime për përcaktimin e termave të sistemit të ri zgjedhor.