E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matematikë dorëlëshuara

Ashtu sikurse në letërsi, shkollat e kryeqytetit nuk zhgënjejnë as në matematikë. Një numër jo i vogël 10-ash dhe notash të tjera të larta, të rrëmbyera nga nxënësit e disa prej gjimnazeve më në zë të Tiranës

TIRANË - Gaz dhe lot dje në gjimnazet e kryeqytetit pas afishimit të përgjigjeve të testit të matematikës. Rezultatet në përgjithësi kanë qenë të kënaqshme dhe këtë e pohojnë vetë maturantët dhe mësuesit, të cilët nuk ngurrojnë të deklarojnë se ka pasur edhe diferencime pozitive notash nga ato të marra gjatë vitit shkollor. Të paktë kanë qenë ata që kanë shfryrë të pakënaqur nga rezultatet e marra. Nga një sondazh i zhvilluar në tre nga gjimnazet më në zë të Tiranës, për sa i përket nivelit të nxënësve, vihet re një luhatje e nivelit të notave të provimit të matematikës nga ai i një viti më parë. Kështu, në shkollën e mesme “Petro Nini Luarasi”, nga 419 maturantë pjesëmarrës në testimin e matematikës, u vlerësuan me notën dhjetë 6 maturantë, ndërsa vetëm 3 prej tyre morën nota jokaluese. Të gjithë nxënësit e viteve të katërta morën pjesë në provimin e matematikës, pasi asnjëri prej tyre nuk ngeli në ndonjë lëndë në fund të semestrit. Ndërkaq, vjet, në testin e matematikës të Maturës Shtetërore 2007, 8 nxënës të kësaj shkolle u vlerësuan me notën dhjetë dhe rezultuan jokalues 7 prej tyre. Drejtoresha e këtij gjimnazi, Diana Kalemi, u shpreh se mesatarja e nxënësve të “Petro Nini Luarasit” këtë vit ka qenë më e lartë, ndaj rrjedhimisht maturantët meritonin më shumë se vjet. Në një tjetër shkollë, pikërisht tek “Qemal Stafa” morën pjesë në provim 297 maturantë. 18 nxënës nga kjo shkollë u vlerësuan me notën dhjetë, ndërsa ngelës rezultoi vetëm një. Sipas koordinatores së shkollës “Qemal Stafa”, Shpresa Beja, këtë vit numri i dhjetave ka qenë më i ulët se ai i një viti më parë, kur u morën 22 dhjeta dhe vetëm një katër, por këtë e rikuperon numri i madh i nëntave që janë marrë këtë vit. Në provim nuk morën pjesë 4 nxënës, që rezultonin mbetës që gjatë vitit shkollor. Mesatarja e përgjithshme e “Qemal Stafës” për këtë vit është 7.5 dhe nuk ka luhatje nga ajo e një viti më parë. Për të vijuar më tej, në shkollën e mesme “Sami Frashëri” kanë marrë pjesë në provim 297 maturantë, ku 21 prej tyre rrëmbyen notën dhjetë, ndërsa vetëm njëri u vlerësua me notën negative. Po kështu, nuk morën pjesë fare në testim 22 maturantë, të cilët duke rezultuar mbetës nuk mund ta jepnin provimin e matematikës në një datë me të tjerët.

2944 maturantë mbetës

Nga 31 mijë e 959 maturantë që u testuan në këtë provim, vetëm 8 prej tyre arritën të merrnin pikët maksimale, 2097 të tjerë u vlerësuan me notat nëntë dhe dhjetë, prej të cilëve vetëm 535 nxënës kanë marrë dhjetë. Kalueshmëria në shkallë vendi është 89.11 për qind. Nga 31 959 maturantë që morën pjesë në testin e matematikës, 19 015 nxënës, apo 69.60 për qind e numrit total kanë marrë nota të nivelit pesë dhe gjashtë. Ndërsa nota të nivelit shtatë dhe tetë kanë marrë gjithsej 7368 nxënës, ose 23.06 për qind e numrit total. Kanë arritur të marrin nota të larta, nëntë dhe dhjetë vetëm 2097 nxënës, pra 6.56 për qind e totalit të maturantëve pjesëmarrës. Ndërsa me notën maksimale dhjetë u vlerësuan 535 nxënës. Nga të gjithë maturantët pjesëmarrës në provimin e matematikës, vetëm 8 prej tyre kanë arritur të rrëmbejnë pikët maksimale të testit, pra 50 pikë. Nga një përllogaritje e thjeshtë, rezulton se në shkallë vendi kanë marrë notë jokaluese 2944 nxënës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›