Drogat po shkaktojnë shumë aksidente, Brataj: Shqetësim i madh janë drogat sintetike

Aksidentet rrugore nuk kanë më si shqetësim kryesor pijet alkolike, por përdorimin e substancave narkotike, sidomos ato sintetike.
Për Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, emergjencat burojnë më shumë nga evente të mëdha muzikore, ku këto lëndë konsumohen më shumë e ku në delir individët guxojnë të drejtojnë automjete.
“Ka një gjë shumë negative, sidomos në sistemin nervor qendror. Pra personi që i përdor nuk është më në realitet dhe ju kujtohet aksidenti te sheshi ‘Skënderbej’. halucinogjenët të çojnë në konfuzion, delir, në dalje nga realiteti. Imagjinoni një person të tillë në makinë. Mund t’i duket mali si det apo si rrugë dhe mund ta bëjë aksidentin në çdo moment,” thotë drejtori i përgjithshëm i Qendrës, Skënder Brataj.
Duke qenë se festimet janë të pashmangshme, Brataj sjell eksperiencën e vendit ku ka punuar për ta parandaluar këto ngjarje
“Në këto qendra, Policia ose organet e tjera ishin afër tyre. Mos prit që të vijë në qytet që ta ndalosh se ka pirë, por që në nisje, sepse nuk është qëllimi të vëmë gjoba. Qëllimi është parandalimi, se nuk rrezikojnë vetëm jetën e tyre. Ata janë një bombë për të tjerët,” deklaron z. Brataj.
Drogat sintetike nuk kanë kanë si bazë bimët mjekësore, por ato medikamentoze, të cilat prodhohen në laborator në mënyra të ndryshme dhe me përbërës artificialë, duke shkatërruar sistemin nervor qendror.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh.al/