Drogë Lazarati, kapet efektivi i Ministrisë

Droga e sekuestruar e efektivit të Ministrisë së Brendshme
Policia e Gjirokastrës zbuloi dje trafikun e drogës mes një efektivi të Repartit të Sigurisë së Brendshme dhe Ceremonialeve në Tiranë dhe rrjetit të trafikut në Lazarat.Mësohet se 75 kg marijuanë u zbuluan në bagazhin e makinës së drejtuar nga punonjësi i Ministrisë së Brendshme, Ervin Hysaj, i cili u arrestua nga kolegët e tij. Burime të Policisë bënë të ditur se lënda u sekuestrua gjatë një kontrolli të ushtruar në orët e para të së dielës, në postbllokun policor në dalje të qytetit të Gjirokastrës. Efektivi i Policisë së Shtetit, Ervin Hysaj, 30 vjeç nga Ndroqi i Tiranës, duke përfituar nga uniforma, fillimisht nuk ka qenë bashkëpunues me kolegët e tij të Gjirokastrës për një kontroll fizik në bagazhin e automjetit. Ai ka tentuar të tregojë fillimisht kartat që tregonin edhe vendin e tij të punës, por Policia e cila kishte të dhëna të sigurta në rrugë operative për prezencën e lëndës narkotike në mjet, ka këmbëngulur për një kontroll. Kanë qenë specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër ata që diktuan itinerarin e kolegut të tyre me detyrë inspektor në Repartin e Sigurisë së Brendshme dhe Ceremonialeve në kryeqytet. Droga do të transportohej nga fshati Lazarat, me destinacion Tiranën, bëri të ditur Policia.
Të njëjtat burime thanë se lëvizjet e punonjësit të policisë me automjetin e tij tip AUDI Q7, kanë qenë të vëzhguara në të gjitha drejtimet dhe, jo pa qëllim u la të kapej në pjesën dalëse të Gjirokastrës.
Nga kontrolli i ushtruar në automjetin e Hysës, me targa TR 42 20 T, rezultoi se në bagazhin e tij ndodheshin nëntë pako të mëdha me marijuanë, të cilat ishin të mbështjella në formë katrore me letër ngjitëse ngjyrë kafe. Pesha e tyre ka qenë jo e njëjtë për të gjitha. Në prezencë të efektivit të Policisë së Shtetit, blutë e Gjirokastrës kanë vijuar kontrollin e mëtejshëm dhe, në vendin ku mbahet goma rezervë, konstatuan dy pako të tjera me madhësi të ndryshme, po të mbështjella me ngjitëse ngjyrë kafe. Në fund, pesha totale e lëndës narkotike të sekuestruar ishte 75 kg. Në përfundim të veprimeve fillestare hetimore dhe procedurale të ndërmarra nga specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së qarkut, rezultoi se ky shtetas, marijuanën e kishte blerë në Lazarat dhe drejtimi i saj ishte kryeqyteti. Në cilësinë e provës materiale policia ka sekuestruar marijuanën prej 75 kg, si dhe automjetin që e transportonte lëndën narkotike. Specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve në Policinë Rajonale, në bashkëpunim me Prokurorinë e Gjirokastrës përfshirë edhe homologët e kryeqytetit, po punojnë intensivisht për të zbardhur plotësisht trafikun e lëndëve narkotike nga Lazarati në kryeqytet.
Blutë çarmatosin kolegun nga Tirana
Policia e Gjirokastrës, krahas këtyre veprimeve të kryera në vend ku u sekuestrua lënda narkotike dhe mjeti, ka çarmatosur efektivin policor të Tiranës, duke i marrë edhe pistoletën të tipit Beretta. Ai u akuzua për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike. Ngjarja e djeshme e çon në 13-të numrin e rasteve ku policia e Gjirokastrës identifikon dhe sekuestron lëndë narkotike në territorin e saj, gjatë 5 muajve të fundit. Ndërkohë që në sasi totale, 2 tonë është marijuana e sekuestruar brenda këtij viti nga efektivat e Gjirokastrës. Burime të policisë bënë të ditur se efektivi i Tiranës kishte qenë në survejim prej disa kohësh. Të dhënat e siguruara në rrugë operative e kishin vënë atë në qendër të hetimit, për një trafik të lëndës narkotike nga Lazarati për në kryeqytet. Burimet nuk dhanë detaje në lidhje me dëshminë e kolegut të tyre në policinë e Gjirokastrës.
GJIROKASTER/ PIRO NASE