Drogë dhe domate në serat e Shetelit
DURRËS/ Sulejman Hysa dhe Fiqerete Tuda janë prangosur pasi në serat e tyre të domateve kishin mbjellë dhe kanabis
Policia kishte marrë informacion në rrugë operative dhe kreu kontrolle në banesat e tyre gjatë ditëve të fundjavës
DURRËS - Serat shfrytëzohen edhe për mbjelljen e bimëve narkotike, përveçse për perimet. Njoftimet e policisë bëjnë të ditur se krahas goditjeve që u është dhënë kultivuesve të bimëve narkotike, është sofistikuar edhe shkalla e dinakërisë për ta mbuluar kultivimin e tyre nën etiketa te tjera.
Kështu, një 76-vjeçar nga një fshat i thellë i zonës së Shijakut është arrestuar pasi në serën e tij, krahas domateve të mbjella, kishte renditur edhe 3 rrënjë bimë narkotike, të cilat ka menduar se do t'i shpëtonin kontrolleve. Por ato nuk i kanë shpëtuar bluve, që kanë arrestuar 76-vjecarin Sulejman Hysa.
Të njëjtën gjë ka bërë edhe një grua, e cila ka shfrytëzuar përvojën e 76-vjeçarit për të mbjellë pesë rrënjë kanabis në serën e saj dhe kjo tentativë e ka çuar edhe 47-vjeçaren në arrest si e dyshuar për kultivuese bimësh narkotike.
Kur ka parë makinat e policisë të hyjnë në fshat, ajo ka dyshuar dhe i ka shkulur bimët narkotike që kishte të mbjella në serë në një radhë me domatet.
Më pas, për të mos i dëmtuar, pasi bima ka pasur një fazë zhvillimi të avancuar, ajo i ka fshehur në magazinat e vjehrrit të vet që nuk ndodhej aty.
Kur punonjësit e policisë, të cilët kishin informacion, kanë hyrë në serë dhe kanë parë vendet nga ku ishin shkulur rrënjët e bimëve narkotike, kanë kërkuar dhe më pas gjetur vendin e fshehjes së tyre.
Policia
Policia ka bërë të ditur se në bazë të informacioneve të grumbulluara në rrugë operative janë bërë dy kontrolle në fshatin Shetel të Shijakut. Sipas bluve, "në bazë të masave të marra në drejtim të luftës kundër kultivimit të bimëve narkotike, nga bashkëpunimi i Seksionit Kundër Narkotikeve në DPQ Durrës me Komisariatin e Policisë Shijak, me datë 19.06.2010, ora 16:00, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: Sulejman Hysa, 76 vjeç, lindur e banues në Shetel Durrës.
Arrestimi i tij u be për arsye se të shtunën, gjatë kontrollit të ushtruar në serën e kultivimit të domateve të ndodhur pranë banesës së këtij shtetasi, u konstatuan 3 bimë me gjatësi nga 190 - 210 cm, me karakteristika të njëjta me ato të bimës narkotike kanabis sativa".
Policia bën të ditur se të njëjtin fat ka pasur edhe 47-vjeçarja Fiqerete Tuda, banuese në të njëjtin fshat. Në serën e saj të domateve janë zbuluar 5 bimë me gjatësi 190 cm, të cilat janë shkulur prej saj sapo ka parë punonjësit e policisë të hyjnë në fshat e më pas i ka fshehur në magazinën e vjehrrit të vet, pa dijeninë e tij.