E Shtunë, 31 Tetor 2026

Artisti shqiptar në kuvli

Regjisori Altin Basha prezanton sonte në Bienalen e Mainzit shfaqjen "Allegretto Albania" të Stefan Çapalikut.


Ballafaqime si këto ngrenë pyetjen: a është artisti shqiptar bashkëkohës me zhvillimet evropiane të artit apo vazhdon të jetë i izoluar dhe nuk e njeh konkurrencën


Sonte, ora 19.30 në Teatrin Shtetëror të Mainzit shfaqet drama "Allegretto Albania" e regjisorit Altin Basha, me autor Stefan Çapaliku. Prezantimi në Bienalen e Teatrit mbahet më 17-27 qershor në dy qytete në Visbaden dhe Mainz, pak muaj pasi Teatri Kombëtar nënshkroi Konventën Evropiane të Teatrit.


Aktorët Mirush Kabashi, Olta Daku, Xhejni Fama, Gazmend Paja, Ahmet Pasha, Vasjan Lami dhe Klea Rondo interpretojnë shqip sonte dhe nesër në skenën e Mainzit, që për dhjetë ditë pret shfaqje bashkëkohore nga e gjithë Evropa.


Prezantimet e pakta në Perëndim të teatri shqiptar ngrenë pyetje për kushtet e izolimit të artistit dhe distancës nga zhvillimet e sotme të teatrit. Në këto kushte ky tip artisti beson se teatri që ai prodhon është më i miri.


Regjisori Altin Basha gjatë vitit '94-'95, njohu një përvojë teatrore në Akademinë Amerikano-Britanike të Dramës, rezultat i së cilës ishin shfaqjet që ai i ofroi publikut dikur me kompaninë "Oaz":


"Dashuri në furgon", "Keq e më keq", Nata e dymbëdhjetë", "Çifti i shqyer", "Monologët e vaginës", të cilat në njëfarë mënyre provokuan publikun për problematika të ndryshme sociale dhe kishin brenda vetes eksperimente teatrore, kërkime në fushën e teatrit.


Basha niset nga kjo eksperiencë dhe ajo e mëvonshme për të komentuar kushtet e teatrit të sotëm, me një teknikë për ibret, i izoluar nga bota dhe që nuk përkrah te rënë.


Çfarë rëndësie ka prezantimi i "Allegretto Albania" në një festival si ai i Visbadenit?


Festivali që zhvillohet në qytetet e Visbadenit dhe Mainzit, është një nga më të rëndësishmit e teatri bashkëkohor në Evropë. Shqipëria merr pjesë për herë të parë dhe një nga kushtet e festivalit është që pjesa të jetë autentike, e pashfaqur në festivale të tjerë.


jesa u pa nga një selektor i festivalit, pasi Teatri Kombëtar i bëri prezantimin.
Për autorët e pjesës, për mua, Stefan Çapalikun, për stafin e aktorëve dhe të realizuesve është një sukses i madh sepse është pjesëmarrja më serioze që kemi bërë gjatë karrierës sonë. Jemi në pritje të impaktit që pjesa do të ketë për publikun e huaj. Janë marrë masat që publiku të ketë një perceptim të plotë të shfaqjes.


Pjesa është përkthyer në gjermanisht, do t'i flitet publikut me dëgjues "live" nga përkthyesi. Jemi të kënaqur që është shfaqur interes i madh nga shqiptarët që jetojnë në Gjermani. Është parashikuar një prezantim përpara shfaqjes nga autori dhe nga unë. Pas kësaj bëhet një diskutim i hapur me publikun.


Për çfarë ndihmojnë marrëveshje të tilla që Teatri Kombëtar nënshkruan me struktura të huaja?


Një nga handikapët më të mëdhenj të teatrit shqiptar është mungesa e komunikimit me botën. Ka një perceptim të gabuar: çdo lëvizje jashtë Shqipërie e teatrit konsiderohet si dalje jashtë shtetit, dhe kjo shikohet si një lloj zilie nga institucionet që kanë për detyrim t'i financojnë këto lëvizje.


Meqë kemi mungesë të thellë kontakti, teatri që prodhohet konsiderohet si më i miri i mundshëm dhe ata njerëz që tentojnë ta lëvizin estetikisht, performancat apo shfaqjet e tyre konsiderohet si ekzibicione formaliste.


Në këtë kuptim azhornimi me ndryshimet që ka pësuar teatri, me nevojat e reja që ai ka, do ta vinte atë në një vijë më komunikuese megjithë produksionet e tij.


Që teatri të futet në korrentet e zhvillimet e reja, nga duhet nisur?

Ky lloj komunikimi nuk bëhet me email, por bëhet live. Pjesëmarrjet nëpër festivale dhe lëvizjet e trupave janë të vogla por sjell një lloj gjallërimi anëtarësimi i Shqipërisë në European Theatre Convention, sepse ai është një institucion i cili me një kuotë relativisht të vogël i servir teatrit informacion të mjaftueshëm dhe krijon kushte për pjesëmarrje


Turneu i Teatrit Kombëtar në Visbaden financohet pikërisht nga kjo Konventë, kushton rreth 25.000 euro.


Lëvizja e trupës dhe shpenzimet merren përsipër nga organizatorët. Mbetet punë për të bërë që të vetëdijësohen institucionet që nëse duam një teatër të zhvilluar, duhet të japim edhe terrenin e duhur, brenda dhe jashtë Shqipërisë.


Akoma kemi një teatër shtetëror të financuar pothuajse njësoj si para viteve '90. Është bërë tri herë ligji i teatrit, nuk është aplikuar.


Tani ka marrë drejtim krejtësisht të gabuar me ligjin "Për Artin" i cili ia heq ekskluzivitetin e buxhetit Ministrisë së Kulturës dhe ia jep një institucioni të ri, pra krijohet një Ministri e Re Kulture.


Për ligjin e ri nuk ka asnjë informacion publik. Është vazhdim i traditës së bërjes së gjërave fshehurazi në fushën e artit në Shqipëri. Kjo nuk është e drejtë.


Kemi ndër të tjera problemin e edukimit. Mes Akademisë së Arteve që prodhon artistë dhe Teatrit Kombëtar nuk ekziston asnjë bashkëpunim. Nuk jepen bursa për studime jashtë Shqipërisë, gjë për të cilën unë shpesh kam ngritur zërin.


Tjetër problem për ata që prodhojnë teatër është që nuk kanë asnjë lloj mekanizmi që të menaxhojë shfaqje. Kualiteti i punës sonë humbet rrugës sepse duhet të mendosh për menaxhimin, gjetjen e parave edhe për ndjekjen e përditshme të prodhimit të shfaqjes teatrore. Të gjitha këto janë energji të humbura që i japin kosto kualitetit artistik të shfaqjes.


Sezoni i TK që po lëmë pas dha një rezultat të ulët. Ju çfarë keni vënë re?


Nga Teatri Kombëtar në fakt pritet gjithçka: që të ndihmojë dramën shqipe, të punësojë të rinj, të bëjë festivale, të sjellë ajkën e dramaturgjisë botërore. Kjo ndodh sepse sistemi është i drejtuar drejt një logjike piramidale.

Cilido teatër kombëtar në botë, aq më tepër shqiptari i cili nuk ka buxhetin e mjaftueshëm, nuk mund t'i bëjë këto të gjitha. Fokusi ka mbetur vetëm atje, edhe i mediave, edhe i artistëve, edhe i kritikës.


Nëse do të kishim alternativa, do të ishim në gjendje ta gjykonim mbi pika reference kualitetin e Teatrit Kombëtar: a ka vlera ky teatër apo jo, a ka aktorë, regjisorë dhe repertor të mirë.


Unë padyshim jam i idesë që TK i duhet kërkuar rritja e cilësisë, por nga ana tjetër mos të presim maksimumin sepse është një institucion i cili nuk ka asnjë kapacitet teknik. Ndriçimin, foninë i ka absolutisht të vjetruara, rrotativa dhe shtangetat funksionojnë shumë keq, dhomat e aktorëve janë krejtësisht ta papërshtatshme, ngrohja dhe ftohja nuk janë cilësore.


Kur hyjmë tek problemet e TK, këtu e gjithë kritika ngec sepse askush nuk është në gjendje që t'i japë 1 miliard lekë Teatrit Kombëtar që t'i rinovojë të gjitha këto. Por, ama kërkesa është sikur Teatri Kombëtar të jetë një teatër në qendër të Parisit. Në këtë kuptim, ka një kontradiktë.


Duket se është krijuar në Tiranë një prurje alternative nga një teatër shtetëror: ky është teatri i bashkisë, Teatri i Metropolit.


Teatri i Metropolit është dëshmi e fuqisë së teatrit alternativ. Pavarësisht çdo lloj paragjykimi apo dyshimi në cilësinë e shfaqjeve, është alternativa më e fortë ndaj Teatrit Kombëtar. Atje paratë shkojnë jo për rroga, as për shpenzime administrative, shkojnë për të prodhuar shfaqje.

Në TM ka më shumë shfaqje se në TK brenda një viti. Kjo tregon që mekanizmi i shpenzimit të parave shpesh është i gabuar. Teatri i Metropolit ka bërë të kundërtën dhe për këtë shkak funksionon. Këtë kanë bërë edhe kompanitë e pavarura dikur si "Oazi", "Princi i Vogël", "Publimedia", "Teatri Po", "Atelie 31", "Imazh".


Nëse fondet nuk shkojnë për të mbajtur në punë aktorë për 20, 30 vjet, por për të paguar aktorët që punojnë, atëherë mund të kemi aktivizim të madh të një skene modeste sa skena e Teatrit të Metropolit; atëherë kemi mundësinë të shohim alternativa të reja të cilat do ta vënë Teatrin Kombëtar nën presion. Ndryshimin që presim të gjithë në TK do ta nxitë konkurrenca.



Çfarë i kanë sjellë teatrit regjisorët e huaj të angazhuar në projekte shqiptare?


Meqenëse kemi vështirësi të mëdha për të lëvizur jashtë Shqipërisë, një nga mënyrat është prurja e ekspertëve nga jashtë. Mbivlerësimi i tyre nuk është gjithmonë gjë e mirë. Kemi specialistë të mirë të teatrit në Shqipëri, aktorë dhe regjisorë të rinj që dinë se ç'ndodh në botë.


Mund t'u jepet më tepër besim. Ndoshta po aq besim sa u jepet regjisorëve të huaj, sepse po t'i merrni nga pikëpamja e projekteve, regjisorët e huaj e shpenzojnë më shumë se regjisorët shqiptarë.


Tashmë, fryma e teatrit në botë është të shkohet drejt një teatri global, që komunikon me të gjitha mjetet, jo vetëm me fjalën. Ky është problemi më i madh i Teatrit Kombëtar që unë e përmenda: nuk është vetëm fjala, është edhe dialogu, imazhi, performanca, përzierja e arteve në nji shfaqje teatrore. Francezët iu janë drejtuar shumë elementëve të cirkut, italianët kanë teatrin e tregimit. Shkolla ka nevojë për komunikime të kësaj natyre.


Mendoj që zgjedhjet e regjisorëve duhet të jenë një eksperiencë e re për teatrin dhe jo gjëra të njohura, qoftë në stilin e interpretimit, qoftë në atë që quhet vizion regjisorial.


Sa e dëmton teatrin, e sidomos të rinjtë, mungesa e literaturës në shqip?


Ka pak përkthime në shqip dhe për fat të keq, shumë pak studentë që njohin gjuhë të huaja. Me sa duket kjo është një fushë ku nuk do të ketë përkthime për një kohë të gjatë. Përkthimet kushtojnë, botimi kushton dhe nuk ka treg për t'u shitur. Komuniteti ynë është një komunitet mjaft i vogël, me të cilin nuk mendoj se mund të bëhet biznes.


Një iniciativë që ka nisur mendoj se duhet të stimulohet që të ketë përkthime të veprave të dramaturgjisë kontemporane dhe sigurisht të literaturës teorike profesionale. Megjithatë, mbetem i idesë që përtej çdo leximi ka nevojë për kontakt direkt. Sigurisht asnjë nga këto që folëm nuk ndodh: as përkthimi, as kontakti direkt, as bashkëprodhimet.


Nga përvoja si pedagog, a ka kapacitet Akademia e Arteve për ta furnizuar teatrin me forca të reja?


Për mendimin tim, Teatri Kombëtar duhet të stopojë së marri njerëz në punë. Njerëzit duhet të merren në punë me kontrata të përkohshme në bazë projektesh. Kjo do t'i krijojë më shumë mundësinë aktorëve të rinj për t'u aktivizuar me kontrata të përkohshme. Ideja e punësimit të përkohshëm krijon premisa për një konkurrencë më të fortë.


Akademia reflekton krizën e madhe të institucioneve të kulturës në Shqipëri. Megjithatë ka studentë cilësorë, individë të talentuar. Sikur një individ në vit ta nxjerrë Akademia, të aftë dhe të zotë, e kryen funksionin e saj.


E rëndësishme është të krijohet ura e Teatrit Kombëtar me Akademinë e Arteve. Ka një iniciativë të cilën e mbështes me entuziazëm që AA t'i akordohet një buxhet për të forcuar teatrin e saj, sepse aty ka vërtet produksione cilësore nga studentë të diplomuar.


Diplomat e studentëve të regjisë apo të dramës mendoj se janë produkte po aq cilësore sa ç'janë produktet e Teatrit Metropol apo Teatrit Kombëtar. Tani mesa di unë, po bëhet një hap pozitiv, do të kemi shumë shpejt një qendër të re të artit dhe të teatrit në Akademinë e Arteve.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›