E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku, heroina nga Librazhdi në Greqi

Prokuroria mbylli hetimin për grupin e trafikimit të drogës "Oktapodi". Droga vinte nga Maqedonia dhe përpunohej në Kutërman të Librazhdit


Për këtë dosje akuzohen katër persona, mes të cilëve një ish- oficer që kryente rolin e transportuesit në Shqipëri


TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda në kryeqytet, mbylli hetimet dhe dorëzoi pranë togave të zeza dosjen penale në ngarkim të tre personave nga fshati Kutërman i Librazhdit dhe një oficeri të Flotës Detare të Veriut, të akuzuar për trafikim të lëndëve narkotike në kuadër të organizatës kriminale.


Të akuzuarit u arrestuan në muajin maj të vitit 2009, gjatë operacionit "Oktapodi", kur iu bllokuan dhe iu sekuestrua në flagrancë një sasi prej 7.5 kg heroinë e ardhur nga Maqedonia. Kjo sasi po bëhej gati, për t'u transportuar drejt Greqisë.


Mbyllja e hetimeve dhe dërgimi i dosjes në gjykatë, konfirmohet nga burime zyrtare të organit të akuzës, të cilët saktësuan se mbi të pandehurit Fatos Gjura dhe djalin e tij, Ermal Gjura, rëndojnë akuzat e "trafikut të narkotikëve". Ndaj nipit të Fatosit, Oltion Gjura dhe oficerit të Forcave Detare, Feliks Rusto, rëndon akuza e "prodhimit, mbajtjes dhe shitjes së lëndëve narkotike" vepra penale të kryera në bashkëpunim.


Sipas kërkesës për gjykim të përpiluar nga prokurori Anton Martini, të pandehurit drejtoheshin dhe organizoheshin nga shtetasi Fatos Gjura i cili kishte ngritur edhe një laborator të përpunimit të drogës në fshatin Kutërma të Librazhdit.


Çdo sasi droge që sillej nga Maqedonia, sipas dosjes, përpunohej nga të pandehurit Oltion Gjura dhe Ermal Gjura dhe më pas ngarkohej për transport "korrieri" Feliks Rusta, ky i fundit me detyrën e oficerit të Flotiljes Detare të Veriut.


"Nga hetimet disa mujore rezultoi se drejtues i këtij rrjeti është Fatos Gjura, 66 vjeç, i cili arrinte ta siguronte dhe gjente drogën në Maqedoni nëpërmjet të njohurve e tij. Pasi më parë i kishin siguruar mallin, bashkëpunëtorët e lajmëronin që të shkonte ta merrte tek ata. Në shumicën e rasteve sipas hetimeve, drogën nga Maqedonia e ka marrë vetë Gjura.


Ai më pas e "dorëzonte" te djali dhe nipi i tij, pasi dy të rinjtë ishin specializuar në përpunimin e heroinës (së pastër) që vinte nga Maqedonia. Heroina përpunohej nga kushërinjtë Gjura që e përzienin heroinën e ardhur nga Maqedonia me përzierës dhe më pas e paketonin"-thuhet në kërkesën për gjykim. Pas paketimit të drogës, 66- vjeçari Gjura, lajmëronte oficerin Rusta.

Ky i fundit i veshur me uniformën e tij të punës shkonte dhe e transportonte më pas nga fshati Kuterma e deri në Durrës apo në afërsi të pikë kalimeve kufitare me Greqinë. Sipas kërkesës për gjykim që "Shekulli" ka siguruar një kopje, oficeri i flotiljes detare, Feliks Rusto, merrte 500 euro për çdo një kilogram heroinë që transportonte.


"Në maj të 2009 policia sekuestroi në fshatin Kutërman sasinë prej 7.5 kg heroinë, e cila ishte dërguar atje nga Durrësi me anë të korrierit Feliks Rusta. Për këtë transport, oficeri i flotës detare kishte marrë 3 mijë e 500 euro"-thuhet në kërkesën për gjykim.


Gjithashtu, mësohet se ky grup kriminal, është zbuluar gjatë kryerjes së hetimeve për procedimin penal me nr.84 të vitit 2008, ku para pak kohësh u arrestuan 7 persona midis tyre edhe njëri nga anëtarët e "bandës" së Durrësit, i pandehuri Indrit Dokle.


Nga përgjimet e kryera, ka rezultuar se të pandehurit e sipërcituar kishin lidhje me një person me inicialet I.K. dhe që ndodhet në kërkim se shërbente si ndërlidhës mes dy grupeve, atij të Librazhdit dhe grupit të Durrësit.

Të pandehurit e dosjes

Fatos Gjura, akuzohet për "trafikim të narkotikëve"
Ermal Gjura, akuzohet për "trafikim të narkotikëve"
Oltion Gjura, akuzohet për "prodhim, mbajtje dhe shitje të lëndëve narkotike"
Feliks Rusto, akuzohet "prodhim, mbajtje dhe shitje të të lëndëve narkotike"

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›