E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Drogë dhe municione në lokalet e Himarës, dy pronarë në pranga

Policia ka arrestuar dy pronarë të lokaleve në Himarë pasi i kishin kthyer bizneset e tyre në mjedise për kultivimin e kanabisit dhe mbajtjen e municioneve.

Ndërkaq, është shpallur në kërkim një pronar tjetër dhe është proceduar penalisht kamerieri për moskallëzim krimi.

“Në kuadër të këtij operacioni, u arrestuan shtetasit A. N., 28 vjeç dhe E. I., 39 vjeç, të dy banues në Sarandë; u shpall në kërkim shtetasi K. V., 28 vjeç, banues në Himarë dhe u proceduan në gjendje të lirë shtetasit Th. M., 19 vjeç, banues në fshatin Piqeras dhe F. K., 25 vjeç, banues në Himarë.

Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasit A. N. dhe K. V., si dhe shtetasi E. I., kishin përshtatur 2 lokalet në pronësi të tyre, në plazhin e Krorëzës, për veprimtaritë kriminale të kultivimit dhe shitjes së cannabis sativës dhe se kishin pushtuar hapësirë publike, për të vënë çadra dhe shezlongë, pa autorizim”, thuhet në njoftimin e policisë.  

Gjatë kontrollit të ambienteve të këtyre lokaleve dhe të territoreve përreth janë gjendur një sasi lëndësh narkotike cannabis sativa e ndarë në vazo dhe në qese, një sasi municioni luftarak dhe 89 bimë narkotike cannabis sativa.

“Lënda narkotike, municioni luftarak, çadrat dhe shezlongët u sekuestruan në cilësinë e provës materialet, ndërsa bimët narkotike u asgjësuan nëpërmjet djegies.

Në vijim të këtij operacioni, u konstatua se për llogari të një lokali tjetër, gjithashtu në plazhin e Krorëzës, ishte pushtuar hapësirë publike, me qëllim vënien e çadrave dhe shezlongëve, pa autorizim. Për këtë rast, u procedua penalisht administratori i këtij lokali, shtetasi F. K., si dhe u sekuestruan çadrat dhe shezlongët”, bën të ditur policia.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›