Drogë dhe trafik emigratësh, vihet në pranga 25-vjeçari pas 3 të tjerëve. Zbulohet skema e grupit kriminal

Policia ka vendosur në pranga një 25-vjeçar për dhënien e ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit, duke bërë që të shkojë në katër numri i të arrestuarve, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.
Të gjithë personat e vendosur në pranga në kuadër të operacionit “Tempizëm 23” akuzohen për trafik emigrantësh dhe tentativës për të kultivuar bimë narkotike.
“Gjatë operacionit të zhvilluar disa ditë më parë, në një banesë, u gjetën të strehuar 9 shtetas të huaj, ndërsa në oborrin e kësaj banese u gjetën 114 kubikë me fara kanabisi”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në kuadër të këtij operacioni dhe arrestimeve të disa ditëve më parë, sot është kapur dhe ndaluar “shtetasi E. Gj., 25 vjeç, banues në fshatin Zejmen, Lezhë, i cili ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor të koduar “Tempizëm 23”.
Gjithashtu, policia bën të ditur se 25-vjeçari në bashkëpunim me 4 shtetas të tjerë (3 të vënë në pranga, 1 ende në kërkim) ushtronte veprimtarinë kriminale të dhënies ndihmë emigrantëve, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Këta shtetas transportonin emigrantë të paligjshëm, nga Saranda në Tiranë, i strehonin disa ditë në Pezë Helmës dhe më pas i transportonin ata drejt kufirit me Malin e Zi, kundrejt pagesës, me qëllim kalimin në vendet e BE-së.
Gjatë operacionit të zhvilluar disa ditë më parë, në banesën e njërit prej shtetasve të arrestuar u gjetën të strehuar 9 emigrantë të paligjshëm. Ndërsa në oborrin e kësaj banese u gjetën 114 kubikë me fara kanabisi, gati për t’u kultivuar.
Ndërkaq, policia po vijon punën për kapjen e shtetasit tjetër të shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni.
/rtsh.al/