E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarri në hotelin në Vlorë, policia: Aksidental! U dogj priza e frigoriferit

Zjarri që përfshiu një hotel në lagjen “10 Korriku” në Vlorë gjatë orëve të para të mëngjesit ka qenë aksidental. Policia ka konfirmuar shkakun e ngjarjes pas veprimeve të para hetimore dhe këqyrjes së pamjeve të kamerave të sigurisë.

Sipas policisë, flakët kanë nisur nga djegia e prizës elektrike së frigoriferit, i cili ndodhej në ambientet e restorantit të hotelit. Nga aty, zjarri është përhapur në ambientet e brendshme të godinës, duke shkaktuar dëme materiale dhe duke vënë në rrezik pushuesit që ndodheshin në hotel.

“Nga veprimet hetimore të kryera, përfshirë këqyrjen e pamjeve të kamerave të sigurisë, rezultoi se zjarri ka qenë aksidental, i shkaktuar nga djegia e prizës elektrike të frigoriferit, i cili ndodhej në ambientet e restorantit. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ngjarja ndodhi rreth orës 04:05, në një kohë kur pushuesit ishin në gjumë. Tymi dhe flakët shkaktuan panik, ndërsa disa prej tyre u përpoqën të largoheshin me shpejtësi nga godina për t’i shpëtuar zjarrit.

Si pasojë e ngjarjes, gjashtë pushues u lënduan, pesë prej tyre shtetas të Kosovës dhe një shtetas nga Rrësheni.

Pesë të dëmtuarit u transportuan drejt Tiranës për trajtim më të specializuar në Spitalin e Djegieve, ndërsa dy prej tyre kanë pësuar djegie të konsiderueshme në trup. Një tjetër i lënduar vijon të marrë ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Vlorës.

Zjarri shkaktoi edhe dëme materiale në ambientet e hotelit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›