Dropull, policia bashkiake në gatishmëri për mbarëvajtjen e festave të 6-18 gushtit

Pas përfundimit të aktiviteteve kulturore dhe festivaleve folklorike gjatë muajve maj, qershor dhe kryesisht në korrik, në 41 fshatrat dhe 3 njësitë administrative ,gjatë muajit gusht do të zhvillohen festat fetare dhe popullore .
Sipas kalendarit të publikuar nga vet Bashkia, këto festa do të zhvillohen gjatë periudhës kohore
6-18 gusht. Pikërisht në këto ditë pritet të shtohet me ritme të shpejta fluksi i ardhjes së emigrantëve në vendlindje.
Pikërisht për këtë fakt, Policia Bashkiake bën të ditur se ka marrë masa shtesë për rruajtjen e qetësisë publike dhe disiplinimin e qarkullimit të makinave brenda zonave të banuara.
“Kemi organizuar grupe shërbimi nëpër fshatrat ku janë programuar këto festa, në mënyrë që ky aktivitet të zhvillohet sa më mirë. Rëndësi të veçantë i kemi dhënë parkimeve, lëvizjes së automjeteve dhe qarkullimit të njerëzve. Besoj se, si çdo vit tjetër, do ta përmbyllim me sukses. Besoj që këtë vit do të jemi akoma më mirë për mbarëvajtjen e qarkullimit. Gjithashtu, kemi marrë masa edhe për hapjen e vendeve të parkimit dhe shpresoj se gjithçka do të kalojë mirë”, tha Jorgo Kokolli, Policia Bashkiake Dropull.
Për të garantuar mbarëvajtjen e festave të gushtit, pritet të angazhohen Stacioni i Policisë së Shtetit në Jeorgucat, si dhe kryetarët e 41 fshatrave të kësaj njësie vendore.
/rtsh.al/