Mallakastër/ Dyshohet se ndezi zjarrin që dogji qindra ullinj, arrestohet 54-vjeçari

Një 54-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga Policia e Mallakastrës, pasi dyshohet se ka shkaktuar një zjarr që përfshiu dhjetëra hektarë me ullinj në zonën e quajtur “Qafa e Vidhit”.
Sipas Policisë, pas njoftimit për zjarrin, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër shkuan menjëherë në vendngjarje për të mbështetur forcat zjarrfikëse dhe për të kryer veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave.
Gjatë ndërhyrjes, efektivët konstatuan pranë vatrës së zjarrit shtetasin A. Xh., 54 vjeç, banues në Ballsh, i cili dyshohet se kishte ndezur flakët. Si pasojë e përhapjes së zjarrit u dogjën rreth 400 pemë ulliri.
Në përfundim të veprimeve të para procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve arrestuan në flagrancë 54-vjeçarin për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Njoftimi i plotë:
Mallakastër
Kapet në flagrancë pranë vatrës së zjarrit që dyshohet se ndezi, vihet në pranga 54-vjeçari. Nga zjarri u dogjën rreth 400 pemë ulliri. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër, pas njoftimit se në vendin e quajtur “Qafa e Vidhit” kishte rënë zjarr dhe po digjeshin dhjetëra pemë ulliri, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, në mbështetje të forcave zjarrfikëse, si dhe për të kryer veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të rastit.
Pranë vatrës së zjarrit, shërbimet e Policisë kanë konstatuar shtetasin A. Xh., 54 vjeç, banues në Ballsh, i cili dyshohet se kishte ndezur zjarrin. Si pasojë e përhapjes së flakëve janë djegur rreth 400 pemë ulliri. Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mallakastër arrestuan në flagrancë shtetasin A. Xh., për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme. Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për të gjithë qytetarët të mos ndezin zjarre për djegien e mbetjeve apo për qëllime të tjera, pasi përhapja e flakëve mund të sjellë pasoja të rënda për jetën, pronën dhe mjedisin.
Gjithashtu, fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112 çdo rast zjarrvënieje apo paligjshmërie tjetër, duke garantuar anonimat të plotë, reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm.
/rtsh.al/