E Shtunë, 31 Tetor 2026

Subvencionimi i gjelit të detit, mundësi e realizueshme

02-11-2012 / Nga Çezar Agimi

Në vend të hyrjes/Me thënë të drejtën e prita me shumë kënaqësi e kërshëri njëherazi, deklaratën në media të Ministrit të bujqësisë z.Genc Ruli në komunën e Baldushkut, në takimin e tij me fermerë të rritjes së gjelit të detit dhe specialistë të bujqësisë së kësaj zone. Deklarata e z.Ruli vjen mjaft e besueshme në vazhdën e politikave të suksesshme të 4-5 viteve të fundit të Qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së bujqësisë në mënyrë të veçantë në fushën e mbështetjes falas nga fondet e buxhetit të shtetit për fermerët vendas. Një prej fakteve që vërteton më së miri efektivitetin e përdorimit të subvencioneve në bujqësinë tonë, është prodhimi i madh i mollëve dhe frutave të tjera nga fermerët vendas në dy vitet e fundit, e cila është shoqëruar me uljen e çmimeve të shitjes me pakicë në favor të konsumatorit, të paktën me 30 - 50 %.
Ka mjaft argumente që të shtyjnë të besosh se kjo mundësi subvencionimi është lehtësisht e realizueshme . Le ti evidentojmë duke përmendur disa prej tyre: Së pari u bënë 4 - 5 vjet që Ministria e Bujqësisë në mbështetjen e fermerëve falas me fonde nga buxheti i shtetit ka fituar një përvojë mjaft të mirë organizative, e cila e lehtëson vendim marrësin të mbështesë më tej politikat e tij në këtë fushë. Së dyti sot ekziston një numër i madh fermerësh që mbarështojnë gjelin e detit me shumë sukses, nga veriu në jug, kryesisht në ultësirën perëndimore të vendit. Së treti, falë kostos së ulët të krahut të lirë të punës në familjet fermere, kryesisht gra me shumë përvojë në punët e bujqësisë, numri i fermave që mbarështojnë gjela deti për treg po vjen nga viti në vit duke u shtuar. Së katërti tradita e hershme e mbarështimit të tyre në mjaft rrethe të vendit, si Lezhë, Tiranë, Durrës, Lushnje, Fier, pse jo edhe Mallakastër, është një argument më tepër në duart e politikë-bërësit për të mbështetur prodhimin vendas të mishit të shpendëve.
Për vetë natyrën e prodhimit të shpejtë në njësinë e kohës të mishit të shpendëve në raport me llojet e tjera të blegtorisë, në vendin tonë ekziston mundësia e dyfishimit të sasisë së mishit të gjelit të detit që mund të prodhohet me shumë pak mbështetje financiare dhe teknike nga strukturat e ministrisë së bujqësisë, ushqimit dhe mbrojtjes së konsumatorit .  Edhe ky konstatim ka argumentet e veta. Para së gjithash këtë e vërteton fakti se vetëm brenda disa 5- 6 viteve të fundit, numri i krerëve të gjelave të detit në komunën e Baldushkut është rritur nga 20 mijë në më shumë se 35 mijë të tillë. Po kështu edhe në shkallë vendi gjatë vitit 2011 janë mbarështuar rreth 35 % më shumë gjela deti se në vitin 2010. Këtu duhet të theksojmë se kjo rritje e gjelave të detit për treg është realizuar vetëm me punën e fermerëve të kësaj komune komshi me Tiranën. Të njëjtën gjë mund të themi edhe për mjaft fshatra në rrethet e Lezhës, Durrësit, Kavajës, Lushnjes, Fierit, Beratit, Vlorës, etj. Nuk ka diskutim se edhe cilësia e lartë e mishit të gjelave të vendit të kërkuar gjithnjë e më shumë nga konsumatori vendas, krahasuar me cilësinë e atyre të ardhur nga importi, ka mundësuar shtimin e numrit të krerëve në mënyrë të konsiderueshme. Kjo do të thotë se tani radhën në shtimin e prodhimit të mishit nga gjeli i detit, e ka Ministria e bujqësisë me politikat e saj, të cilat me thënë të drejtën nuk janë të reja e të panjohura.  
Për të kuptuar më mirë vlerat dhe peshën specifike që ka mishi i gjelit të detit në vendin tonë, mendoj se i duhet referuar të dhënave operative . Kështu në këtë fushë ka shifra mjaft interesante lidhur me strukturën e prodhimit të mishit të shpendëve në vendin tonë. Sipas vjetarit statistikor të Ministrisë së Bujqësisë për vitin 2011 janë prodhuar gjithsej rreth 148 mijë ton, prej të cilave mish shpendi 17 mijë, ose rreth 11.5 % të sasisë. Ndërkohë mishi i gjelit sot përbën rreth 25 - 30 % të sasisë së mishit të shpendëve të prodhuar në shkallë vendi nga fermerët tanë, përfshirë këtu edhe mishin e prodhuar në komplekset për vezë dhe për mish. Kësisoj logjika ta do që mbi bazën e kësaj strukture, sot për sot në mishin e shpendëve mund të subvencionohet me shumë efektivitet vetëm mishi i gjelit të detit, por i prodhimit vendas.
Propozimi i skemës/Edhe para 3-4 vjetësh në kuadër të politikave për mbështetjen e fermerëve të sektorit të blegtorisë, ka patur nga ana ime një propozim për të nxitur prodhimin vendas të mishit të gjelit të detit për disa arsye mjaft të thjeshta dhe transparente. E para kjo skemë u propozua për arsye të traditës qytetare në festat e fund vitit; e dyta për arsye të nevojave të konsumatorit për gjel deti vendi dhe e treta për arsye të sasisë së vogël të fondeve të parashikuara për një krerë në raport jo vetëm me kafshët e tjera të futur në skema, por edhe për efektivitetin e lartë të këtij fondi fare sinjifikativ, në raport me efektivitetin e fondeve të përdorura  për skemat e tjera në sektorin e blegtorisë e më gjerë. Në këtë rast logjika e skemës ka qenë mbështetur në disa argumente. Së pari në lehtësinë e kuptimit dhe aplikimit të saj nga fermerët. Së dyti në lehtësinë dhe transparencën e verifikimit në fermë të numrit të krerëve që do të përfshihen në pagesë pas miratimit të projektit në zyrën e drejtorisë së bujqësisë së rrethit. Dhe e treta lehtësia dhe transparenca në përllogaritjen e parave që do të merrte fermeri që plotësonte këto kritere. Atëhere ky propozim edhe pse u pëlqye, nuk u miratua, sepse vendim marrësit ma s’parit ju duk si e parakohshme, e së dyti për më tepër mendoj se nuk pati thellim në lidhje me efektivitetin e fondeve që do të përdoreshin për këtë qëllim.... E ripërsëris se në raport me koston e vogël të fuqisë punëtore që merret me mbarështimin e gjelit të detit në familjet, fermere efektiviteti i pagesës së parashikuar për krerë është mjaft i lartë në kushtet e sotme të fshatit. Po ashtu duhet ditur se sot Shqipëria importon ende sasi të mëdha të mishit të shpendëve, gati më shumë se gjysmën e tij, duke nxjerrë kësisoj sasi të mëdha valute jashtë vendit, në një kohë kur fare mirë kjo valutë mund të investohej brenda vendit po në këtë sektor.
Një nga kriteret bazë që ka siguruar dhe siguron suksesin në skemat mbështetëse të blegtorisë në vendin tonë, pra transparencën dhe lehtësinë e komunikimit shtet - fermer, për shumë arsye është pagesa mbi bazën e numrit të krerëve që gjenden në stallë në momentin e verifikimit. Por edhe këtu mendoj se duhet mbajtur parasysh pragu dysheme i këtij kriteri, prej të cilit varet shumë efektiviteti i fondeve të buxhetit të shtetit në skemat respektive. Për mendimin tim vendosja e një pragu të volitshëm të numrit të krerëve duhet të synojë para së gjithash krijimin e fermave blegtorale të qëndrueshme në perspektivën e tyre ndaj tregut. Kuptohet se verifikimi më i saktë dhe me shumë efektivitet i takon të jetë ai që bëhet në dy javët e para të muajit nëntor të çdo viti kalendarik. Ky është momenti më i mirë, sepse tufa e gjelave është e rritur, ajo është  lehtësisht e numërueshme dhe gati për tu shitur në treg. Sa i takon pjesës veterinare , është e kuptueshme se nuk mund të përfitojë nga skemat mbështetëse asnjë fermer pa patur raportin zyrtar të masave veterinare të kryera në tufën që ka aplikuar për mbështetje financiare falas.
Lidhur me numrin e krerëve mendoj se fermat me nga 100 - 200 krerë, kanë qëndrueshmëri afat gjatë dhe synojnë ngritjen e biznesit mbi këtë fermë. Zakonisht ndodh si tek bagëtitë e imta, ku fermat me më pak se 100 krerë kanë më pak qëndrueshmëri në raport me synimin për t’u kthyer në biznes dhe ballafaqimin ndaj tregut. Ndërkohë që ato me më shumë se 200 krerë tentojnë konsolidimin e tyre, i cili me pak mbështetje nga buxheti i shtetit, arrin të krijojë sigurinë psikologjike të qëndrueshmërisë së fermës dhe daljes së tij në treg, duke arritur ndërkohë të zgjidhë një pjesë jo të vogël të problemeve me të cilat ai ballafaqohet.
Pra në fund të fundit, në kushtet e sotme kur mesatarja e numrit të krerëve të gjelit të detit për çdo fermë në shkallë vendi varion nga 10 - 20 krerë politikat e Ministrisë së Bujqësisë mbi të gjitha duhet të nxisin krijimin e fermave të qëndrueshme me një numër të konsiderueshëm krerësh, duke synuar kthimin e tyre në biznese të mirëfillta. Nga përvoja ime me skemat e blegtorisë gjatë viteve të fundit, numri i mësipërm, ka një ndikim të padiskutueshëm pozitiv psikologjik tek fermerët që mbarështojnë më pak se 100 krerë për arritjen e pragut, duke i nxitur ata ta synojnë atë, për të fituar më pas mbështetjen financiare falas. Kështu ka ndodhur edhe me lopët e qumështit, bagëtitë e imta, etj. Një platformë e tillë u zbatua dhe u realizua me shumë sukses pas vitit 2008 me fermat e lopëve, ku politikat e sektorit të blegtorisë synonin krijimin e fermave të qumështit për treg, duke ndjekur dy tregues, atë të shtimit të numrit të lopëve brenda një ferme dhe numrit të fermave me shitje të qëndrueshme sasiore e cilësore të qumështit në treg. Dhe treguesi më i saktë i këtyre politikave me lopët, është se çmimi i grumbullimit të qumështit në fermë, sot është gati dy herë më i lartë se jo më larg se para 5-6 vitesh, ç’ka tregon se interesi i industrisë ushqimore është rritur po kaq herë ndaj qumështit që prodhohet në vend e që po dëshmohet së fundi edhe me ngritjen e fabrikave të mëdha të përpunimit të qumështit në Rrogozhinë, Durrës, e gjetkë.
Ndryshe nga bujqësia ku në raport me Europën ne kemi sipërfaqe të kufizuara me pemtore, vreshta, ullinj, etj; me blegtorinë puna qëndron krejt ndryshe. Në këtë sektor numri i krerëve për çdo 1000 banorë është i barabartë ose më i madh se në Europë, por organizimi i tyre është ende në nivel të ulët. Ai është mjaft i shpërndarë e në ferma me numër të vogël krerësh, për pasojë jo efektiv në raport me tregun. Ky i fundit duke qenë tashmë i hapur për të gjitha prodhimet agro - ushqimore që vijnë nga Europa, përfshirë  edhe ato blegtorale, pavarësisht faktit se tradita e konsumatorit për prodhimin e vendit ende është shumë e fortë, gjithsesi  kërkon një fermë blegtorale efektive në tregun e brendshëm. Si konkluzion, një fermë blegtorale numerikisht e vogël , sado mbështetje financiare t’i japësh, edhe miliona, nuk mund të jetë asnjëherë efektive në treg.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›