E Diel, 1 Nëntor 2026

Majko: Pavarësia, vullnetarë nga gjithë vendi drejt Vlorës. PS koordinatorë për festën

KORCE-Në një intervistë për 'News 24' nga qyteti i Korçës, socialisti Pandeli Majko komentoi vizitën në Tiranë të Sekretares Amerikane, Clinton dhe mesazhet që ajo i adresoi politikës shqiptare. Majko tha se Clinton kërkoi që politikanët shqiptarë të duan vendin e tyre më shumë se interesat partiake, ndaj këtë po shprehim dhe me festën kombëtare të Pavarësisë.

Znj/Clinton dje apeloi për zgjedhje të lira. Egziston një mundësi e tillë?
Zgjedhjet e lira? Është një përgjigje shumë e vështirë, dje sekretarja e shtetit dhe një prej njerëzve që vjen nga një familje shumë e veçantë për sa i përket mardhënieve me Shqipërinë që ajo ka. Mendoj se konteksti i asaj që deklaroi zonja Clinton në Shqipëri është konteksti i një mikeje shumë të vecantë për Shqipërinë, përveçse Sekretarja e Shtetit e një vendi që ka afruar miqësi historike që në vitin 1912. Mesazhi i saj ishte: respektoni veten, duajeni vendin tuaj më shumë se interesat politike dhe bëni zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në Shqipëri, megjithëse ka një legjislacion që prej 22 vjetësh ne jemi përpjekur ta shkruajmë bukur atë që duhet bërë, në këtë vend nuk ka patur zgjedhje të lira. Në të gjitha raportet e ndërkombëtarëve është shkruajtur zgjedhje më të mira se të mëparshmet, por jo zgjedhje të ndershme.

Premton 2013 për zgjedhje të lira?
Mendoj se sot edhe si reflektim i asaj që tha znj/Clinton, është fakti i thjeshtë që, ne duhet të duam vendin tonë më tepër se interesat politike të ditës apo ato që quhen afat shkurtra. Duhet të respektojmë protokollin e historisë sonë të përbashkët që nis nga respektimi i 28 Nëntori dhe deri tek 29-Nëntori. Këto që kërkon opozita sot për të respektuar, Vlorën është diçka e shkruajtur në protokollin e shtetit. Dhe këto histori duhen respektuar si të tilla, festa e flamurit është festuar nga Ahmet Zogu dhe Enver Hoxha në Vlorë dhe në Tiranë. Tiransit kanë një zemër të madhe, por ata e kuptojnë që Vlora e ka festën e saj. Në në këtë Asamble në Korçë, ne do të vendosim që të shkojmë të festojmë së bashku në Vlorë .

Pra, Partia Socialiste do e festoje festën e Pavarsisë në Vlorë?
PS do festojë në Vlorë në 28 Nëntor. Janë së paku 1 mijë vullnetarë vetëm në Korçë. Tashmë kemi zgjedhur dhe koordinatorët që do merren me festën. Sot të gjithë demokratët duhët të kuptojnë që ky nuk është një vendim politik që bëhet në emër të flamurit të Partisë Socialiste. Cdo i djathtë duhet ta kuptojë që nuk mund të festohet dhe në Tiranë dhe në Vlorë, qoftë edhe nga pikëpamja teknike. Ne duhet të respektojmë protokollet e historisë që kanë respektuar të gjithë shtetarët pa asgnjë përjashtim,pavarësisht bindjeve apo mentaliteteve. Në të kundërt besoj se në datën 28 do këtë një festë të flamurit e cila do festohet në mënyrën më madhështore të mundshme që unë shpresoj të mos ndodhë. Në darkë do jem në Pallatin e Brigadave në Tiranë për të respektuar pikërisht këtë protokoll të vjetër të historisë,se shteti shqiptar ëshët gdhirë në Vlorë dhe është ngrysur në Tiranë, këtu nuk ka mungesë respekti, por ka vetëm respekt të protokolleve të historisë ato nuk mund të zhbëhen.

Jeni optimistë për realizimin e reformave të kërkuara nga BE?
Ne jemi aktualisht të bllokuar me qarkun e fierit për të votuar tre projektligje të rëndësishme në parlament. Opozita nuk ka vënë asnjë kusht politik,i vetmi kusht është respektimi i vendimit të gjykatës. Shpresoj që Qeveria shqiptare dhe mazhoranca të kuptojnë se i vetmi kusht i opozitës është respektimi i vendimit të gjykatave. Shqipëria, sot që flasim për luftën e korrupsionit ka nevojë për prokurorë dhe gjykatës të cilët të jenë të aftë të japin vendime dhe këto vendime të zbatohen. Nëse fillojmë nga këto gjëratë cilat duken kaq anësorë, për mënyrën si ne e kemi parë ndërtimin e së kaluarës sonë janë të gjitha mundësitë që në të kemi shpresë për mesazhin që dha Clinton dje në Tiranë, më shumë se politikanët e këtij vendi.

I qëndroni akoma deklaratës suaj se, zgjedhje të lira do të kishte pa Kryeministrin Berisha?
Zgjedhjet pa Berishën? Kjo do i bënte mirë Berishës dhe atmosferës politike në Shqipëri dhe do garantonte një situatë më të mirë parazgjedhore dhe të relaksuar. Berisha në çdo shkollë apo rrugë fshati nuk shkon si kryeministër, por si kryetar i Partisë Demokratike nën siglën se "Shqipëria po ndryshon". Mendoj se histori të tilla, në këtë vend që i di standartet e demokracisë këto janë të vjetra dhe tashmë nga një histori me ngjyra, është kthyer në bardhë e zi.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›