E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një siguracion historik

Në “Njëqind vitet e ardhshme”, George Friedman bën parashikimet se si do zhvillohet bota, kampet, aleancat dhe konfl iktet e mundshme në vitet që vijnë. Ka në librin e tij beteja futuristike të ngjashme me sagën “Lufta e yjeve” të një tjetër George me mbiemër Lucas, që megjithëse punon në kinematografi, ngjan më me këmbë në tokë se ish oficeri i shërbimeve sekrete amerikane. Të dyja janë zhanër i veprimtarisë së inteligjencës që ngacmojnë kuriozitetin e vjetër sa vetë historia e njeriut: Si do jetë e ardhmja? Duke lexuar librin, i vetmi kuriozitet që të shtyn ta mbarosh, është se ku mund të jetë vendosur Shqipëria në skakierën gjeopolitike të fantazisë së tij. Qoftë edhe për kuriozitet, pavarësisht se ka pak realizëm në analizat e tij. Dhe Shqipëria nuk ekzistonte kund. Luftërat imagjinare zhvillohen bash në brigjet tona. Turqia e Friedman, një fuqi globale, aleate e Japonisë dhe të dyja bashkë armike të SHBA, përlesheshin në brigjet e Adriatikut, por emri ynë nuk figuronte. Ku do jetë vendi ynë në të ardhmen? Është një pyetje që na ka munduar vazhdimisht. Qenia në vijën ku janë ndarë perandori, besime fetare, ideologji; shto këtu vetëdijen e ulët historike, qeverisjen nga satrapë, edukatën rudimentare demokratike, Shqipëria është ndodhur shpesh në kufijtë e ekzistencës së saj si shtet dhe si komb. Por më së fundi e kemi një përgjigje. Kemi një “siguracion kasko”. Lëshuesi, është jo më pak se përfaqësuesja e një prej dinastive më influente të politikës botërore, dhe titullari “dora vetë” i institucionit përgjegjës, që është departamenti i shtetit: Hilari Klinton. Fjalët janë të rralla. Do ta kuptojmë më shumë se çfarë garancie kemi marrë në ditët që vijnë. “Në njëqind vjetët që vijnë dhe qindra të tjerë, do jemi bashkë”, ishte deklarata e Sekretares Amerikane të Shtetit. Për një shtet që ka vetëm njëqind vjet jetë; komb që është pak i njohur për historinë e tij; me armiq të shumtë, dhe shpesh armik i vetes; me spazma të çuditshme autolezioniste; që ka fqinjë me lobe të fuqishme dhe aktive kundër ekzistencës së tij; këto janë fjalë që do ti ëndërronte çdokush. Proamerikanizmi shqiptar, i dyti vetëm pas atij amerikan, më së fundmi e mori shpërblimin. Nëntori i vitit 2012-të do mbetet i shënjuar për kombin shqiptar.
Siguria e dhënë nga zonja Klinton, ishte edhe mesazhi më i rëndësishëm dhe me jehonë në të ardhmen. Një sekretare amerikane e shtetit, nuk ka kohë për të humbur, dhe ardhja e saj në Tiranë, dhe sigurimi që dha, është titulli i vizitës së saj. Temë të bisedimeve, ka pasur edhe problemet e politikës ditore. Mirëkuptimi që duhet të tregojë politika shqiptare për anëtarësimin në BE, është një mesazh tjetër i saj. Tashmë është evidente, se SHBA e kanë tërhequr “zvarrë” Shqipërinë në anëtarësimin në organizatat euroatlantike. Një vend që nuk dinte të çmontonte predhat ruse në Gërdec, nuk mund të futej në NATO, por na anëtarësuan sepse duan të na evropianizojnë. Një qeveri, e cila është aq mizantrope sa provokon opozitën për një qark; që hyrjen në BE e shikon si hyrje të elektoratit që e voton dhe të tjerët i shikon me syrin e njerkës; ku shefi i saj vret ditën për diell demonstrues paqësorë dhe aleati i saj në koalicion vjedh shuma për të cilat në perëndim do ta kishin çuar fishek e në biruca, nuk do mënd që nuk e meriton. Por po na e ofrojnë që të fillojmë e mendojmë si europianë.
Një kërkesë tjetër e mikes së lartë, ishte kërkesa për zgjedhje të lira e të ndershme. Tashmë në Shqipëri, askush nuk ka iluzion se shefi aktual i saj mund të bëjë të tilla. E ka në gen futjen e duarve në kutinë e votave. Hapat që po ndërmerr, mobilizimi i strukturave shtetërore dhe emërimi i kamikazëve në postet e administrimit zgjedhor, shkelja e etikës që në daljet e tij paraelektorale tregojnë se ato vota që nuk do t’ia japin, do ti gjejë. Kur dy dekada më parë, James Baker, paraardhësi i zonjës Klinton, ju thoshte shqiptarëve se demokracia donte ende njëzet vjet që të vinte, ishte shumë optimist. Ja ku kaluan, dhe akoma në këtë shtet nuk qeverisin ata që votohen. Kemi bërë hapa mbrapa në unitetin kombëtar, duke e krahinizuar administratën dhe vendin. Transparenca e qeverisë ndaj shtetasve të saj, është ende ëndërr. Në ato kohë, ishte Bush babai president. Erdhi Klintoni dhe iku. Qeverisi Bush i biri dhe është në pension. Po ikën edhe Klinton nga detyra e saj, dhe ne ende kondicionohemi në rrugën tonë, nga njeriu që dikur u prit si profeti që do bënte ndryshimin. Por duke na bërë të besojmë që mumifikimi i udhëheqësve tanë në karrige, është i vetmi fat që kemi. Ndoshta është koha, që përveç sigurimeve për ekzistencën tonë si popull, SHBA të na ndihmojnë që këtë ekzistencë ta shijojmë në liri. Ne të vetëm, e kemi të vështirë ta realizojmë. Por ata munden. E ka thënë vetë presidenti i tyre.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›