E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Duam ligj për hetimin e zgjedhjeve"

Socialistët vendosin të bojkotojnë Parlamentin pa përcaktuar një afat. Kreu i selisë rozë, Edi Rama, paraqiti dje disa orë para se të fillonte seanca paketën me kushtet e këtij bojkoti. Rama tha se vetëm nëse mazhoranca plotëson këto kërkesa, atëherë opozita do të kthehet në Parlament. Grupi i punës, duke iu referuar hetimit të zgjedhjeve, propozon hartimin e një ligji të veçantë për këtë çështje, duke përfshirë këtu edhe komisionin hetimor parlamentar. "Partia Socialiste e Shqipërisë kërkon një ligj të posaçëm për hetimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009, krijimin e një komisioni të posaçëm hetimor edhe me praninë e OSBE-ODIHR, të drejtuar e përbërë në shumicë nga opozita parlamentare. Ne nuk duam përsëritjen e një tjetër farse hetimore parlamentare në vazhdën e shëmtuar të këtyre komisioneve që i kanë lënë radhën njëri-tjetrit, pa arritur në asnjë përfundim e konkluzion serioz e të denjë. Duam që të na jepet mundësia që të bëjmë transparencën e procesit për të gjithë opinionin publik", deklaroi Rama. Njëkohësisht, PS do të sigurojë transparencën e nevojshme për të gjitha pretendimet për shkelje dhe parregullsi të zgjedhjeve të 29 qershorit 2009, nëpërmjet administrimit të çdo materiali zyrtar, dëshmie apo dokumenti që lidhet me zgjedhjet, përfshirë materialet zgjedhore që ndodhen në kutitë e votimit. Kërkohet identifikimi i përgjegjësive të të gjithë zyrtarëve të Ministrisë së Drejtësisë apo administratës së burgjeve që, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, kanë pajisur me leje lirimi të përkohshme gjatë periudhës elektorale 29 maj-28 qershor 2009, persona të dënuar. Synohet evidentimi dhe rikthimi në pozicionin e mëparshëm të punës të të gjithë punonjësve të shtetit në administratën vendore apo identifikimi i përgjegjësive institucionale dhe administrative të të gjithë drejtuesve të institucioneve publike. PS kërkon ndryshimet përkatëse ligjore për balancimin e plotë qeveri-opozitë në Këshillin Kombëtar të Radio Televizionit Publik, si edhe ndalimi i reklamave televizive qeveritare jashtë periudhës zgjedhore.
PS kërkon transparencën dhe përshpejtimin e hetimeve për zbardhjen e vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi, me asistencë të pavarur hetuesish ndërkombëtarë, si dhe garantimin e paritetit numerik mazhorancë-opozitë në përbërjen dhe drejtimin e komisioneve të përhershme të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Një çështje e diskutueshme mbetet ajo e marrjes së mandatit nga deputetët socialistë, të cilët duhet të paraqiten të paktën brenda gjashtë muajve për betimin. Në të kundërt, gjashtë muaj më vonë ata e humbasin mandatin dhe lista zbret më poshtë.
"Të gjitha të tjerat janë modalitete që nuk kanë të bëjnë me këtë thelb. Ne, nëpërmjet këtij qëndrimi, kërkojmë mirëkuptim dhe bashkëpunim për të bërë transparencën e plotë të procesit zgjedhor në të gjitha ata komponentë që lexova mbi bazën e qëndrimit tonë zyrtar", deklaroi kryetari i PS-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›