E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duartrokitje kulturës së pranimit të humbjes

Urime Berishës ! Urime Ramës ! E fi lloj në këtë rend urimin tim për vlerat morale që përcolli Berisha me dorëheqjen e tij në mbarë kombin shqiptar. Jemi në momentet e fitores së koalicionit të majtë, e për çastin kohor që po kalojmë duhet të ndjejmë vetëm emocionet e fitores. Pra vetëm ndjenjën për të uruar njëri- tjetrin me shpresë se më e mira do të bëhet. Kur flas për “çaste kohore” kam një qëllim të caktuar, për të stigmatizuar vlerat që u përkasin këtyre çasteve, si mbizotëruese që janë. Them kështu se pas dorëheqjes së Berishës, i cili kështu kapi çastin sublim të karrierës së tij politike nga pikëpamja morale, jo të gjithë karakteret që çajnë ekranet si komentatorë arritën ta pranojnë këtë vlerë. Ndoshta kaq kuptojnë, apo ndoshta nuk ju lejohet. Si shumë e prekur ndaj marifeteve të tyre për të zbehur aktin solemn të dorëheqjes-institucion moral më vete, krejt i munguar në politikën shqiptare përveçse të Nanos, që tingëlloi si një zile e mekur në shkretëtirë, prej mungesës së përhershme të tij në detyrë, dua të ndalem fare pak në tërheqje të vëmendjes së lexuesit.
Të jesh kaq aktiv për 20 vjet si Berisha, ditë natë i përkushtuar me arritje të mëdha që i ndruan faqen Shqipërisë ( me gjithë dështimet), të jesh në pritje të fitores së mandatit të tretë për kompletimin e realizimit të reformave të premtuara, të humbësh siç ndodh për hir të rotacionit, pikërisht për këto dorëheqja e Berishës ishte spektakolare për politikën e shqiptarët në përgjithësi. Këtu duhet kujtuar kërcënimi prej vetë politikanëve që po u vodhën votat do të derdhet gjak. Nuk dua të ndalem në domethënien apo përkatësinë e këtij kërcënimi, ndërkaq që në të kundërt qetësia e Berishës për humbjen ishte e admirueshme. Pranimi i humbjes duke marrë ai vetë përsipër përgjegjësinë e saj e lartësoi atë më shumë, ndërkaq që gojët e zeza kakofonuan në çast që kjo s’është e rregullt se nuk mjafton të sipërmari fajin e humbjes, se ai duhej të bënte analizën e humbjes etj, etj, janë vetëm shembuj antikulturë kombëtare. Përjashtoj nga këta, madje e uroj për qëndrimin e saj, sociologen Grilda Duma. Këta “lektorë” ekranesh për të qenë legjitimë në pretendimet e tyre, realisht pa përmbajtje racionale, së paku të ecin sipas paraleles duke pretenduar po në çast edhe nga Rama analizën e fitores së tij, teksa dukshëm nuk ishte e tij, por e Metës mbi të. Gojëve paragjykuese të ngjeshura me intriga prapaskenash, nuk duhet tu kushtojmë vëmendje. Akti demonstrativ flet vetë, madje shumë për çastin. Underground-i do të kuptohet rrugës, siç do të kritikohet rrugës. Sidoqoftë e mbushur vetëm me ndjenja urimi e solla këtë argument për t’ju thënë kakofonëve që ekzistojnë çaste, apo dhe ditë, vetëm për të uruar dhe për tu gëzuar për të gjithë ne. Ndaj personalisht dëshiroj të urohemi reciprokisht si shqiptarë me njëri- tjetrin, të majtë e të djathtë për rotacionin që dialektikisht duhet të sjellë rezultatet e veta. Sepse koha për analiza të përgjithshme e specifike është pafund. Kurse çasti për urim është vetëm tani.
Urime Ramës e Metës !
Urime Berishës !
Urime qytetarëve shqiptarë për ndryshimin qeverisës !
Qoftë më i miri !

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›