E Shtunë, 31 Tetor 2026

Askush s’mund të qeverisë pa LSI

Zgjedhjet e 23 qershorit, rikonfirmuan edhe njëherë, se Lëvizja Socialiste për Integrim është forca politike që ka njohur revansh, që kur është themeluar. Rezultatet e fundit, ku janë konfirmuar 16 deputetë për LSI-në, kanë bërë që kjo parti, të jetë ajo që ka njohur rritje të madhe, duke bërë që t’i japë rezultatin fitues të majtës e të shkaktojë humbjen e PD-së.
Në vitin 2005, kur LSI nuk kishte shumë që ishte krijuar, doli e vetme në zgjedhje, duke i marrë një numër të madh votuesish Partisë Socialiste. Kjo e fundit, pas 8 vitesh në pushtet dhe me një qeverisje me mjaft problem, humbi zgjedhjet. Asokohe u përfol, se LSI-ja ishte shkaku i humbjes së saj, për faktin, se i mori një numër të madh votash. Në zgjedh0jet e vitit 2009, Lëvizja Socialiste për Integrim, pas katër vitesh në opozitë, arriti të fitojë 4 deputetë, ndërsa si PD që kishte qeverisjen, ashtu dhe PS në opozitë, nuk mund të krijonin qeverinë, për shkak të numrave. Ishte pikërisht “faktori LSI”, që nuk e la vendin të katandisej në një kolaps politik, gjë që do të ndikonte negativisht në integrimin e vendit. Në kushtet, kur Partia Demokratike kishte të drejtën e krijimit të qeverisë së re, pasi kishte deputetë më shumë sesa PS-ja, iu bashkëngjit Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila garantoi qeverisen për 4 vjet. Nëse kryetari Meta nuk do të bënte këtë lëvizje, asnjëra nga partitë nuk mund të krijonin qeverinë dhe vendi do të hynte në një krizë politike.
Pak muaj para zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit, Lëvizja Socialiste me Integrim u largua nga koalicioni me PD-në, e për pasojë edhe nga qeveria. Ndërsa pak ditë më pas, Meta nënshkroi me kryesocialistin Rama marrëveshjen për koalicionin e ri. Nisi fushata dhe LSI shpalosi platformën e vet, programin që afroi rreth saj mijëra e mijëra votues, të rinj e të vjetër, skeptikët e partive tjera, por edhe shumë nga ata që thonin se s’kanë votuar kurrë në vitet e demokracisë, si dhe ata që votuan për herë të parë. Alternativat, premtimet për vende pune, mbështetjen e bujqësisë, biznesit, puna e pareshtur për integrimin e vendit në BE, si dhe përzgjedhja e spikatur e emrave si kandidatë për deputetë, bënë atë që partitë politike, analistët dhe askush nuk e parashikonte. Rezultati spektakolar i LSI-së, me 16 mandate deputeti anembanë Shqipërisë, i dha fitoren koalicionit të majtë. Niveli i numrave të socialistëve është si në vitin 2005, si në zgjedhjet e vitit 2009; nuk mund të krijojnë qeverinë, megjithatë aleatët e tjerë, pa LSI-në. Ashtu siç nuk e bëri dot PD-ja në vitin 2009. Siç pritej nga të gjithë, socialistët do të fitonin zgjedhjet, për shumë arsye; konsumimi 8 vjet i PD-së në pushtet, problemet social-ekonomike të vendit, etj, ndoshta edhe nevoja për rrotacion politik. Por, rezultati i zgjedhjeve tregoi, se ato i fitoi LSI, e cila ka katërfishin e deputetëve që fitoi në vitin 2009. Ndërsa socialistët nuk kanë shtuar asnjë numër deputeti krahasuar me vitin 2009. Ndërsa humbja e PD-së dhe aleatëve të saj ishte e thellë.
Në këto kushte, asnjë forcë politike në vend nuk mund të krijojë e mbajë qeverinë pa LSI-në e 16 mandateve. Lëvizja Socialiste për Integrim ishte arsyeja e fitores së koalicionit të majtë, ishte shkaku i “pensionit” për Sali Berishën, i cili dy ditë më parë pranoi humbjen dhe dha dorëheqjen nga funksionet partiake, i rrotacionit politik të 23 qershorit, i moslënies së shkuarjes së vendit drejt një krize parlamentare në vitin 2009, ndoshta dhe u humbjes së të majtës në vitin 2005. Tashmë, “lokomotivës” së shndërruar në faktor të padiskutueshëm politik, i mbetet vetëm të tërheqë vagonët e tjerë për të qeverisur, gjë që ka provuar se e bën shumë mirë. LSI-së, e cila është kthyer në forcën politike vendimtare për vendin, i duhet të krijojë vendet e punës, të mbështesë bujqësinë, biznesin e të integrojë vendin. Çështja e numrave tashmë është e zgjidhur, pasi prej vitesh LSI e ka fituar besimin e shqiptarëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›