Dueli Tahiri-Gumi, mazhoranca kundër draftit: Është antikushtetues
Edhe pse me vendim politik, mazhoranca ka bërë të ditur vullnetin e saj, që shumica e komisionit hetimor për zgjedhjet do t’i takojë PS-së. Mazhoranca ka bërë të ditur në Komisionin parlamentar të Ligjeve se thelbi i draftit të paraqitur nga PS për ndryshimin e ligjeve mbi komisionin hetimit është antikushtetues. Dueli mes Saimir Tahirit dhe Viktor Gumit, dy relatorëve përkatës, ka shoqëruar dje gjithë mbledhjen e Komisionit të Ligjeve. “Miratimi i projektligjeve është shenjë e vullnetit të përbashkët për zgjidhjen e krizës dhe i jep fund asaj”, tha Tahiri. Sipas tij, dy projektligjet synojnë transparencë të plotë të procesit zgjedhor dhe në to janë paraqitur gjithë rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese. “PS nëpërmjet dy drafteve institucionalizon të drejtën e pakicës për hetim”, tha Tahiri. Ka qenë Viktor Gumi, relatori i PD-së për nismën ligjore të opozitës, i cili gjatë materialit të lexuar dje në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve ka rrëzuar tri shtyllat bazë të projektligjit, të cilat janë: hapja e kutive, shumica në komision dhe dalja me rekomandime të qarta detyruese për institucionet. Në relacionin e paraqitur nga Gumi, ashtu dhe nga pyetjet e mazhorancës, është bërë e qartë se ata kërkojnë ta detyrojnë opozitën që të ngushtojë hapësirën e hetimit të zgjedhjeve vetëm në përdorimin e administratës në fushatë dhe në financimin e zgjedhjeve dhe jo në materialet zgjedhore, si dhe në reduktimin e raportit përfundimtar. Por socialistët, të cilët ishin përgatitur mirë nga ana e tyre, e kanë bombarduar mazhorancën me pyetje, duke bërë të ditur se në thelb opozita si objekt të hetimit nuk ka kutitë e votimit, por zgjedhjet e 28 qershorit, ndërkohë që kutitë janë vetëm mjete që do të përdoren në hetim. Në mbledhjen e djeshme është zhvilluar një seancë e vërtetë ekspertize ligjore, ku njëra palë thoshte se ishte mbrojtëse e Kushtetutës më shumë se tjetra, edhe pse kishin qëndrime të ndryshme. Në relacionin e Gumit theksohet se “aktivitetet e komisioneve nuk duhet të zëvendësojnë dhe as të marrin kompetencat e organeve, të cilat për shkak të ligjit (Kushtetutës) janë të detyruara të realizojnë kompetenca të këtilla. Komisionet- duke qenë organizma të brendshëm të Sejmi-t, nuk duhet të vendosen në pozicionin e një ‘super organi’, mbi të gjitha organet e tjera të autoritetit publik”. Por anëtarët e opozitës e kanë bërë të qartë se vendimet e Gjykatës Kushtetuese respektohen nga drafti i opozitës, pasi në të nuk kërkohet që të bëhet rinumërim, por vetëm të hidhet dritë mbi shkeljet e ligjit elektoral nga organet e shtetit gjatë zgjedhjeve të 28 qershorit. Por Rusmali ka bërë të qartë në pyetjen e tij, se një komision hetimor nuk mund ta nisë investigimin në tym, pa pasur prova, e në këtë çast reagimi i opozitës nuk ka vonuar. Relatori Saimir Tahiri ka cituar raportin përfundimtar të vëzhguesve të OSBE-ODIHR-it, ku theksoheshin shkeljet gjatë ditës së votimit, ku ishte e ndaluar e drejta e vëzhguesve apo ishte vepruar në kundërshtim me kodin. Megjithatë, Komisioni i Ligjeve sërish nuk vendosi gjë për draftin e PS-së, por e shtyu mbledhjen për nesër, kur palët do të diskutojnë me detaje dhe ku pritet të paraqiten mendimet e mazhorancës.
#