E Shtunë, 31 Tetor 2026

Personat me aftësi të kufizuar, të pandihmuar nga normalët

Kërkesat Kjo kategori vazhdon të mbetet shtresë në nevojë dhe e diskriminuar në vendin tonë

Personat me aftësi të kufizuara vazhdojnë të mbeten shtresë në nevoja të mëdha dhe të diskriminuar në vend. Këtë e ka konfirmuar dje edhe drejtuesja e Fondacionit për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar, Blerta Ccani. Sipas saj, nevojiten më shumë shërbime në dobi të kësaj kategorie. Dje, në konferencë, është prezantuar analiza e progresit në vendin tonë, në zbatim të strategjisë kombëtare të personave me aftësi të kufizuar. I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe ambasadori i KE-së në vendin tonë, Helmut Lohan, i cili vuri në dukje se lëvizja e njerëzve me aftësi të kufizuar në rrugët e kryeqytetit është shumë e vështirë. Nga ana tjetër, ministri i Punës dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera, vlerësoi punën e bërë për përgatitjen e raportit dhe u shpreh se përmirësimi i jetesës së shtresave në nevojë.

“Ky raport identifikon arritjet dhe problematikat, duke nxjerrë në dukje situatën e personave me aftësi të kufizuara dhe ndikimin e politikave të ndërmarra deri më tani. Gjithashtu, ai ka një vlerë tjetër të veçantë sepse vjen nga organizatat e fushës së aftësisë së kufizuar dhe na jep mundësinë e ballafaqimit me raportet e strukturave shtetërore”, sqaroi dje ministri Ksera. Sipas tij, që nga viti 2005, është rritur mbështetja financiare me mbi 50 për qind për të gjitha kategoritë e personave me aftësi të kufizuar. Për vitin 2009, me fondet buxhetore u trajtuan 128.876 persona të paaftë dhe kujdestarët e tyre, ndërsa për vitin 2010 është programuar një fond prej 11.442 miliardë lekësh, ose 24% më shumë se në 2009-n.

Një nga proceset e rëndësishme lidhur me të drejtat e personave me aftësi të kufizuar ishte nënshkrimi nga qeveria shqiptare e konventës “Për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara” me Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Kjo i hap rrugë ratifikimit të saj, si dhe hartimit e zbatimit të një plani veprimi ndërinstitucional, që do të shërbejë për të përmbushur detyrimet e konventës.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›