E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreu i SHISH-it, sot në Kuvend për draftin e qeverisë

Seancë dëgjimore pas polemikave

Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, Bahri Shaqiri, do të jetë prezent sot në Komisionin parlamentar të Ligjeve, në një seancë të posaçme dëgjimore mbi projektligjin për shërbimin sekret shqiptar, i cili i cakton mandat kreut të këtij institucioni, por edhe zgjeron bazën e veprimtarisë së tij. Kreu i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, bëri të ditur se vetëm dita e sotme do të jetë e disponueshme për të dëgjuar kreun e SHISH. Kjo seancë është shtyrë që në shkurt. Sipas të gjitha gjasave, seanca do të zhvillohet me dyer të mbyllura, por ende nuk dihet nëse do të jenë prezentë deputetët e opozitës. Drafti i SHISH-it është përcaktuar në kalendarin e punimeve për seancën e 18 marsit, kur duhet të diskutohen edhe draftet e opozitës për komisionin hetimor mbi zgjedhjet e 28 qershorit. Ndryshimet e propozuara në ligj përfshijnë dhe Kuvendin në procedurën e përzgjedhjes së kryetarit të Shërbimit Informativ. Sipas draftit, Kryeministri, pasi propozon kandidaturën, do të marrë për të parën herë edhe mendimin e Komisionit parlamentar të Sigurisë Kombëtare. Më pas, propozimi i kreut të qeverisë do i kalojë Presidentit të Republikës, i cili, vetëm në bazë të propozimeve të Kryeministrit emëron dhe shkarkon drejtorin e SHISH-it. Një vit më parë, Kuvendi, me propozim të mazhorancës, përcaktoi një mandat 5-vjeçar për Prokurorin e Përgjithshëm, ndërkohë që tashmë ligji do të ndërhyjë për të kufizuar edhe mandatin e kreut të SHISH. Amendimi i ligjit të SHISH është kundërshtuar fuqishëm si nga SHBA, ashtu edhe nga Bashkimi Europian, të cilët kanë ngritur shqetësimin në lidhje me rritjen e kontrollit politik të qeverisë mbi shërbimin sekret, i cili është institucion i pavarur. Ndërkaq, vetë SHISH në amendamentet e tij ka shprehur kundërshtimin e tij për rritjen e gamës së hetimit, pasi ndryshohet thelbi i organit si mbledhës informacioni, duke e kthyer në institucion hetimi, tagër ligjor të cilin e ka prokuroria.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›