Duhani, nis sot aksioni në lokale
Nis sot aksioni për të mos lejuar pirjen e duhanit në ambiente publike, ku vendi më i preferuar e ku tymoset më shumë janë lokalet. Për t’i vënë fre kësaj situate të dalë jashtë kontrollit jo vetëm në Tiranë, specialistët e Shëndetit Publik do të kontrollojnë duke filluar nga sot lokalet e kryeqytetit, e më pas aksioni i tyre do të shtrihet edhe në rrethe. Këtë herë duket se aksioni do të jetë më i rreptë se herët e tjera, e për këtë arsye ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, nëpërmjet një urdhri të veçantë që mban datën 2 shtator 2011, urdhëron krijimin e një task-force nga bluzat e bardha, me qëllim ndërgjegjësim dhe inspektim në luftën kundër duhanit. Duke qenë se Ligji Antiduhan, i miratuar kohë më parë, nuk ka arritur të gjejë zbatim të plotë, task-forca është ngritur për të mbushur të gjitha boshllëqet e ligjit. Kryetari i kësaj task-force, Roland Shuperka, sqaron sesi do të nisë aksioni. Specialisti i Shëndetit Publik, Roland Shuperka, që do të udhëheqë edhe këtë aksion, thotë se lokalet do ta kenë të vështirë t’i shpëtojnë gjobës së vendosur në rast kundërvajtjeje të ligjit. Sakaq, gjobat do nisin nga 50 mijë lekë, duke shtuar kamatëvonesën. Aksioni do të përbëhet nga 10 vetë, 8 specialistë të shëndetit dhe 2 juristë. Nisja e aksioneve antiduhan, duke gjobitur lokalet, janë vetëm hapi i parë që autoritetet e shëndetësisë do të ndërmarrin për të ndaluar pirjen e duhanit në vende publike, pasi, në rast të dështimit të kësaj skeme, parashikohet vendosja e gjobave trefishe. Kështu, qytetarët që do të pinë duhan në ambientet e ndaluara rrezikojnë të gjobiten nga shteti. Dështimi i Ligjit Antiduhan, që synon ndalimin e pirjes së tij në ambiente publike, sidomos në lokale ku situata është edhe më problematike, ka bërë që specialistët të mendojnë edhe për një mënyrë tjetër gjobitjeje, që mund të jetë më efikase. Kështu, në pamundësi për të ndëshkuar subjektet abuzuese të ligjit, specialistët propozojnë vendosjen e gjobave të trefishta për duhanin, njërën nga të cilat do të duhet ta paguajnë edhe qytetarët që kapen duke pirë cigare në ambiente të ndaluara. Tashmë specialistët do të propozojnë që gjoba, përveç menaxherit apo pronarit të lokalit, t’i adresohet edhe personit që e konsumon atë në ambientet e ndaluara. “Sot ligji ka pasur mungesë neni në dënimin edhe të menaxherit të lokalit. Do të dënohet edhe personi më i lartë në atë institucion kur shkon inspektoriati, edhe personi që thyen ligjin, - ka pohuar Roland Shuperka. Një prej faktorëve, që ligji kundër produkteve të duhanit ka dështuar, pretendohet të jetë shpërndarja e madhe e kompetencave. Për këtë arsye, drejtori i ISHP-së, Enver Roshi, ka propozuar që gjobat të hartohen dhe vilen nga i njëjti institucion. Deri tani inspektorët sanitarë hartonin gjobat, kurse policia bashkiake duhet t’i vilte ato, por në fakt nuk ka ndodhur kështu dhe për rrjedhojë janë lënë shumë gjoba të pa mbledhura. Ligji kundër duhanit në vendin tonë, ndonëse vlerësohet si shumë i mirë edhe nga ekspertë të huaj, nuk zbatohet dhe asnjë prej lokaleve: ku nuk lejohet duhani, nuk gjobitet. Deri më tani të gjitha tentativat për të ndaluar duhanpirjen kanë dështuar si pasojë e mosfunksionimit të një sërë institucionesh. Sipas specialistëve, ligji ka dështuar për faj të moszbatimit të tij nga institucionet përkatëse. Madje, edhe në rastet kur inspektorët kanë dalë për kontrolle, për të aplikuar sistemin e gjobave në bare dhe restorante, e kanë pasur të pamundur t’i vjelin ato, pasi nuk kanë gjetur mbështetjen e pushtetit vendor, i cili është institucioni që duhet të merret me mbledhjen e tyre.