E Diel, 1 Nëntor 2026

Malaj: Gati riatdhesimi i 15 milionë USD nga Greqia

Kryetari i Grupit të Mbikëqyrjes së Skemave Piramidale, Bajram Malaj, në një intervistë për gazetën MAPO ka zbardhur pjesën e mbetur të aseteve të ish- firmave piramidale. Ai ka bërë të ditur skenarin që po ndjek mbikëqyrja për riatdhesimin e vlerave monetare jashtë vendit. Malaj ka pohuar gjithashtu se mund të ketë një koeficient të dytë kompensimi për kreditorët

Zoti Malaj, kanë kaluar 13 vite që nga koha e skemave piramidale, por a mund të na thoni, ju lutem, se sa ende ka mbetur për të administruar nga asetet e firmave në favor të kreditorëve?

Nga dokumentacioni ligjor i saktë që ne disponojmë, rezulton se ka ende pasuri të pashitura të kompanisë “Vefa”, asete këto të cilët pjesërisht janë në Tiranë, Vlorë, Fier, Korçë dhe të rralla janë pasuritë në qytete të tjera, por me vlera të vogla. Bëhet fjalë për objekte të ndryshme, si magazina, dyqane, punishte, shtëpi banimi edhe vila. Po ashtu, duhet të pranojmë se, si rezultat i ndryshimit të tregjeve financiare, vlera e këtyre aseteve ka ndryshuar. Kjo edhe për shkak të rrënimit të këtyre pasurive. Por përveç pasurive të paluajtshme, kompanitë kanë edhe debitorë të huaj. I tillë është rasti i kompanisë Cenaj dhe Gjallica, të cilat kanë ende debitorë të huaj në Greqi. Por duhet theksuar se shumica e aseteve me vlerë të ish-kompanive rentiere janë shitur dhe asetet e mbetura mbartin problematikë ligjore dhe për këtë fakt ende nuk janë kthyer në vlera monetare.

A mund të na thoni konkretisht për këto objekte se në çfarë faze është procesi i shitjes së tyre?

Në fakt janë disa mijëra metra katrorë që kanë vlerën e truallit. E tillë është Fabrika e Tullave në Vlorë me një sipërfaqe 74 mijë metra katror. Janë 24 mijë metër katrorë të tjera në Laprakë. Në Fier, gjithashtu janë 12 mijë metër katror të njohura si Reparti i Kombinuar i ish-Uzinës Mekanike Bujqësore. Gjithashtu janë edhe disa vila të VEFA-s në Tiranë dhe jashtë vendit. Për të gjitha këto asete, të cilat përkthehen në disa milionë euro janë në proces gjyqësor. Për të gjitha këto pasuri dokumentacioni është mjaft problematik, që ka të bëjë me hipotekën, pavarësisht se Grupi i Mbikëqyrjes ka të disponueshme të gjitha aktet e blerjeve të faktuara me dokumentet e bankave.

Vitin që shkoi ju keni nisur një proces riatdhesimi të disa aseteve dhe vlerave monetare në Greqi. Si po ecin këto çështje?

Në Greqi janë faktuar tashmë rreth 15 milionë dollarë, për të cilat pala shqiptarë ka të gjithë dokumentacionin e rregullt. Shumica e këtyre detyrimeve janë sekuestrime që pala greke ka bërë gjatë kohës së kapjes të bosëve shqiptarë të firmave rentiere. Por në momentin që shteti grek ka bërë gjyqin e këtyre personave, pala shqiptare nuk është paraqitur për të kërkuar pronësinë e parave, duke bërë që ato vlera sot e kësaj dite të jenë të ngrira në llogari të bankave në Greqi. Për të përfituar këto shuma, pala shqiptare ka rihapur gjyqet dhe për këtë qëllim ka kontraktuar një nga studiot më të njohura të avokaturës në Athinë.

A mund të na thoni disa nga dosjet në proces gjykimi në Greqi, për të cilat pritet arkëtim vlerash?

Ka disa çështje të hapura me disa kompani. Të tilla janë borxhi 3.8 milionë USD nga kompania “Siontis” Janinë; borxhi 2 milionë USD nga kompania “Sabo”, borxhi 2 milionë USD nga kompania “Poseidon”, Athinë; Vila e VEFA-s në Athinë, borxhi 2 milionë USD nga kompania ajrore “Aviator s.a.”. Ndërsa janë 5 milionë USD të bllokuara në një bankë greke prej kompanisë Cenaj. Zyra e avokatisë e kontraktuar nga Mbikëqyrja në Athinë ka bërë gati dosjet për çështjet “Sabo”, “Poseidon” dhe “Aviator sa”. Por përveç Greqisë, Mbikëqyrja ka çështje të hapura edhe me vende të tjera ku janë disa llogari dhe asete ende të palikujduara të ish-firmave rentiere. Në Budapest ka një vilë në pronësi të VEFA-s ende e pashitur dhe gjithashtu mbeten për t’u arkëtuar një shumë prej 250 mijë eurosh nga shitja e anijes “Piam”. Gjithashtu, është në proces gjyqi për kthimin e borxhit 8 milionë USD nga kompania “Seant Team”. Në Budapest janë të bllokuara edhe 1 milion USD nga llogaritë e VEFA-s.

Si po administrohet shumat që keni arritur të grumbulloni nga shitja e aseteve?

Dua të them se Grupi i Mbikëqyrjes ka maksimizuar në përqindjet më të larta interesin e llogarive të disponueshme. Të gjitha arkëtimet kanë llogarinë e tyre në bankën tonë, ndërsa i takon qeverisë si do t’i përdorë këto llogari.

A mund të bëhet fjalë për një rishpërndarje ndaj kreditorëve?

Sigurisht, por për një periudhë të mëvonshme. Për modalitetet, kohën dhe koeficientin e vendos qeveria, por duhet pritur deri në përfundimin e proceve të hapura gjyqësore për shitjen e aseteve të lartpërmendura.

Disa nga bosët e kompanive janë liruar tashmë. A keni patur kontakte me ta për të marrë ndoshta më shumë informacione?

Ish-bosët e firmave piramidale, që tashmë kanë përfunduar dënimet, kanë kryer vizita në institucionin e Grupit Mbikëqyrës të Fajdeve, me qëllimin për të mësuar se deri ku arrijnë të dhënat që disponojnë administratorët. Ish-presidentët e kompanive rentiere kanë kërkuar bashkëpunim për të rikthyer në Shqipëri paratë që kanë depozituar dhe fshehur jashtë vendit, por në të vërtetë ata janë përpjekur vetëm për të marrë informacione. Kjo pasi realisht ata nuk kanë dhënë asnjë lloj ndihme. Vartësit kanë zbuluar rreth 80 milionë dollarë të ish-piramidave, të cilat janë fshehur jashtë vendit dhe se po bëhet përpjekje për rikthimin e tyre në Shqipëri. Aktualisht jemi duke u përballur me debitorët më problematikë të piramidave, të cilat kanë arritur të fshehin borxhet me mënyra të ndryshme, që fillojnë nga ndërrimi i identitetit dhe zhveshja nga çdo lloj pasurie individuale dhe familjare.

Intervistoi Blerina Hoxha

Disa nga astetet e pa shitura të ish-firmave piramidale

Asetet brenda vendit

-Reparti i Kombinuar i ish-Uzinës Mekanike Bujqësore në Korçë, me sipërfaqe 12 mijë metër katror

-Ish-fabrika e salcës në Fier, me sipërfaqe 13 mijë metër katror

-Fabrika e Tullave në Vlorë, me sipërfaqe 74 mijë metër katror

-Hotel Turizmi në Vlorë, trualli

-Vila Dykatëshe në Kinostudio ( VEFA)

-Truall në Laprakë, 24 mijë metër katror (VEFA)

-Kinoklubi në Ksamil, me vlerë 180 milionë lekë të reja (60% pronë e SILVA)

-Vila dykatëshe lagjja Partizani (VEFA)

Asete jashtë vendit

Borxhi 3.8 milionë USD nga kompania “Siontis”, Janinë

Borxhi 2 milionë USD nga kompania “Sabo”

Borxhi 2 milionë USD nga kompania “Poseidon”, Athinë

Vila e VEFA në Athinë

Borxhi 2 milionë USD nga kompania ajrore “Aviator s.a.”

Rreth 5 milionë USD të bllokuara në një bankë greke prej kompanisë Cenaj

Të bllokuara 1.2 milionë USD në një bankë austriake të kompanisë (M. Leka)\

Të bllokuara 5 milionë marka në Zvicër të kompanisë (Cenaj).

-Vilë dykatëshe në Budapest në Hungari (VEFA)

-Anija Piam në Hungari (borxhi 250 mijë euro)

-“Seant Team “ borxhi 8 milionë USD

-Një llogari bankare e 1 milionë USD e bllokuar në një bankë hungareze

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›