Fëmijët autikë. Rritet ndjeshëm numri i të prekurve
Numri i fëmijëve autikë në vendin tonë po vazhdon të rritet në mënyrë të ndjeshme. Kjo ndodh në një kohë kur edhe në shtete të ndryshme të botës, në 100 fëmijë, një prej tyre rezulton të jetë autik. Edhe pse nuk ka statistika, nga kjo tendencë nuk mund të përjashtohet as Shqipëria. Kështu shprehet drejtuesja e qendrës “Fluturo për Jetën”, Denata Toçe, e cila shton se kjo shtëpizë trajton me kohë të plotë afro 50 fëmijë. “Në qendrën tonë, këto dy vjet e gjysmë, janë vlerësuar rreth 500 fëmijë, ndoshta dhe më shumë. Ndër ta, pjesa më e madhe janë diagnostikuar dhe vlerësuar me çrregullim të spektrit autik. Kemi gati 50 fëmijë që trajtohen në qendër”, - pohon Toçe. Më tej ajo thekson se shtimi i rasteve ka bërë që të ngrihet dhe një qendër homologe në qytetin e Elbasanit dhe pritet hapja e një tjetre në Fier. Sipas Toçes, për diagnostikim më të hershëm janë trajnuar dhe shumë pediatër, pasi ata kanë kontakte më të shpeshta me të miturit. “Në Elbasan kemi një qendër tonën, ‘Kultura për Jetën’, ku fëmijët trajtohen si pjesë e strategjisë së fondacionit ‘Fëmijët Shqiptarë’ dhe së shpejti do të hapet edhe qendra e Fierit. Është zhvilluar një trajnim nga fondacioni i ‘Fëmijëve Shqiptarë’ për mjekët, për pediatrit, për ata të cilët kanë kontakte me fëmijët, për të qenë më të ndërgjegjësuar, për të aplikuar instrumentet e duhur, për t’i instruktuar këta fëmijë që në moshë të hershme”, - thotë Denada Toçe. Megjithëse rastet e para me autizëm janë identifikuar që në vitin 1943, ende kjo patologji rezulton si paaftësi e panjohur. Prej vitesh mjekët po punojnë për të mësuar se nga çfarë shkaktohet autizmi, ndërkohë që nuk kanë arritur të gjejnë ende një përgjigje për këtë problem shëndetësor.