E Martë, 3 Nëntor 2026

“Duhej t’i ndërprisja furnizimin me gjak”, flet mjeku shqiptar që zëvendësoi aortën te pacientja 75-vjeçare

Në spitalin “Shefqet Ndroqi” është realizuar për herë të parë një ndërhyrje kirurgjikale ku një 75-vjeçareje i është zëvendësuar aorta. Ky operacion u krye nga doktori kardiokirurg Albi Fagu, i cili shpjegoi në “Jetë Shqiptare” në RTSH edhe procedurën e ndjekur.

Kardiokirurgu Fagu tha se për kryerjen e këtij operacioni trupi duhet të kalojë në gjendje hipotermie në 25 gradë, ndërsa ndërpritet furnizimi me gjak i trupit për 20-30 minuta.

Pjesa më e vështirë për doktor Fagun, ishte furnizimi selektiv i trurit me gjak, i cili ka nevojë vazhdimisht për oksigjen.

“Ky operacion zhvillohet për herë të parë në spitalin “Shefqet Ndroqi”, është një operacion që konsiston në zëvendësimin e dy segmenteve  të  aortës që furnizon trupin dhe trurin me gjak, pra aortës ngjitëse dhe harkut të aortës. Veçoria e këtij operacioni është se në segmentin e harkut të aortës furnizohet me gjak truri, ndërsa pjesa tjetër furnizohet trupi. Për realizmin e këtij operacioni duhet që për një periudhë të shkurtër kohe 20-30 minuta duhet të ndërpritet furnizimi me gjak drejt periferisë së trupit dhe për të realizuar këtë ndërprerje duhet që temperatura e trupit të reduktohet deri në 25 gradë. Nëse kjo periudhë e shkurtër e mungesës së furnizimit me gjak mund të tolerohet deri diku nga periferia e trupit duke kaluar në hipotermi, në rastin e furnizimit me gjak të trurit ato kanë një tolerancë mjaft të kufizuar për mungesën e oksigjenit, prandaj është e nevojshme të bëhet një furnizim selektiv me gjak i trurit. Pra gjatë kësaj kohe bëhet një ndarje mes qarkullimit të trurit nga qarkullimi i trupit për të bërë të mundur realizimin e operacionit”, tha doktor Fagu.

Për doktor Fagun ky operacion zgjati 5 orë dhe është rutinë në botë. Doktori theksoi se ky operacion është zhvilluar më parë në Shqipëri, por u zhvillua për herë të parë në spitalin “Shefqet Ndroqi”.

“Kjo kirurgji realizohet në botë prej dekadash, por në fillimet e aplikimeve të hipotermisë ka pasur edhe komplikacione, sot është operacion rutinë në botë. Për këtë operacion ne na është dashur rreth një muaj për t’u përgatitur. Kjo është hera e parë që realizohen në spitalin Shefqet Ndroqi por jo në Shqipëri. Dua të theksoj që ajo që më ka surprizuar është gatishmëria e kolegëve në QSUT që ishin të gatshme që të asistonin për realizmin e këtij operacioni. Ndërhyrja ka zgajtur rreth 5 orë, është koha normale e këtij operacioni aq zgjat edhe në botë. Një mjek nuk duhet të harrojë që ajo që për ne është punë e përditshme, për familjarët është një moment i paharrueshëm dhe i vështirë në jetë”, tha ai.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›