E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëmi nga prerjet e pyjeve, i njëjtë me atë të zjarreve



Pasurive pyjore në Shqipëri e keqja nuk u vjen vetëm nga zjarret, por edhe nga prerjet masive në formë pirate që dëmtojnë më së shumti filizat e rinj. Të stimuluara nga kontrabanda e madhe e lëndës drusore, e cila është e shtrirë në të gjithë rajonin e Ballkanit, si pasojë e shtrenjtimit të çmimit të lëndës drusore për ndërtim, pyjet e vendit tonë janë vënë nën shënjestrën dhe tehun e sëpatës së kontrabandistëve që kanë gjetur këtu “parajsën”. Falë mungesës së kontrollit dhe kujdesit të shtetit, pirateria dhe kontrabanda e lëndës drusore ka marrë përmasa të frikshme vitet e fundit në vend, ku të gjitha pemët që priten dalin dhe shiten jashtë vendit. Nën satër janë vënë kryesisht pyjet dhe korijet afër të gjitha rrugëve nacionae dhe rurale, por edhe pyjet me drunj të rrallë në male, ku çmimi për këtë lloj lënde është edhe më i shtrenjtë. Prerje të tjera të paligjshme bëhen edhe për dru zjarri, apo edhe për përdorimin e drurit për ndërtim brenda vendit. Vetëm 50 subjekte private janë të licencuara në të gjithë vendin dhe që e blejnë nga shteti (e presin me leje) dhe e shesin te privati për dru zjarri lëndën drusore. Nga inventarizimi i fundit i vitit 2003, Shqipëria ka rreth 1.4 milionë ha pyje dhe rreth 400 mijë ha kullota. Sipërfaqen më të madhe me pyje e ka Shkodra, por si volum vend të parë zë Puka, në një kohë që pyje të vërtetë kanë mbetur vetëm rreth 500 mijë ha. Pjesa tjetër janë kthyer në pyje të ulët, në shkurre ose në tokë djerrë, ku nuk mungojnë as zonat ku ka nisur dezertifikimi (shkretëtirëzimi), një dukuri kjo jomesdhetare.

Shpyllëzim masiv edhe në kohën e komunizmit

Edhe gjatë sistemit të kaluar komunist, në vendin tonë u shpyllëzuan rreth 280 mijë ha
pyje, për të hapur toka buke (ku u prishën kryesisht dushkajat e zonave kodrinore dhe të ulëta fushore). Në vitet ´80-´90 u shkatërruan edhe rreth 50 mijë ha për të “krijuar“ të ashtuquajturat kullota polifite si në Tiranë, Skrapar (Bogovë), Gjirokastër, Vlorë etj. Gjatë tranzicionit u prenë në mënyrë të parestaurueshme edhe 100 mijë ha dhe u degraduan mijëra ha të tjerë apo u kthyen në shkurre e toka djerrë, kryesisht ato në afërsi të rrugëve, duke mos kursyer dhe drurët e mbjella anës rrugëve kombëtare në rreth 150 km linear. U shfarosën brezat pyjorë-mbrojtës të fushës së Korçës etj., ku ende s´janë ripyllëzuar. Sipas të dhënave janë zaptuar rreth 50 mijë ha territore në bregdet dhe zona të tjera me vlera të veçanta natyrore e biodiversiteti, që nga Velipoja (Shkodër) e Kune-Vaini (Lezhë), Patoku (Kurbin), në Gjirin e Lalëzit e Golem (Durrës), Divjakë (Lushnjë), në rivierë nga Vlora deri në Sarandë etj.

Shkaqet e rënies së zjarrit

Të panjohura 61%
Pakujdesia dhe neglizhenca 29%
Të qëllimshme 9 %
Ngjarje të pazakonta 1%

Zjarret në 4 vitet e fundit
Viti Precedentët Sipërfaqja e djegur në ha

Viti 2000 827 raste 3675 ha pyje, 924 ha kullota

Viti 2005 174 raste 300 ha pyje, 1740 ha kullota

Viti 2006 176 raste 108 ha pyje, 303 ha kullota

Viti 2007 170 raste 5800 ha pyje, 6200 ha kullota

7 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›