E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duka: Jam i zhgënjyer nga reagimi i G-6

Jetmir Halilaj (Panorama Sport)

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka e ka cilësuar tepër pozitiv faktin që Shqipëria u rikthye në arenën ndërkombëtare. Ai vlerësoi mbështetjen e organizmave FIFA-s dhe të UEFA-s gjatë kësaj periudhe të vështirë, por pranoi se kishte mbetur i zhgënjyer nga sjellja e disa prej anëtarëve të FSHF-së, të cilët sipas tij nuk ia kishin lehtësuar aspak gjërat atij dhe administratës së Federatës.
Shqipëria rikthehet në arenën ndërkombëtare pas 46 ditësh. Cili është komenti juaj?
Padyshim që jam i kënaqur, sepse sa më shumë të zgjaste kjo periudhë, aq më shumë dëmtohej futbolli shqiptar dhe imazhi i tij. Madje kjo periudhë zgjati shumë dhe dëmtoi jo pak futbollin tonë. Për këtë jemi të gjithë të ndërgjegjshëm.
A kishit menduar ndonjëherë se pezullimi do të zgjaste kaq shumë?
Dua të jem i sinqertë: nuk e kisha menduar se do të zgjaste kaq shumë. Duke qenë se ne njerëzit që e ndjekim nga afër futbollin dhe e dimë se cfarë dëmesh sjellin këto situata, nuk mendoja se do të qëndronim kaq gjatë të pezulluar. Megjithatë duhet ta lëmë pas këtë dhe të punojmë për të përmirësuar dhe për të rregulluar ato gjëra që e ndihmojnë futbollin.
Përvec vendimit për të na pezulluar dhe kohëzgjatjes së tij të konsiderueshme a ka pasur ndonjë gjë tjetër që ju ka befasuar gjatë kësaj periudhe?
Po, ndodhi dicka që nuk e prisja. Ose më saktë e kisha menduar, por nuk besoja se do të ndodhte vërtet.
Për cfarë bëhet fjalë?
Për sjelljen e disa prej anëtarëve të Federatës Shqiptare të Futbollit. Reagimi dhe kërkesat e disa prej drejtuesve të skuadrave në atë periudhë ishin fare të panevojshme dhe jo vetëm që nuk zgjidhnin asgjë, por tensiononin edhe më tepër situatën cka na e bënte punën edhe më të vështirë.
Meqë jemi në këtë pikë, sa ka ndikuar ajo ngjarje në marrëdhëniet tuaja zyrtare me presidentët e atyre klubeve, të cilët në një moment kërkuan edhe dorëheqjen tuaj?
Për të qenë i sinqertë në atë periudhë ndjeva deri diku i zhgënjyer nga reagimi i tyre dhe padyshim që pati disa momente ku unë vërtet u ndjeva keq. Megjithatë nëse i referohemi marrëdhënieve zyrtare, mund të them me bindje të plotë se nuk ka ndikuar asgjë. Unë jam president i FSHF-së dhe do të përpiqem të jem gjithnjë korrekt me të gjithë anëtarët e Federatës. Kjo është bindja ime në vetvete dhe detyra ime.
Po thoni se nuk ka ndryshuar asgjë mes jush dhe G-6?
Shikoni, unë jam i kënaqur që të gjithë drejtuesit e atyre skuadrave reflektuan dhe e kuptuan shumë shpejt, madje e kuptuan brenda 24 orësh se nuk ishte ajo rruga që duhej ndjekur, kështu që ndryshuan mendje. Për sa i përket marrëdhënieve të mia zyrtare me drejtuesit e atyre skuadrave mund të them se nuk ka ndryshuar asgjë. Në fund të fundit të gjithë kemi një qëllim: të punojmë për futbollin dhe të kontribuojmë për ta zhvilluar sa më shumë atë.
Pas gjithë kësaj që ndodhi, a keni ndërmend që pasi të keni përfunduar mandatin tuaj, të rikandidoni sërish?
Kjo është një garë dhe mua më pëlqejnë garat dhe përpiqem që t'i fitoj ato. Mendoj se kur të vijë momenti do të jem sërish në garë.

6
Ishin presidentët e klubeve të Kategorisë Superiore që pas pezullimit i kërkuan Dukës që të zgjidhte konfliktin ose të jepte dorëheqjen. Bëhet fjalë për (Albert Xhanin (Partizani), Arben Laze (Elbasani), Xhavit Ismaili (Shkumbini), Nexhat Bizhdili (Besa), Valter Fushaj (Vllaznia) dhe

Polonia
Presidenti i FSHF-së tha se Polonia praktikisht e kishte anuluar ndeshjen kundër Shqipërisë, por më pas ishte një letër e sekretarit të përgjithshëm Arben Bici, ajo që kishte zgjidhur cështjen. "Në letër Bici i kishte thënë presidentit të federatës polake se tani që Shqipëria kishte nevojë për mbështetje, ajo nuk mund të braktisej nga anëtaret e tjera të FIFA-s dhe kjo i bindi ata që të në prisnin edhe pak ditë", tha Duka.

Dëmet
Sipas presidentit të FSHF-së, futbolli shqiptar pësoi nj dëm të konsiderueshëm nga pezullimi nga FIFA. "Padyshim që imazhi i futbollit tonë u dëmtua nga pezullimi aq i gjatë, por të mos harrojmë këtu se u anuluan dy ndeshje miqësore, si dhe gjyqtarët shqiptarë nuk mundën të shkonin për të drejtuar ndeshje ndërkombëtare. Pra në tërësi pati një faturë të konsiderueshme, por gjithsesi e rëndësishme është që tani jemi sërish në familjen e madhe të futbollit botëror", tha Duka.

E ardhmja
I pyetur nëse i druhej një tjetër konflikti mes shtetit dhe Federatës, Duka u përgjigj: "Unë mendoj dhe shpresoj që të mos ndodhin më të tilla gjëra, pasi kjo do të kishte pasoja fatale për futbollin shqiptar. Besoj se të gjithë e kuptuam se cfarë do të thotë të mos jesh pjesë e organizatave ndërkombëtare të futbollit. Falënderoj të gjithë administtratën e Federatës, por edhe komunitetin e futbollit në Shqipëri të cilët u treguan të matur dhe të kujdesshëm në këtë situatë", tha kreu i FSHF-së.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›