Duka: Objektiva të qarta, të jemi pjesë e Botërorit në 2030-ën

TIRANË, 19 maj/ATSH/ Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka gjatë prezantimit të trajnerit të ri të Kombëtares shqiptare, Rolando Maran tha se “objektivat janë të qarta, duam të jemi pjesë e botërorit në 2030-ën”.
Në konferencën për mediet, Duka tha se “hapim një cikël të ri me një trajner jo të ri në moshë, siç është Rolando Maran, por me energjinë e duhur dhe eksperiencën e nevojshme”.
“Objektivat tona mbeten aty ku duam të jemi, vendi i parë në Nations League dhe kualifikimi për në EURO 2028, dhe më pas për të vazhduar me objektivin që s’e kemi arritur asnjëherë, për të qenë pjesë e Botërorit”, u shpreh Duka.
“I uroj shumë suksese trajnerit Rolando Maran me Kombëtaren shqiptare, unë nuk bëra CV-në, sepse është një emër i njohur, duke qenë se ka trajnuar skuadra të rëndësishme si në Serinë A dhe B”, tha Duka.
Presidenti i FSHF-së falënderoi trajnerin Silvinjo dhe stafin e tij për kontributin në Kombëtare.
“Bashkë kemi kaluar një periudhë shumë të rëndësishme, me emocione, kemi qeshur dhe kemi qarë. Në futboll konsiderohet normale mbyllja e një cikli, ndahemi me konsensus”, tha Duka.
/k.s/j.p/r.e/