E Diel, 1 Nëntor 2026

Duka: Struktura e Superiores nuk ndryshon

Në një intervistë për televizionin Ora News, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, flet për shumë gjëra. Që nga kampionati që përfundoi, problemet me arbitrat, fenomene të ndryshme dhe deri te diskutimet për mundësinë e ndryshimit të strukturës për sezonin e ardhshëm.

Kreu i FSHF-së flet për zgjedhjen e Kuzhe në krye të Kombëtares dhe analizon teknikët e huaj që kanë drejtuar përfaqësuesen. Gjithashtu, Duka flet për marrëdhëniet me MTKRS dhe projektin për rikonstruksionin e “Qemal Stafës”. 1-shi i “qeverisë së futbollit” i përgjigjet disa prej kritikave të lëshuara ndaj tij. Në fund, shprehet se objektivi i FSHF-së është që ta dërgojë futbollin çdo vit një hap përpara.

-Edhe këtë sezon pamë një kampionat shqiptar të bukur ku titulli u përcaktua sërish në finale?

-Çdo kampionat po bëhet edhe më i bukur. Kampionati i fundit pati garë të fortë dhe futbolli tregoi se ka bërë hapa përpara. Gara është kontribut i të gjitha skuadrave. Uroj që të gjithë të kenë marrë maksimumin nga çfarë i kanë vënë objektiva vetes. Një ndeshje finale Tirana-Vllaznia ka dhuruar emocione dhe kemi parë një stadium të mbushur, çfarë do të thotë se kemi fituar edhe tifozët.

-Në fund të kampionatit ka nisur edhe një hetim nga Prokuroria për ndeshjen Bylis-Shkumbini. Edhe FSHF me grupin e vet po heton. Deri ku ka shkuar kjo çështje?

-Nuk jam unë ai që merrem me hetimin e tolerimeve. Deri në ditën e fundit, kampionati ka qenë një ndër më seriozët e Europës dhe të vet historisë së futbollit në vendin tonë. Tolerime ka edhe në vende të tjera, dhe te ne janë minimale në krahasim me të tjerët. Por, sigurisht që duhet të jenë zero. Organet kompetente duhet të veprojnë dhe të marrin masa. Nëse do të vërtetohet që në këtë ndeshje ka tolerime, atëherë siguroj që masat do të jenë drastike.

-Nëse vërtetohet, do të rikthehet Elbasani në Superligë?

-Si të jetë e shkruar rregullorja e lojës.

-Gjyqtarët kanë qenë ndër të përfolurit gjatë këtij sezoni?

-Përsa unë kam dëgjuar për futbollin dhe për sa të ekzistojë futbolli, mendoj se do të jenë të goditur. Në mantalitetin e njeriut dhe klubit, ata janë të prirur të vënë re gabimin më minimal pasi duan të marrin më të mirën nga gara. Nuk janë më të mirët në Europë, por as më të këqinjtë. Gjyqtarët nuk kanë ndikuar në renditjen përfundimtare të kampionatit. Gabimet janë njerëzore nga të gjithë, pasi nuk është lojë elektronike.

-Pse ndryshoi finalja e Kupës, sepse këtu thuhet se nisën lëshimet në kampionat?

-E kam dëgjur shpesh këtë koment abuziv nga media. Finalja ka qenë e parashikuar që para nisjes së sezonit. Fakti që luhet finalja përpara, nuk do të përligjë lëshimet, apo edhe trukimet. Për të shuar këto zëra kemi edhe dokumentat themeltare të FSHF-së. Ky është gabimi më i madh që thonë pseudo-specialistët. Nuk thuhet që finalja e prishi kampionatin. Nuk ka rëndësi kush e ka fituar Kupën, skuadrat duhet të japin makskimumin në kampionat. Ka edhe raste që Kupa luhet në janar. Po për këtë ç’duhet të themi që të mos luhet më kampionati më pas?

-Fenomeni Partizani pa para. Nuk mendoni se ky fenomen e prishi garën në njëfarë mënyre. Pra, nuk duhet FSHF që të ndërhyjë në raste falimentimi financiar të klubeve?

-Nuk jam me këtë teori që e kam dëgjuar shpesh. Nuk ka kërkesë buxhetesh, por ka një siguri gare. Pra, ne kemi një kompani sigurimesh që sigurohen të gjitha skuadrat në fillim të aktivitetit dhe nëse shpall falimentin, atëherë kompania e sigurimeve e çon deri në fund të kampionatit. Kurse për Partizanin është ndryshe. Sepse kjo skuadër nuk ka falimentuar. Këto janë probleme të brendshme të klubit dhe jo tonat. Pra, e rëndësishme është që të mos ndodhë masa ekstreme e falimentimin.

-Infrastruktura… Kemi një ndryshim në vitet e fundit. Do luhet futboll në Ersekë, Laç dhe Krujë. A janë gati këto stadiume?

-Infrastruktura ka ndryshuar dhe vazhdon të përmirësohet. Futboll luhet edhe në qytete të tjera përveç këtyre. Laçi, një emër që në të kaluarën e ka tmerruar futbollin shqiptar, unë deklaroj se fusha e Laçit është më e mira në Shqipëri, pa frikë. Atje ka probleme të tjera, të vogla, por që do të rregullohen. Po kështu edhe në Krujë, apo edhe në Ersekë. Ne po vazhdojmë që të restaurojmë dhe të ndërtojmë fusha stëvitore dhe shumë shpejt do të kemi edhe më shumë fusha. Pra, kjo bëhet që në vitin 2010 thuajse në të gjitha stadiumet e vendit të kemi të paktën 7 stadiume që do të luhet me drita.

-Ky sezon nuk ka qenë si një vit apo dy më parë për dhunën. Vetëm incidente të vogla si në Peqin dhe Pukë…

-Futbolli është garë, emocion dhe jo teatër, apo opera. Pra, duke qenë kështu, emocionet kalojnë deri në ekstrem dhe bëhen të pakontrollueshëm. Pra, nuk mund të themi se ka patur dhunë, por raste sporadike të shpërthimit të emocioneve ka patur.

-Formula e kampionatit…shumë dilema. Çmund të thoni?

-Personalisht nuk kam marrë pjesë në diskutim. Është çështje teknike sa ekipe mund të ketë në garë dhe çfarë lloj skeme duhet të ketë. Është një gjë që e kanë diskutuar teknikët. Pra, duhet të ulen të gjithë dhe të vendosin. Por, duhet ta dini që vendimet merren për të ardhmen dhe jo për të kaluarën. Kam dëgjuar se ne duam të jemi të mirë me dikë dhe mund të ndryshojmë strukturën apo rregullat. Kjo nuk është e vërtetë. Ne duam që të mbrojmë garën dhe të jemi të mirë vetëm me futbollin. Nëse ka ndonjë vend tjetër në Europë që bën ndryshim strukture për kampionatin e përfunduar, atëherë do ta bënim edhe ne. Por, futbolli ka rregulla që nuk mund të shkelen. Është njësoj sikur të dalë një dhe të thotë se futbolli duhet të luhet me 13 lojtaë. Një skuadër luan me 11 vetë, pavarësisht se ata 7 në pankinë do të mërziten.

-Është folur shumë për ndërtimin e një stadiumi të madh. Çfarë po bëhet me këtë?

-Është e domosdoshme që Shqipëria të ketë një impiant modern. Ti përshtat kushteve të UEFA për zhvillimin e ndeshjeve të Ligës së Kampioneve. Nuk kemi asnjë stadium që të plotësojë kushtet për këtë kompeticion. Kemi projektet tona për të ndërtua një stadium të ri apo edhe për të rindërtuar “Qemal Stafën”. Por, FSHF nuk ka gjetur mbështetje financiare nga qeveria shqitare. Për të ndërtuar një impiant të ri, ne gjejmë financues. Duam nga qeveria një vend ku të ndërtohet. Propozimin i’a kemi bërë. Kemi dërguar një projekt në MTKRS për rikonstruksionin e “Qemal Stafës”. Konsiston në rindërtimin me pjesë nga e para, të tribunës kryesore, asaj përballë dhe mbrapa porte. Mbulimin e katër tribunave dhe krijimin e kushteve dhe faciliteve për zhvillimin e ndeshjeve të Ligës së Kampioneve. Por, nuk kemi marë asnjë përgjigje pozitive. 50% të financimi e bën FSHF.

-Dhe nuk ka asnjë përgjigje?

-Ministri Ardian Turku ka vullnetin, por nuk i mjaftojnë fondet për këtë. Në ndeshjen me Portugalinë, një prej delegatëve të UEFA-s na sugjeroi që të rrisim tribunën. Një tribunë me 6 mijë vende. Edhe media e bën punën në kushte mizerabël. Është e vogël dhe nuk i krijohen kushte gazetarëve për vendet e tyre.

-Partizani dhe Elbasani në Kategorinë e Parë?

-Duhet të kontribojnë më shumë për të marë më shumë nga kjo garë. Nuk është normale për të kuruar dikë. Vet Partizani dhe Elbasani duhet të rregullojnë problemet dhe më pas të hyjnë në Superligë.

-Kristiano Ronaldo u ble para disa ditësh me një shumë maramendëse parash nga Reali. Edhe kampionati ynë po prodhon lojtarë që mund të blihen shtrenjtë me shuma që mund të shkojnë më shumë se 100 mijë euro, në një kohë që paguhen njëkohësisht me shuma të mëdha?

-Nuk i kam parë me vëmendje shpërblimet e futbollistëve. Vet klubet e gjykojnë, pasi janë ato që i punësojnë.

-Ish-trajneri Han, iku, apo e largoi FSHF?

-Ka qenë një kërkesë e jona që ai s’duhet ta vazhdonte më punën. Për hir të kontratës që ai kishte deri në 2010, arritëm të gjenim një konsensus që ai ta linte detyrën. Nuk dua të them fjalë të këqija sepse ai ka dhënë maksimumin. Por, nganjëherë vetëm dëshira nuk mjafton.

-Në Holandë ai është shprehur se në Shqipëri nuk kishte kushte…

-Edhe unë i kam lexuar dhe jam shumë i bindur që janë spekulative. Të gjithë e dinë se cilat janë kushtet e kombëtares. Por, për faktin që ka thënë se të gjithë shqiptarët duan të shkojnë në Botëror, kjo është e vërtetë.

-A ruani më kontakte me Han?

-Jo, kam folur disa herë në telefon, por vetëm kaq.

-Kuzhe, pse kjo zgjedhje?

-Jemi menduar gjatë që të vendosim për më të mirën. Kemi pasur parasysh kushtet tona dhe momentin ku ndodhet ekipi ynë. Pamë disa kandidatë dhe arritëm në përfundimin se ky është i duhur. Ka eksperiencë mbi 25-vjeçare dhe ka drejtuar ekipe me emër si Dinamo e Zagrebit. Vlerësuam përgatitjen e tij intelektuale dhe mentalitetin e tij. Ky trajner mund të punojë shumë me elementin e ri që futbolli ka nevojë. Kjo është zgjidhja që mendoj se do e ndihmojë futbollin tonë.

-Çfarë roli ka luajtur Bariç në zgjidhjen e Kuzhes?

-Oto ka insistuar që ky është trajneri i përshtatshëm. Por, nuk ka qenë vetëm opinioni i Otos. Ne jemi takuar në disa seanca me Kuzhen dhe kemi biseduar shumë gjatë dhe kemi arritur në atë që të themi se Bariç ka patur dhe ka të drejtë.

-Objektivat e Kuzhes dhe FSHF?

-Kur jemi ulur në tavolinë me Kuzhen, ajo që i kemi kërkuar është të mbyllim një edicion nga, i cili nuk kemi pretendime pikësh, por ato ndeshje që na kanë mbetur, të luajmë dhe të marim maksimunin. Por, ne mendojmë edhe për edicionin e ardhshëm të eleminatoreve të Europianit. Ne duhet të bëjmë maksimumin. Duhet të bëjmë atë që bëmë ndaj Portugalisë në dy ndeshjet zyrtare.

-Flitet se Bariç do të bëjë konsulentin pranë Kombëtares?

-Është një njeri me shumë eksperiencë dhe e njeh mirë futbollin. Të shfrytëzosh Bariç, mendoj se nuk është keq.

-Është folur shumë për të kaluarën e Kuzhe në lidhje me bixhozin. Çfarë mund të thoni?

-Çdo njeri e bën jetën private që do dhe nëse bën gjëra të lejuara, mund të bëjë çfarë të dojë. Ka shumë gjëra të mira që media mund të thotë për të, por vet konsumatori thith më shpejt të keqen se sa të mirën dhe media nuk ka faj. Ai ka dy fakultete dhe është diplomuar në shkollën e futbollit dhe në mjekësi. Ndoshta ka luajtur në kazino, por çdo njeri bën në kohën e lirë një aktivitet. Sa ka jetuar në Shqipëri nuk e kam parë të shkojë në kazino.

-A do të punojë Kuzhe me të rinjtë?

-Është puna e teknikëve dhe ata i kanë kushtet. Trajnerët e ekipeve të moshave janë të punësuar Full-time në FSHF. I kanë evidentuar fëmijët shqiptarë në të gjithë Shqipërinë dhe në Europë. Do të fillojnë edhe grumbullime. Janë teknikët që vendosin se kur do te ndyshojnë lojtarët e vjetër me të rinj.

-Kuzhen e njohim shumë pak, por cili nga të huajt ju ka bërë më shumë përshtypje nga ana profesionale?

-Në përgjithësi njerëzit nuk janë të krahasueshëm. Të gjithë kanë dhënë më të mirën e tyre në drejtim të ekipit kombëtar. Nëse do të nisemi nga rezultatet, ato më të mira i ka patur Brigel.

-Brigel thotë se nëse Duka më telefonon, kthehem?

-Unë kam kontakte me të dhe e respektoj. Madje, e vlerësoj. Ai ishte më shumë se një trajner i mirë. Ishte kampion i madh dhe arriti të krijonte një klimë shumë objektive. Ekipi luante edhe për trajnerin. Por, në përgjithësi mua nuk më pëlqejnë rikthimet.

-Ndeshja me Portugalinë, sërish ndëshkohemi në fund?

-Një ndeshje e luajtur mirë nga ekipi. Skuadra dha më shumë se mundësitë tona. Përballë kishim një kundërshtar me yje, por në fushë nuk u duk se kush ishin më të mirët. Lojtarët në fushë dhe stadiumi plot, bëri që ti shtynte më shumë futbollistët. Në futboll ndodh gjithçka, ashtu siç mund të fitosh, ashtu edhe mund të humbasësh. Nuk duhej të vinte ai gol.

-Me Gjeorgjinë fituam diçka?

-Gjeorgjia i ka shërbyer trajnerit dhe vetë futbollistëve të rinj. Në mënyrë që ata të shikojnë edhe veten se në çfarë kushtesh janë. Do të isha shumë i kënaqur për një rezultat pozitiv. Sepse pas humbjes me Portugalinë spektatori do të donte një fitore. Megjithatë, ishte një ndeshje e luftuar dhe kjo më pëlqeu.

-Përpara janë Danimarka dhe Suedia?

-Në shtëpi luajmë mirë futboll. Është e vështirë të parashikosh rezultate. Ndaj Danimarkës mendoj se do bëjmë një ndeshje të mirë. Nuk besoj se do humbim.

-A do rikandidoni sërish për kreun e FSHF-së?

-Ma bëjnë edhe herë të tjera këtë pyetje. Jam në këtë garë dhe mendoj se gara të përfshin dhe të bën të mos mendosh për të ardhmen. Jam i sigurtë që futbolli më pëlqen dhe ambjenti me të mirat dhe të këqijat e veta më pëlqen njëkohësisht. Do të jem pranë futbollit pavarësisht pozicionit.

-Akoma nuk e keni menduar?

-Ka kohë deri atëherë. Më pelqen të jem në futboll.

-A do të ketë ndryshime në FSHF?

-Nuk mendoj se kanë buruar gabime nga FSHF për të ndikuar te gara. Ku ka njeri që nuk bën gabime. Ai që nuk bën gabime do të thotë që nuk ka punuar pasi nuk ka bërë gabime. E rëndësishme është që të mos bëjnë gabime për të ndikuar te gara. Njerëzit bëjnë opinion në bazë të interesave siç ishte data e finales së Kupës.

-Igli Tare dhe Rudi Vata shpesh kanë qenë kritikues ndaj Kombëtares?

-Kritikat nuk janë të këqija dhe sjellin zhvillim. Nëse janë kritika, por nëse villet vrer, nuk i bëjnë mirë as atij që i bën.

-Për herë të parë në Shqipëri mbërriti një pesident i UEFA-s, Mishel Platini. Si i keni marrëdhëniet me të?

-Janë të shkëlqyera. Jo vetëm me të, por edhe me UEFA-n dhe FIFA-n. Janë marrëdhënie mbi baza institucionale. I krijon institucioni këto marrëdhënie të mira.

-A keni menduar ndonjëherë për një kampionat të përbashkët Shqipëri-Kosovë.

-Nuk është projekt. Kampionati duhet të jetë kombëtar dhe zhvillohet brenda territorit të një shteti. Nëse bën aktivite të ndryshme, këtë nuk ta ndalon njeri.

-Çmund të thoni për marrëdhëniet me MTKRS?

-Nuk kemi më konflikte. Ne kemi një kontakt tani dhe kemi marrëdhënie të mira me të gjithë, që nga ministri Ardian Turku e deri tek Drejtori i Sporteve, Vasil Bici. Pra, merremi vesh me njëri-tjetrin.

-Si e vlerësoni punën e stafit në FSHF?

-Është një nga institucionet më të mira në Shqipëri. Federata sot është ndërtuar mbi një administratë të plotë për ta drejtuar dhe menaxhuar mirë atë. Jam i kënaqur nga administrata. Por, ajo është si arbitrat. Në institucionin e futbollit që merret me organizimin e garës së futbollit, nuk ka sesi të mos ketë edhe gabime.

-Ish-Sekretari i Përgjithshëm i Federatës, Sulejman Starova ka deklaruar se javët e fundit u luajt teatër në futboll. Duka nuk po e drejton siç duhet FSHF-në, por ju ka akuzuar edhe për Kuzhen. ǒmund të thoni?

-Jemi në demokraci dhe secili thotë atë që mendon. Nëse ka qenë teatër, atëherë unë shpresoj që ata që e kanë parë mos të kenë qenë vetë aktorët e atij teatri.

-E ndieni veten të lodhur ndonjëherë?

-Nga Federata kam fituar eksperiencë dhe kjo më bën që të them se nuk jam i lodhur. Kjo më bën që punët t’i bëj më profesionale. Sepse kur erdha në fillim e kisha të vështirë ta drejtoja. Por, të drejtosh FSHF-në është shumë më e vështirë se të drejtosh një biznes.

-Çështja e Kosovës. ǒdo të bëjë Shqipëria?

-Është një çëeshtje që nuk varet nga ne. Ne kemi një votë dhe do lobojmë. Por, rregullat janë të qarta. Për të qenë anëtar i UEFA-s duhet të jesh anëtar i OKB-së. Kurse statuti i FIFA-s thotë që duhet ta pranojë komuniteti ndërkombëtar, por nuk thotë se sa përqind. Megjithatë, duke qenë se vendimet i marrin bashkarisht këto dy instanca, atëherë është e vështirë.

-Për sezonin e ardhshëm, cili është objektivi i FSHF-së?

-Ajo që ne kemi në kokë të realizojmë dhe që kemi realizuar nuk është pak. Shifrat e atyre që duam të realizojmë ne, shkojnë deri në 4 milionë euro. Por, objektivi kryesor i yni është që ta çojmë futbollin të paktën një hap përpara çdo vit.

///start-ora news///

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›