E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkup, mbërrijnë 50 mijë doza tamiflu

Shkup - Mbërritën të dielën në Shkup edhe rreth 50 mijë doza të medikamentit “Tamiflu”, i cili ndihmon në kurimin e gripit të derrit të shkaktuar nga virusi A(H1N1). Nga Ministria e Shëndetësisë informojnë se dërgesa pasi të kalojë procedurën doganore do të ruhet si rezervë në rast të shfaqjes së gripit të ri në Maqedoni. “Në fillim të korrikut do të mbërrijnë edhe pesë mijë doza shtesë prej ilaçit ‘Relenca’, i cili dedikohet për mjekim në rastet kur nuk vepron medikamenti ‘Ttamiflu’. Furnizimi i medikamenteve zhvillohet në kuadër të planit nacional operativ për parandalimin me kohë të dukurisë apo përhapjes së gripit të ri nga tipi A (H1N1)”, informojnë nga Ministria e Shëndetësisë.

Maqedonia momentalisht disponon me 13 mijë doza “Tamiflu”, ndërsa tek prodhuesi zviceran “Rosh” janë rezervuar edhe 150 mijë doza plotësuese të këtij lloj ilaçi. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) më 11 qershor shpalli pandemi të gripit të ri të tipit A (H1N1), duke theksuar me këtë rast se është rritur numri i personave të sëmurë në Britaninë e Madhe, Australi, Japoni dhe Kili. Në Maqedoni edhe pse nuk ka asnjë rast të identifikuar me këtë lloj virusi, janë ndërmarrë të gjitha masat për u përballur me të.

“Sistemi shëndetësor në Republikën e Maqedonisë është i përgatitur që me kohë të reagojë dhe ta pengojë përhapjen e sëmundjes, nëse ndodhë që ajo të përfshijë edhe vendin tonë. Janë ndërmarrë të gjitha masat preventive për reagim të shpejtë nëse shfaqen simptoma të sëmundjes, për pengimin e përhapjes së saj, si dhe për trajtimin adekuat mjekësor të personave që eventualisht mund të infektohen”, tha Osmani, duke i apeluar qytetarëve që të bëjnë kujdes me higjienën personale, të konsumojnë lëngje dhe vitamina dhe të ajrosin hapësirat ku qëndrojnë.

OBSH-ja ka vlerësuar se pandemia e gripit është me intensitet të matur dhe se nuk rekomandohet mbyllja e kufijve apo aeroporteve. Vdekshmëria nga ky grip tash për tash është nën 0,5 për qind. Virusi i gripit A është paraqitur në prill në Meksikë dhe me shpejtësi të madhe është përhapur në botë. Deri tani sëmundja është regjistruar në 74 shtete dhe me këtë rast janë infektuar 30 mijë njerëz, ndërsa kanë vdekur 141 persona.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›