E Diel, 1 Nëntor 2026

Duka në Itali, konsulencë me Taren

SHKRUAN: Jeton Selimi 14-10-2011 15:21

Një trajner italian në krye të kombëtares kuqezi ka qenë dëshira e tij që në ditën e parë kur u zgjodh si president i Federatës Shqiptare të Futbollit. Armand Duka duket se ka ndërmend që t’i rikthehet dëshirës së vjetër, por natyrisht më parë do të duhet të mësojë edhe kostot financiare të saj. Burime të sigurta në FSHF thonë se njëshi i futbollit shqiptar ka udhëtuar ditën e djeshme drejt gadishullit Apenin dhe si objektiv nuk ka pasur punët personale të tij. Të njëjtat burime theksojnë se Duka paskësh kërkuar një takim me drejtorin sportiv të Lacios, një njohje e vjetër e familjes kuqezi, Igli Taren.

Bashkëpunimi Duka-Tare me Dosenën

Igli Tare është bërë edhe më parë shkes për një trajner italian në krye të kuqezinjve. Bëhet fjalë për Bepe Dosenën, ish-lojtarin kampion bote të Italisë, që u bë i famshëm në kontinent me fanellën e Torinos dhe Sampdorias. Por aventura e Dosenës me Shqipërinë zgjati shumë pak. Ai zhvilloi vetëm dy ndeshje në krye të kuqezinjve, fitoren e Shqipërisë 1-0 në miqësoren me Kosovën, si dhe humbjen 4-1 në Volgograd të Rusisë. Më pas, ai tradhtoi besimin e Dukës dhe Tares për milionat e libianëve të Al-Zhedah. Zhgënjimi ishte i madh, por presidenti nuk hoqi dorë nga bashkëpunimi me Iglin edhe pas largimit të Hans-Peter Brigelit. Nevio Skala ishte shumë pranë stolit të Shqipërisë, por në çastet e fundit, Duka vendosi t’i besonte detyrën plakushit Oto Bariç.

Autoriteti i Tares, faktor mbështetjeje

Igli Tare nuk i humbi pozitat e tij si drejtor i Lacios as kur skuadra nuk arriti të bënte një kampionat mbresëlënës para dy sezonesh. Megjithatë, presidenti Lotito i besoi verbërisht dhe vjet, bardhekaltërit arritën vendin e pestë. Por puna e Tares shpërtheu në sezonin aktual. Me afrimet e Kloses dhe Sises (për të parin mori edhe lëvdadat e Franc Bekenbauerit), reputacioni i Igli Tares në gadishull por edhe në kontinent është rritur ndjeshëm. Ndaj, fjala e tij do të bënte vërtet punë në këtë moment. Por nuk përjashtohet as mendimi i tij edhe për ndonjë nga bashkë-lojtarët që aktualisht kanë një karrierë të qëndrueshme në klube të ndryshëm. Besnik Hasi dhe Bledar Kola janë dy nga emrat më të kuotuar

Takimi me kroatin Josip Kuzhe

Ende nuk janë dhënë detaje për takimin e javës së ardhshme mes presidentit Duka dhe trajnerit Josip Kuzhe. Ky i fundit ka udhëtuar në Kroaci dhe nuk ka qëndruar në apartamentin e tij në Tiranë për të pritur këtë takim, një fakt ky që tregon qartë krisjen mes tij dhe Dukës. Sidoqoftë, pro kroatit ka dalë kapiteni Lala, që në një deklaratë e ka etiketuar trajnerin si të pafaj në situatat negative që përjetoi në këto eliminatore.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›