Bino: Kthimi i ligjit, veprim politik
Zv.ministri: “Kur flasim për riciklim, nuk flasim as për ruajtjen, as për asgjësimin dhe as për mbetje të rrezikshme”
TIRANË Ata që nuk e kanë pritur aspak mirë kthimin e ligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, kane qenë vetë hartuesit e këtij ligji, të cilët kanë argumentuar dje se përmbajtja e këtij drafti është bërë me asistencën e Bashkimit Europian. Specialistë të Ministrisë së Mjedisit kanë deklaruar dje se me rikthimin e këtij ligji për shqyrtim, Presidenti i Republikës ka lënë në fuqi një tjetër ligj të ndryshuar në vitin 2008, që lejon importin e mbetjeve urbane në Republikën e Shqipërisë. Sipas specialistëve, ligji është hartuar në bashkëpunim me BE-në sipas projektit “Inpael”, me një kosto prej 3 milionë eurosh. Ndërsa zv.ministri i Mjedisit, Taulant Bino, ka deklaruar dje se ligji për mbetjet i kthyer nga Presidenti, mbështetet në standardet e kërkuara nga Bashkimi Europian dhe nuk ka asnjë mospërputhje. Bino shtoi se qëndrimi i presidentit Topi është një veprim politik. Sipas zv.ministrit, me mungesën e miratimit të ligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, kthehemi në hapa mbrapa. “Neni 48 i ligjit thotë se ndalohet importi i mbetjeve të rrezikshme, ndalohet importi i mbetjeve jo të rrezikshme për qëllime ruajtje ose asgjësimi, ndërsa neni tjetër trajton vetëm përdorimin e mbetjeve për qëllime riciklimi. Dhe kur flasim për riciklim, nuk flasim as për ruajtjen, as për asgjësimin dhe as për mbetje të rrezikshme. Pra, nuk ka asnjë kundërshtim në dispozitat e këtij ligji...”, tha dje Bino. Ai theksoi se përdorimi i mbetjeve për riciklim nga industria ndihmon në minimizimin e tyre. “Qëllimi i ligjit, është të reduktojmë mbetjet dhe të rrisim riciklimin”, - shtoi ai.