E Diel, 1 Nëntor 2026

Duka-tifozëve: Ishte Hasi ai që s’pranoi detyrën

SHKRUAN: Jeton Selimi 10-11-2011 15:52

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka akuzuar grupimin “Tifozat Kuq e Zi” se janë “politikisht kundër tij” dhe se situata me Besnik Hasin është keqinterpretuar pasi “Federata ia ka plotësuar të gjitha kushtet”

Pas mosarritjes së marrëvshjes mes Armand Dukës, presidentit të FSHF-së, dhe Besnik Hasit, ish-lojtar kuqezi, tifo-grupi më i madh që mbështet në mënyrë të organizuar Shqipërinë, “Tifozat Kuq e Zi” kanë reaguar me një komunikatë për shtyp duke akuzuar presidentin Duka dhe institucionin që ai qeveris, FSHF-në, si përgjegjës për dështimin e bisedimeve që do të sillte beniaminin e tifozërisë në drejtim të kuqezinjve. Por, një ditë më pas ka qenë radha e presidentit Duka që të reagojë kundër akuzave të tifozëve, duke i cilësuar ato si të nxituara dhe aspak të bazuara. Sipas kreut të FSHF-së, grupimi “Tifozat Kuq e Zi” janë manipuluar nga dikush, pasi, sipas Dukës, ato që tifozët kanë servirur në komunikatën e tyre për shtyp në lidhje me pozicionin e Besnik Hasit, nuk qëndrojnë. “‘Tifozat Kuq e Zi’ rregullisht marrin pozicione politike kundër meje. Kam përshtypjen se dikush është iniciatori dhe i përdor në mënyrë permanente të sillen negativisht kundrejt meje dhe institucionit që drejton futbollin, FSHF-në” – është shprehur për sajtin albaniasoçer.com, presidenti i Federates Shqiptare te Futbollit Armand Duka pas nxjerrjes së deklaratës per bojkotime të grupit TKZ.

Sipas Dukës, Hasit i janë plotësuar të gjitha kërkesat vetëm e vetëm që ai të vinte në krye të Shqipërisë, por paskësh qenë pikërisht Hasi njeriu që ka “minuar” gjithçka duke preferuar të qëndronte zëvendëstrajner i Anderlehtit. Duka tregon se Hasit i janë plotësuar si detajet ekonomike të kontratës, ashtu edhe kohëzgjatja e saj prej katër vjetësh. “"Nuk është aspak e vërtetë që FSHF dhe unë personalisht nuk kemi pranuar që Besnik Hasi të bëhet trajner i kombëtares së Shqipërisë. Ne ramë dakort me Hasin për të gjitha. I ofruam kontratë 4-vjeçare, i dhamë ekskluzivitet të plotë për të zgjedhur stafin drejtues. I dhamë pagën që kërkoi dhe premio siç kemi bërë me të gjithë trajnerët e tjerë. Ne e kishim me shumë dëshirë që Hasi të bëhej trajner i ekipit kombëtar. Por pasi Besniku u takua me Presidentin e Anderlehtit, ai nuk e lejoi të largohej, pasi ishte nën kontratë me klubin belg", vazhdoi Duka, duke treguar kështu nëj version tjetër të mosarritjes së marrëveshjes me Hasin, ndryshe nga ajo që grupimi TKZ dha një ditë më parë. "Ishte zgjedhja e Hasit që të qëndronte te klubi belg dhe mos të pranonte të merrte pozicionin e trajnerit të kombetares, madje ai ndjehet edhe fajtor ndaj meje" - përfundoi kreu i FSHF-së, Armand Duka. Edhe shefi i zyrës së shtypit, Lirim Zalla, ditën e djeshme ka konfirmuar këtë version të fakteve duke pranuar se ka qenë Hasi ai që i ka “kthyer shpinën” postit të trajnerit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›