Edi Rama: Si e njoha Fatos Nanon dhe prishja e miqësisë me të
Në librin “Kurbani”, të promovuar dje, Edi Rama rrëfen ulje-ngritjet e marrëdhënieve me Fatos Nanon, bisedën e parë telefonike më 1997, kur ndodhej në shtëpinë e Bashkim Shehut dhe takimin e parë në Tiranë, të cilin e mundësoi Gramoz Pashko. “E vërteta është se krisjen, që pastaj u bë thyerje përfundimtare e miqësisë së vdekur në ngricë, e shkaktova unë, jo Fatosi”
Nga Edi Rama
Me Fatos Nanon më bënë mik, pa e njohur, letrat që nxirrte me një gjuhë krejt të veçantë demokratike nga burgu i Sali Berishës dhe bisedat e ngrohta përpara kthimit tim të paparashikuar nga Parisi. Më tej ma lëkundën fillimisht fort respektin perversitetet e kthyera në instrument lufte politike gjatë katharsisit të KPD-së famëkeqe të vitit 2001, e pastaj ma rrënoi si befasi e paparafytyrueshme flirti i tij mendjelehtë e zvjerdhës deri në shpërfytyrim me vetë Saliun, që e çoi në pikën e hallit, ku s’di të ketë përfunduar ndonjëherë në histori ndonjë lider i njërës prej dy forcave të mëdha politike të një vendi, duke parë syhapur ëndrra me këna e krëhër në dorë para pasqyrës së qenefit të kundërshtarit historik. Shumëçka që më pas fatkeqësisht ka ndodhur në këtë vend, do ta kisha besuar dikur, por që Fatos Nano që unë njoha nga afër, në ditë të mira e të zeza duke mundur t’i çmoj aftësi e intuicione të rralla do të katandisej në karremin e haremit politik të Saliut që i jep xhelatit të dikurshëm lezetin më fundor të shpirtit të vet hakmarrës, kjo do të më dukej pjella e fantazisë më të shthurur, që kurrë s’mund t’i ndodhte atij njeriu mendjeshkathët as në ëndrrën e tij më të keqe. Ky nuk është, gjithsesi, as vendi për të shtjelluar historinë e dhimbshme politike të Fatos Nanos, as një rast për të treguar marrëdhënien time të gjatë, me drita tërheqëse e hije të rënda me të, jashtë kontekstit të punës e peripecive si kryetar i Bashkisë së Tiranës. Megjithatë druhem se nuk është hera e fundit që rrëfimi sjell në rreshta njeriun që, si kryetar i Partisë Socialiste, më pas edhe si kryeministër i vendit dhe pastaj si qytetar influent i zhveshur nga çdo funksion politik, në momente kyçe luajti rolin e tij të rëndësishëm, për fat të keq asnjëherë realisht dashamirës qyshse ndjeu krisjen e fortë të një raporti ku miqësia e veçantë ia kishte lënë vendin një distance të acartë, e cila zgjerohej sa më shumë politikani më qytetar i vendit zvogëlohej e idhtohej si njeri brenda guackës ku bluante veten, me dëshirën gërryese për t’u hakmarrë ndaj gjithë botës, si pasojë e një rënieje dramatike që s’ndalej qysh nga përvoja fatkeqe e tmerrit të grushtit të shtetit të vitit 1998, duke u larguar vijimësisht nga epiqendra e vëmendjes ku ishte mësuar të jetonte e ta përkëdhelte pa kursim sedrën e tij. Rikthimi triumfal në kongresin ku u konfirmua kryetar i PS-së, me një ringritje spektakolare nga thuajsehiçi kundër gjithë parashikimeve, duke mundur Pandeli Majkon me një grusht votash të siguruara nga Ilir Meta, ia kishte përndezur më keq atë dëshirë; kompromisi me këtë të fundit s’ishte tjetër veçse një manovër dinake për t’i ngrënë një e nga një kokat e kundërshtarëve të futura në rreth, duke ndjekur planin e hakmarrjes si rimishërimi i Kontit të Montekristos, të cilin e sillte nganjëherë në biseda duke qeshur, po jo dhe aq me të qeshur, por e përjetonte realisht, falë edhe natyrës së tij prej aventurieri gjysmë romantik e gjysmë marifetçi, i dashuruar me veten si pakkush, sa i zgjuar aq i palexuar, sa i vetësigurt në shfaqje, aq i luhatur në brendi, sa veshëhapur për gjithçka gjithnjë e më i zellshëm për të mos dëgjuar me gjithë mend asgjë serioze, sa i dhënë pas pushtetit të tij mbi të tjerët aq i papërgjegjshëm në shpërdorimin e pushtetit të marrë nga të tjerët. U mërzit shumë kur në një nga bisedat e fundit para dështimit katastrofik të vitit 2005, i thashë në një tavolinë miqsh e kolegësh:”Je si një fëmijë që, kur pushtetin e sheh si një lodër në dorën e të tjerëve, çmend dynjanë me kujën tënde, derisa e merr lodrën, po me ta marrë, ulesh përtokë dhe fillon e zbërthen çika-çika, derisa s’të mbetet më gjë në dorë”, por ajo ishte, për fat të keq marrëdhënia e Fatos Nanos me pushtetin. Gjithsesi, e vërteta është se krisjen, që pastaj u bë thyerje përfundimtare e miqësisë së vdekur në ngricë, e shkaktova unë, jo Fatosi. Në harkun e pak më shumë se një viti pasi isha zgjedhur kryetar bashkie, shumë gjëra të papëlqyeshme kishin ndodhur në mjedisin e Partisë Socialiste. Në këndvështrimin tim, ajo ishte koha që fatalisht përcaktoi edhe rikthimin e pabesueshëm të Saliut në pushtet katër vjet më pas, për shkak të rënies së PS-së në një batak të shpifur, era e të cilit sot e gjithë ditën s’ka ikur plotësisht nga mjedisi i partisë më të madhe të shqiptarëve. Nëse koha do të mund të kthehej mbrapsht, s’do ta kisha bërë më atë batutën e bujshme të krahasimit të Fatosit me Robert Çamçakëzin, dembelin me “shfaqje të huaja” të portit të Durrësit në një film kult të socrealizmit për heroin e klasës punëtore Adem Reka. E vërteta është se, për dreq, ai parazit simpatik që rrumbullohej paq, fishkëllente këngë të huaja, shpotiste kalimtarët dhe tërhiqte mbi vete sa energjitë negative të gjithë kantierit e sa interesimin e spektatorëve, ngjante për kiamet me Fatosin e kohës së katharsisit të bubullimshëm nëpër pijetoret e katundeve të Shqipërisë, ku kryetari i Partisë Socialiste i vuri kazmën jo vetëm qeverisë socialiste të Ilir Metës, as edhe vetë partisë që udhëhiqte, por më thellë akoma, themeleve morale dhe etike të debatit politik e shoqëror në këtë vend….
***
Ruaja një mbresë të shkëlqyer nga nata e asaj fitoreje ( red.qershori 1997), kur rastësia e solli që edhe të flisnim për herë të parë me njëri-tjetrin. Atë mbrëmje isha në shtëpinë e Bashkim Shehut në Bacelonë, mik i mirë me të cilin shihemi rrallë, por është përherë kënaqësi e posaçme të bisedosh, sepse ka kulturë të madhe, përsosje të pazakontë të shijeve letrare, artistike, por edhe politike, e mbi të gjitha një njerëzillëk të hatashëm që nën çatinë e tij të bën të ndjehesh rehat si rrallëkund, dhe ndiqnim rezultatet me telefon, kur në një nga bisedat me Avokatin, më kaloi “Mjekrën”, siç e quanim mes nesh Fatos Nanon, që pasi e urova për fitoren, më çuditi me përgjigjen:”Është rasti të të uroj edhe unë ty, sepse kjo është fitorja ime sa ç’është jotja, pres të shihemi shpejt!”. Më çuditi sepse ishte ngrohtësisht miqësor, a thua se njiheshim që gjithmonë dhe kishte përulsinë e sojit më të mirë të njerëzve të suksesshëm, që famën apo fuqinë e përçojnë si gjerësi shpirtërore, cilësi që më vonë vajti duke iu tretur paralelisht me humbjen e sgurisë, sidomos pas katastrofës së 14 shtatorit të një viti më vonë. Në zyrën e tij më çoi një tjetër soj i veçantë njeriu, i ndjeri Gramoz Pashko, rebeli mondan dhe eklektik i Lëvizjes së Dhjetorit ’90, që kishte dalë nga prapaskena politike dhe ndihmonte pas kuintave si këshilltar kryeministrin që rrëzoi në vitin ’91, për të ringritur Shqipërinë e rrëzuar nën gërmadhat e piramidave që la mbas vetes në ’97-ën binjaku komunist e bajraktar i Pashkos në krye të asaj lëvizjeje. Fatosi më priti me shumë dashuri, duke rrëzuar në pak minuta çdo barrierë të mosnjohjes dhe më ftoi përzemërsisht në shtëpinë e tij për darkë, pasi takova po aty, në zyrën e tij edhe gruan e vet fisnike, Rexhinën, e më tregoi që do të nisnin të bijën në Paris për shkollim, duke më kërkuar shumë vëllazërisht ta mbaja sa të mundesha një sy hapur vëmendjeje ndaj saj. Jemi takuar më mbrapa edhe në Paris, kur erdhi në krye të delegacionit qeveritar. Drekuam në një restorant të bukur pranë Operës së Bastijës, ku vazhdoi të mundohej të më bindte pse duhej të kthehesha në Tiranë, ma kishte thënë disa herë në formë sfiduese, për t’iu bërë krah atij që ndihej i “vetmuar si në burg në lartësinë morale dhe intelektuale nga e qeveriste Shqipërinë, i rrethuar me pleshta e parazitë që meritonin t’ua mbyllte çadrën e t’i linte të kalbeshin në shi”, pa munguar të më falenderonte, siç nuk harroi ta bënte në asnjë nga kontaktet tona telefonike për herët që e ftoja, në fakt me shumë kënaqësi, Edën, vajzën e tyre vërtet të mrekullueshme, për darka me miq në shtëpi a ndonjë festë sallonesh parisiene. E nëse im atë s’do të më kishte sjellë befasisht në prill të vitit 1998 për funeralin e vet në Tiranë, duke më futur në një dëshpërim hutues dhe kallur në shpirt një ndjenjë brejtëse faji për jetën arratiske, që më shtynë të pranoja dorashkën e Fatosit, i cili, rastësia e deshi të ishte duke riformatuar qeverinë pikërisht në të thyer të atij prilli, s’kishte asnjë gjasë që unë t’i përgjigjesha apelit të përsëritur të kryeministrit të vendit për të lënë botën e artit dhe qytetin me të cilin isha dashuruar asokohe i gjithi e për të hyrë në arenën ku jam sot e gjithë ditën.
***
Për Fatosin nuk kam thënë ende që, në kohë të patrazuara miqësie, ishte shumë njerëzor, kalorësiak dhe inteligjent në çdo bisedë sado të vështirë. Orët e tij të mira shkuan duke u pakësuar në vite për t’ia lënë vendin një zdërhalljeje të pafundme në pellgun e vanitetit, por në ato orë kam mundur t’i admiroj mprehtësinë e të menduarit e zhdërvjelltësinë e të vepruarit, si dhe një qetësi relaksuese në ndjekjen me vëmendje të bashkëbiseduesit kur dëgjonte gjëra që s’i dinte. Kultura e tij ishte një raft i vogël librash të lexuar brenda një dhome të madhe diturish të grumbulluar me të dëgjuar, ngjarjesh, rrengjesh e anektodash të mbledhura në valixhen e një përvoje jetësore, ku prej viteve të burgut ishte shtuar edhe një nevojë e çuditshme për të ngatërruar si me kast se kur duhej të ishte serioz e kur garip. Kjo e bënte, siç e pat thënë vetë njeherë çakërrqejf, e sjell këtu dashamirësisht, “më rrugaçin e politikanëve dhe më politikanin e rrugaçëve.
Marrëdhënia e Fatosit me pushtetin
U mërzit shumë kur në një nga bisedat e fundit para dështimit katastrofik të vitit 2005, i thashë në një tavolinë miqsh e kolegësh:”Je si një fëmijë që, kur pushtetin e sheh si një lodër në dorën e të tjerëve, çmend dynjanë me kujën tënde, derisa e merr lodrën, po me ta marrë, ulesh përtokë dhe fillon e zbërthen çika-çika, derisa s’të mbetet më gjë në dorë”.