E Diel, 1 Nëntor 2026

Dule, Berishës: "Regjistroni popullsinë sipas fesë, gjuhës dhe etnisë"

Deputeti i PBDNJ-së, Vangjel Dule, kritikoi dje qeverinë se nuk respekton të drejtat e minoriteteve. Gjatë diskutimit të lirë në Kuvend, deputeti Dule theksoi se kjo qeveri nuk ka realizuar "alfën" e procesit për mbrojtjen e minoriteteve, ashtu siç e kërkojnë konventat ndërkombëtare. Mosrespektimi i këtyre të drejtave, theksoi Dule, konstatohet qartë te regjistrimi i popullsisë. Dule kërkoi që krahas gjeneraliteteve të tjera, minoritetet të deklarojnë edhe përkatësinë e tyre etnike, gjuhën amtare dhe besimin fetar. Sipas tij, kjo gjë në kundërshtim me çdo vend tjetër të ish-bllokut komunist nuk është bërë në Shqipëri. Më pas, deputeti Dule ka specifikuar se kjo qeveri që ka prioritet integrimin europian, zbon nga administrata çdo ditë pjesëtarë etnikë grekë. Kjo, sipas tij, bëhet vetëm e vetëm se përfaqësues të këtij komuniteti nuk janë anëtarë të PD-së apo se nuk pranojnë t‘i bëjnë shërbime një anëtari të kësaj qeverie. "Këto nuk janë praktika europiane, nuk janë sinqeritete dhe nuk mund t‘i shërbejnë kauzës në të cilën të gjithë jemi të angazhuar", u shpreh deputeti i PBDNJ-së, Vangjel Dule. Por, pas shqetësimit të ngritur nga kryetari i PBDNJ-së në sallën e Kuvendit, i menjëhershëm ishte reagimi i Kryeministrit Berisha, i cili i dha një përgjigje pozitive shqetësimit të Dules. Duke iu drejtuar në mënyrë të veçantë deputetit, Kryeministri Berisha deklaroi se ai do të plotësojë kërkesën e tij, duke shënuar pranë gjeneraliteteve edhe besimin fetar, gjuhën dhe përkatësinë etnike gjatë regjistrimit të popullsisë. "Lidhur me regjistrimin e popullatës ke mbështetjen e plotë të Kryeministrit dhe të garantoj si çdo qytetar i këtij vendi me gjithë ekzistencën e disa rekomandimeve ndërkombëtare që regjistrimet të mos bëhen siç kërkoni ju, unë ju premtoj se në regjistrimin e popullsisë që do bëhet nga kjo qeveri, çdo qytetar të ketë të drejtën të shënojë gjuhën, përkatësin etnike, besimin fetar dhe këtu nuk do të ketë asnjë pengesë", u shpreh Kryeministri Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›