Meta: Opozita të bashkëpunojë.
Progres-raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë u lexua pozitivisht prej ministrit të Jashtëm, Ilir Meta. Në një komunikim me median, ai konstatoi se në tërësi vlerësimet e raportit flisnin për progres të dukshëm. Njësoj si Kryeministri Sali Berisha, gjatë seancës së djeshme parlamentare edhe Ilir Meta në prononcimin e tij nuk harroi të ftojë kryetarin e opozitës që të lexojë drejt raportin. Drejtuesit e qeverisë i bënë thirrje Edi Ramës që të lejojë deputetët e grupit parlamentar të marrin pjesë në seancat e Kuvendit. Zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm Meta theksoi se mazhoranca i ka bërë të gjitha përpjekjet dhe i ka lënë të gjitha dyert e hapura për të bashkëpunuar me opozitën për ecurinë e të gjitha reformave në vend. Në vlerësimin e Metës, mazhoranca ka shprehur të gjithë vullnetin e saj që t‘i krijojë opozitës hapësirat e duhura, me qëllim realizimin e kërkesave dhe pretendimeve të saj, siç ishte edhe dhënia e shumicës në komisionin hetimor parlamentar. Por, insistoi Meta, opozita po e kthen në një qëllim në vetvete bojkotin si një strategji për të paralizuar institucionet. "Kjo, sipas numrit dy të qeverisë është një gabim shumë i madh për vetë opozitën, e cila do të mbajë përgjegjësi lidhur me pengesat që po sjell për proceset integruese", u shpreh Meta. Pengesa kryesore, sqaroi ai, mund të vijë në mënyrë të veçantë për liberalizimin e pritshëm të vizave. "Vendim për të cilin ne jemi shumë optimistë që do të realizohet brenda vitit të ardhshëm", shprehu bindjen Meta. Në lidhje me pyetjen nëse ky progres-raport do të ndikojë në ecurinë e aplikimit të Shqipërisë për anëtarësim në BE, ministri i Jashtëm shprehu bindjen e qeverisë se në momentin më të parë kjo kërkesë do të shqyrtohet dhe vlerësohet dhe se komisioni do të përgatisë pyetësorin për Shqipërinë. "Më e rëndësishme nuk është koha apo periudha kur do të trajtohet një kërkesë e tillë, por përgatitja jonë për t‘iu përgjigjur pyetësorit të pritshëm me një organizmin sa më efikas të të gjitha kapaciteteve tona administrative. Duke tërhequr në këtë aksion të madh edhe ekspertët më të mirë jashtë administratës publike, pra nga sektori privat apo shoqëria civile", nënvizoi Meta. Kreu i diplomacisë shqiptare komentoi edhe pika të tjera kritike që përmend raporti, siç është lufta kundër fenomenit të korrupsionit. Sipas Metës, kjo çështje duhet lexuar me vëmendje. Ministri i Jashtëm theksoi se korrupsioni është një fenomen që ndodh në të gjitha vendet e rajonit dhe se Shqipëria nuk mund të mbetej jashtë. Megjithatë, theksoi ai, janë vlerësuar përpjekjet e koordinuara dhe masat e marra në disa sektorë. Por ai pranoi se kjo qeveri shumë shpejt do të bëjë publike nismat e reja që janë ndërmarrë në këtë drejtim. "Padyshim që do të intensifikohet lufta kundër korrupsionit dhe mirëpresim edhe rolin e opozitës dhe të të gjitha institucioneve të tjera që nuk varen nga qeveria në këtë proces", u shpreh Meta.