Dule: Do votoj pro kodit të ri. Mediu: Jam kundër, s`jep garanci

Kryetari i PBDNJ-it Vangjel Dule ka shprehur votën e tij pro kodit të ri elektoral. Duke folur në seancën e sotme plenare ku pritet të votohet kodi, Dule theksoi se marrëveshje PD-PS për reformën zgjedhore është larg standarteve të zgjedhjeve të lira dhe të barabarta.
“Ne flasim per kompromis, por nuk flasim per garanci standardeve. Marrëveshja PD-PS është komprimis por larg mundësisë për zgjedhje të lira, e të barabarta. Do të votoj pro ndryshimeve në kodin zgjedhor, do përshëndes kolegët e komisionit të reformës, bashkëkryetarët që në një klimë kontradiktore dhe konfliktuale arritën kompromis, por vota ime pro ka disa por, që kërkojnë përgjigje” tha Dule.
Ai kujtoi raportin e Freedom House vlerëson se në shtetet e botës mbahen zgjedhje në 70 shtete, por midis tyre vetëm 40 i klasifikon si demokraci zgjedhore të mirëfillta dhe vendi ynë nuk është midis këtyre vendeve.
Mediu: Do votoj kundër kodit, s`garanton barazinë e votës
Ndërsa kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu shprehu votën kundër reformës zgjedhore të arritur me konsensus mes dy forcave të mëdha PD-PS. Sipa tij kjo reformë nuk garanton barazinë e votës së qytetarëve në të gjithë vendin dhe e bën votuesin të vogël.
“Duhet t`i japim vlerë votuesit dhe jo interesave partiake. Reforma zgjedhore është shumë më tepër se marrëveshje mes dy partive dhe puna e komisionit të reformës zgjedhore u bë në mënyrë jo transparente dhe me dyer të mbyllura. Mendimi i asnjë partie nuk u mor në konsideratë nga dy partitë e mëdha dhe u hodh poshtë marrëveshja e 26 partive politike si e pavlerë” shtoi Mediu.
Seanca ndiqet edhe nga ambasadori i SHBA-së në vendin tonë, Aleksandër Arvizu dhe kreu i prezencës së OSBE-së, Eugen Volfart.