E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Projekti për zgjerimin e Rrugës së Elbasanit ka qenë online për 45 ditë

Share

Basha si Berisha: Kanë garuar investitorët dhe ka fituar firma përkatëse. Aq më mirë nëse pronari ka qenë militant i një force politike

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka thyer heshtjen dhe ka folur për projektin e zgjerimit të Rrugës së Elbasanit. Basha foli në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, e cila nisi me debate në lidhje me sulmet e Florenc Hoxhës, kreut të Policisë Bashkiake ndaj një këshilltari të majtë. Kreu i grupit të këshilltarëve të majtë, Aldrin Dalipi, tha se Basha duhet të kërkojë falje. Por kryebashkiaku tha se këto janë mashtrime e shpifje.

Në lidhje me Rrugën e Elbasanit, Basha deklaroi se tenderi është bërë online dhe projekti ka qenë aty për 45 ditë. Basha tha se është i hapur për informacion, edhe pse ka disa javë që Bashkia ka mbyllur dyert ndaj atyre që interesohen për një gjë të tillë.

Ai segment rruge është rrugë kombëtare dhe gjendet në territorin e bashkisë. Është hapur tenderi për ndërtimin e kësaj rruge, pas miratimit të projektit nga këshilli i rrugëve. Shkalla e transparencës ka qenë maksimale, projekti ka qenë aty për ditë të tëra dhe tenderi u krye online. Sa për shpronësimet, bashkia bisedoi një për një me çdo familje, tha Basha.

Kryebashkiaku më pas lexoi si një nxënës shkolle një deklaratë për shtyp të Bashkisë, lëshuar ditën kur nisi prerja e pemëve se ato do të zëvendësohen 10-fish në zona të tjera. Basha tha se prishja e murit të Pallatit të Brigadave nuk është ndonjë tabu, pasi edhe monumente të tjera kulture janë zhvendosur.

Qeveria ka ofruar të financojë dhe për çdo cent që hedh jemi mirënjohës. Projekti pasi ka kaluar në këshillin teknik i është dërguar drejtorisë të përgjithshme të rrugëve. Sipas ligjit drejtoria ka hapur tenderin për ndërtimin e rrugës. Tenderi është shpallur online ku të gjitha të dhënat e rrugës, itenerari dhe plani vendosës ishte transparent për të gjtihë. Projekti ka qenë i afishuar 40 ditë në internet. Kanë garuar investitorët dhe ka fituar firma përkatëse. Aq më mirë nëse pronari ka qenë militant i një force politike, tha Basha.

Kryebashkiaku nuk la pa përmendur edhe faktin që ambasadori amerikan është përfshirë në këtë debat. Ai tha se po përpiqet që në këtë debat të tërhiqen ambasadorë të nderuar, të cilët janë më të informuar se ata që ankohen për mungesën e projektit.

Basha tha se zgjerimi i rrugës ka qenë kërkesë e qytetarëve të juglindjes së vendit. Ai nuk shpjegoi se çvlerë ka zgjerimi i rrugës, e cila më pas do mbyllet si hinkë tek ambasada amerikane.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›