Komponentët që kanë ndikuar në përmirësimin e klimës së biznesit në vend
Regjistrimi i biznesit - “Në Shqipëri për të filluar biznesin nevojiteshin deri tani 5 procedura. Ne mendojmë se këto të thjeshtohen në dy procedura, do të eliminohet noterizimi i dokumenteve, vula e kompanisë dhe parapagesa e taksave në bashki. Ne presim me interes sugjerime të tjera nga ju”.
Lejet e ndërtimit - “Në Shqipëri, lejet e ndërtimit kanë qenë në krye të shtyllës së turpit në botë dhe kjo jo për shkak të Shkodrës a Vlorës, sepse këto bashki, sipas Bankës Botërore, kanë qenë në standardet ndërkombëtare të Londrës e Parisit, por për shkak të kryeqytetit. Për lejen e ndërtimit duheshin 436 ditë. Në një kohë që Singapori e ka 36 ditë. Nuk kishte dhe nuk ka mesazh më negativ për investitorët, kur ai mendon se për të marrë një leje ndërtimi duhet të harxhojë një vit e gjysmë dhe kur e mendon këtë për Tiranën, mendoni se çfarë mund të imagjinojë për periferitë e Shqipërisë, çka, në fakt, ishte e kundërta. Kështu, nga 23 procedura do të mbeten vetëm 5 dhe afati i lejes së ndërtimit do të jetë 35 ditë. Bashkitë do të ngrenë One stop shop për marrjen e lejes dhe do të jenë ato që do të garantojnë lejet për energjinë, ujësjellësin, linjat telefonike dhe të gjitha burokracitë e tjera. Nuk do të jetë më ndërtuesi, ai që do të vrapojë pas këtyre zyrave. Bashkia disponon të gjitha hartat. Natyrisht, ajo duhet të paguajë dy apo tre punonjës më shumë në shërbim të ndërtuesve, biznesmenëve”.
Furnizimi me energji - “Pas lejes së ndërtimit, edhe këtu shënohet një rekord tjetër negativ. Për t’u lidhur me energji, biznesit shqiptar i duhet rreth 6 muaj. Një qëndrim tërësisht i papranueshëm. Në Task Force u diskutua që procedurat të reduktohen nga 6 në 4 dhe ditët nga 177 në 45, ndërsa kostoja nga 585 përqind e Prodhimit të Brendshëm për frymë në 233 përqind. Përsëri Task Force ka qëndruar larg, pasi nuk duhet të pranojmë që Gjermania, vendi më industrial ta ofrojë këtë shërbim për 17 ditë dhe Shqipëria ta ofrojë këtë shërbim, siç vendosi Task Force, për një afat 45 ditor. Ndaj them këtu se ka mundësi e potencial që të zbresim në nivelin e Islandës, Gjermanisë apo Tajvanit”.
Regjistrimi i pronësisë - “Edhe ky është një proces hektik, i mundimshëm. Edh ky proces i kërkon biznesit 33 ditë. Task Force ka vendosur ta reduktojë atë në 13 ditë. Ndonëse potenciali për ta ulur më tej është real. Le të diskutojmë këtu për mënyrat e rrugët e uljes së tij”.
Marrja e kredisë - “Shqipëria ka një pozicion të lakmueshëm në këtë aspekt. Sidoqoftë duhet përmirësuar. Nga vlerësimi në tërësi, del si një domosdoshmëri të ngremë një agjenci jo shtetërore, private, e cila të regjistrojë borxhlinjtë dhe kjo të notifikojë bankat në mënyrë që ato të mos riskojnë kreditë e tyre aty ku nuk duhet”.
Mbrojtja e investitorit - “Pozicioni është i lakmueshëm. Shqipëria qëndron në vendin e 15 në botë. Por ka vend për të ecur më tutje, ndaj në këtë aspekt, ne presim mendimet tuaja”.
Pagesa e taksave - “Edhe ky është një proces i mundimshëm për ju. Ne kemi vendosur barrën fiskale më të ulët, por ne nuk ia kemi dalë ende të vendosim barrën burokratike më të ulët. Por shpresojmë e jemi të sigurt se me një seri masash shumë të afërta, ne do të kalojmë në standardet më të mira të barrës burokratike. Do të heqim pagën referuese. Me masat që do të marrim, numri i pagesave të tatim fitimit do të ulet nga 13 në 5. Me përfundimin e plotë të sistemit on-line, ne do të adaptojmë standardet burokratike më minimale në vjeljen e taksave. Ky sistem përfundon në muajin qershor të këtij viti”.